• e hënë, 23 dhjetor 2024

Taravari: Marrëdhëniet në Qeveri janë korrekte, duhet të konsultohemi më shpesh dhe të sinkronizohemi

Taravari: Marrëdhëniet në Qeveri janë korrekte, duhet të konsultohemi më shpesh dhe të sinkronizohemi

Nju-Jork, 25 shtator 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë dhe udhëheqës i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, i cili merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të 79-të të KB-së, deklaroi se marrëdhëniet ndërmjet partnerëve në koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ku janë VLEN dhe ZNAM, janë korrekte dhe se kjo Qeveri do të vazhdojë të funksionojë. Qeveria, thotë ai, ka strategji më afatgjate, por nevojitet konsultim më i shpeshtë dhe sinkronizim ndërmjet partive politike në pushtet.

Siç njoftoi raportuesi i MIA-s nga Nju-Jorku, Taravari këtë e tha pas deklaratave të djeshme të Halil Snopçes se Vlen do të largohet nga koalicioni qeveritar nëse votohet ligji për "branitellat" dhe të kryeministrit Hristijan Mickoski i cili i uroi fat deputetit nëse kjo do të ndodhte.

"Mund të them se raportet mes Vlenit dhe VMRO-DPMNE-së janë mjaft korrekte. Në nivelin e kryetarëve të partive. Normalisht kemi struktura për të gjitha partitë Vlen dhe VMRO-DPMNE. Ndoshta ka pasur ndonjë keqkuptim të vogël diku që nuk mund të them të njëjtën gjë për ZNAM dhe Vlen. Megjithatë, përsëri do të them se marrëdhëniet mes partnerëve në koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ku janë Vlen dhe ZNAM janë korrekte dhe jemi munduar të jemi sa më sinkron këto njëqind ditë, por diku ka pasur keqkuptime, diku ka pasur ndërhyrje që nuk ishin të koordinuara si duhet, prandaj duhet kohë që të sinkronizohen plotësisht dhe kompletisht dhe kjo të shihet edhe te qytetarët. Megjithatë, në përgjithësi mund të them se pritshmëritë e qytetarëve nga kjo shumicë ishin të mëdha", tha ministri i Shëndetësisë.

Nuk mundet, theksoi Taravari, të realizohen të gjitha premtimet parazgjedhore vetëm për njëqind ditë. Ka defokusime të vazhdueshme nga ajo që është dorëzuar në këto njëqind ditë veçanërisht në bllokun shqiptar. Sipas tij, janë bërë punë të mëdha.

"Megjithatë, BDI-ja disi arrinte me të gjitha resurset që ka, si financiare ashtu edhe njerëzore, të na defokusojë plotësisht nga ajo që është bërë dhe të merret me tema krejtësisht margjinale, aq të parëndësishme për njerëzit. Sa të bëjmë diçka, e kam fjalën për Qeverinë, të nesërmen menjëherë keni një lloj defokusi që jep BDI. Shpresoj që me kalimin e kohës të insistojmë që t'i tregojmë sa më shumë opinionit dhe qytetarëve atë që kemi bërë në këto njëqind ditët e para dhe më tej", tha Taravari.

Ai beson se reagimi i Snopçes ndaj ligjit për "branitellat" ka qenë, siç tha ai, ashtu siç duhet, por shpreson që në shumicën qeveritare të ketë koordinim dhe "ky problem i vogël" të tejkalohet.

"Ligji për "branitellat" është miratuar pesë herë që nga viti 2002 dhe kjo është hera e gjashtë dhe nuk besoj se pa dashje LSDM-ja e ka dorëzuar këtë pikë për "branitellat" së pari në shkurt të vitit 2024 kur i kanë shkarkuar dy ministrat Aziri dhe Fatmir Mexhiti dhe për herë të dytë tani pikërisht kur ishin pika të rëndësishme të rendit të ditës në Kuvend. Si pikë të jashtëzakonshme vendosën edhe ligjin për "branitellat". Në përgjithësi, mendoj se kur planifikojmë të prezantojmë diçka si Qeveri, duhet të sinkronizohemi dhe të njoftojmë njëri-tjetrin, ndaj edhe reagimi i zotit Snopçe ishte në këtë drejtim. Pra, ne nuk jemi njoftuar, jemi në thelb kundër çdo gjëje që të kalojë pa rënë dakord mes nesh. Reagimi i Snopçes ka qenë ashtu siç duhet dhe shpresoj se do të kemi një koordinim mes nesh dhe do ta kalojmë këtë problem të vogël që BDI-ja po përpiqet me LSDM-në. Mendoj se janë të koordinuar për të vënë, për të mbjellë shkëndija në funksionimin e koalicionit në shumicën qeveritare", tha Taravari.

Në lidhje me balancuesin dhe ligjin për gjuhët thotë se ato janë në Gjykatën Kushtetuese më shumë se pesë vjet dhe se nuk beson se pikërisht tani Gjykata duhet t'i aktualizojë këto tema.

"Vetëm një njeri me mendje të vogël do të besonte se pikërisht tani, në njëqind ditët e para, Gjykata Kushtetuese duhet të aktualizojë këto dy tema. Imagjinoni, pesë vjet janë kërkesat për balancuesin dhe përdorimin e gjuhës shqipe, dhe pikërisht tani po aktualizohet dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese po e vendos në rend dite për të treguar se duhet diçka e re. Ne në përgjithësi jemi të njëanshëm dhe kemi thënë se duhet një ligj për përfaqësim të drejtë, jo vetëm të bashkësive etnike, por përfaqësim të drejtë të të gjitha kategorive që jetojnë në shtet, ndaj do të shohim me një ligj që ta mbulojmë këtë që po lëviz balancuesin", thotë Taravari.

Ai tregon se të gjitha partitë politike janë të vetëdijshme për keqpërdorimin e balancuesit dhe se shumica qeveritare do të gjejë një zgjidhje që pjesëtarët e të gjitha komuniteteve të mund të përfaqësohen në institucione.

Partitë e koalicionit Vlen pas zgjedhjeve lokale do të vendosin nëse do të bashkohen në një parti politike.

"Koalicioni Vlen funksionon ndërmjet vetes. Ne kemi hapur idenë e një bashkimi mes nesh, por ka ide të ndryshme. Njëra është që deri në zgjedhjet lokale të funksionojmë si katër parti, sepse kështu kemi katër degë të katër partive në të gjitha qytetet, që nëse shkrihemi tani e tutje të mos ketë efekt negativ ndaj degëve. Ideja është të mblidhemi pas zgjedhjeve. Megjithatë, duhet të ulemi sërish bashkë dhe pas zgjedhjeve të vendosim se si do të vazhdojmë", thotë Taravari.

Ministri i Shëndetësisë të enjten do të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së në Sesionin për Rezistencë të Terapisë Antibakteriale, ndërsa pastaj niset për në Uashington për vizitë në dy universitetet për ta shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit të fakulteteve të Mjekësisë.

"Do të tregoj përvojat e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe atë që është zbatuar në vendin tonë sidomos pas Kovid-19", tha Taravari. sa/

FOTO: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR