Newsmax: Mbretëria e Bashkuar investon 5 miliardë paund në Maqedoni, partneritet strategjik me efekt për mbarë rajonin
- Pas Bregzitit, Mbretëria e Bashkuar gjithnjë e më shumë po e përdor portofolin e investimeve si mjet të politikës së jashtme, duke kërkuar të riformulojë rolin e saj global. Një nga shembujt më të fundit të kësaj qasje është partneriteti strategjik me Republikën e Maqedonisë i cili parashikon mbështetje britanike prej 5 miliardë paundë përmes UK Export Finance, shkruan Newsmax-i amerikan.
- Post By Fami Bajrami
- 23:00, 7 qershor, 2025
Shkup, 7 qershor 2025 (MIA)- Pas Bregzitit, Mbretëria e Bashkuar gjithnjë e më shumë po e përdor portofolin e investimeve si mjet të politikës së jashtme, duke kërkuar të riformulojë rolin e saj global. Një nga shembujt më të fundit të kësaj qasje është partneriteti strategjik me Republikën e Maqedonisë i cili parashikon mbështetje britanike prej 5 miliardë paundë përmes UK Export Finance, shkruan Newsmax-i amerikan.
Bashkëpunimi përfshin zhvillimin e disa sektorëve kyç - shëndetësinë, energjinë, transportin dhe infrastrukturën digjitale - dhe ka potencialin të transformojë ekonominë e vendit.
"Ky partneritet i mundëson Republikës së Maqedonisë të përdorë përvojën dhe praktikat më të mira të administratës publike britanike dhe sektorit të biznesit, gjë që do të ndihmojë në ngritjen e nivelit si të administratës ashtu edhe të komunitetit të biznesit në vend", tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Përveç përfitimeve ekonomike, Mbretëria e Bashkuar me këtë forcon edhe pozicionin e saj gjeopolitik në Ballkan - një rajon që luan një rol gjithnjë e më strategjik në Evropë. Deri më tani janë konfirmuar tre grupe projektesh: ndërtimi i hekurudhës së shpejtë përgjatë Korridorit 10, ndërtimi dhe rindërtimi i spitaleve në disa qytete dhe ndërtimi i një fakulteti të mjekësisë dhe konvikti studentor në Shtip.
Këto projekte do të kenë një efekt shumëfishues - do të përmirësojnë lidhshmërinë, do të nxisin rritjen në sektorë të tjerë dhe do të rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë së vendit.
Përveç përfitimeve në infrastrukturë, projektet pritet të krijojnë mijëra vende të reja pune, gjë që është e rëndësishme për fuqinë punëtore të re.
Zhvillimi i hekurudhës së shpejtë, madje nuk do të jetë i rëndësishëm vetëm për Republikën e Maqedonisë, por edhe për të gjithë Ballkanin, pasi do të mundësojë integrim më të mirë rajonal dhe lidhje ekonomike, qëndron në tekstin e publikuar të Newsmax.