Të lënduarit nga zjarri në Koçan janë transferuar në Spitalin e Shtipit, në “8 Shtatori” dhe në Klinikat e Shkupit
- Shumica e të lënduarve nga zjarri në diskotekën e Koçanit që ka ndodhur mbrëmë janë transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit ku ende po marrin ndihmë mjekësore.

Koçan, 16 mars 2025 (MIA) - Shumica e të lënduarve nga zjarri në diskotekën e Koçanit që ka ndodhur mbrëmë janë transferuar në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit ku ende po marrin ndihmë mjekësore.
Për shkak të seriozitetit të lëndimeve të marra si pasojë e zjarrit dhe thithjes së tymit, disa nga të lënduarit janë dërguar në Spitalin klinik në Shtip, Spitalin e përgjithshëm të qytetit “8 Shtatori” dhe klinikat e Shkupit.
Para Spitalit të Koçanit ndodhen një numër i madh i familjarëve dhe miqve të të lënduarve dhe të të vdekurve. Organizata komunale e Kryqit të Kuq është duke bërë lista për të përcaktuar identitetin e personave të vdekur.
Në informatat fillestare nga MPB--ja për MIA-n theksohet se së paku 50 persona kanë humbur jetën në diskotekën në Koçan, në të cilën mbrëmë ka shpërthyer zjarr gjatë një koncerti të një grupi të njohur.
Sipas informacioneve të publikuara në disa media, zjarri me shumë gjasa ka nisur për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski tashmë ndodhet në vendin e aksidentit dhe priten informacionet e para për tragjedinë.
Për në vendin e aksidentit është drejtuar edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
Të gjitha shërbimet kompetente, përfshirë edhe prokurorin publik nga Prokuroria Themelore Publike në Koçan janë në terren. Numri i viktimave dhe të lënduarve po përcaktohet. Ende po merren veprime dhe po kryhet inspektim.
Prokurori Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe prokurorët themelorë publikë të PTHP Shkup dhe të PTHPNJKOK janë rrugës për në Koçan. Prokurorisë së Koçanit do t'i vihen në dispozicion të gjitha kapacitetet e prokurorive për veprime urgjente. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s