Të gjithë pacientët janë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë, tre janë lëshuar në shtëpi, nesër pritet të lëshohen edhe tre të tjerë
- – Të gjithë pacientët të cilët mjekohen këtu dhe jashtë shtetit janë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë, shumica po përmirësohen, ndërsa nga gjithsej 20 kritikë, 10 janë më rëndë, por edhe ata janë në gjendje të qëndrueshme, jashtë rrezikut për jetë, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
- Post By Fitore Curri
- 10:44, 20 mars, 2025

Shkup, 20 mars 2025 (MIA) – Të gjithë pacientët të cilët mjekohen këtu dhe jashtë shtetit janë në gjendje të qëndrueshme dhe të mirë, shumica po përmirësohen, ndërsa nga gjithsej 20 kritikë, 10 janë më rëndë, por edhe ata janë në gjendje të qëndrueshme, jashtë rrezikut për jetë, njoftoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Siç deklaroi Taravari, në shtet po mjekohen 72 pacientë, ndërsa jashtë 101. Nga ata të cilët po mjekohen në vend, tre janë lëshuar dje, ndërsa nesër planifikohet të lëshohen edhe tre.
"Nga java e ardhshme shpresoj do t’ju njoftojmë për atë sa pacientë e vazhdojnë mjekimin në shtëpi dhe për të tillë që kthehen nga shtetet e huaja", theksoi Taravari.
Sipas tij, nga pacientët në shtet, 34 janë në Qendrën Klinike, 15 janë në SPQ “8 Shtatori”, në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit janë hospitalizuar 11, ndërsa në Shtip një pacient. Nga klinikat private, në “Sistinë” janë hospitalizuar 7 pacientë dhe në “Zhan Mitrev” 4.
“Jashtë janë 101 pacientë, dje janë dërguar numër më i vogël i pacientëve, sot ka oferta nga shumë shtete, por do të shohim, ndoshta maksimum 10 të dërgohen, ndërsa ka mundësi edhe jo”, tha Taravari. fc/
Foto/video: MIA