• e premte, 05 korrik 2024

Stoltenberg: Siguria e Kosovës është kyçe për stabilitetin e Ballkanit

Stoltenberg: Siguria e Kosovës është kyçe për stabilitetin e Ballkanit

Bruksel, 20 dhjetor 2023 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka vlerësuar sot se siguria e Kosovës është çelësi i stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ai këtë e tha në një fjalim dyminutësh të publikuar në rrjetin social X me rastin e fundvitit, në të cilin i falënderoi të gjithë aleatët për mbështetjen e tyre, si dhe ushtarët, përfshirë KFOR-in në Kosovë, për “shërbimin e tyre në mbrojtje të paqes”.

"Ndihma për të mbajtur mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë në Kosovë është çelësi për stabilitetin e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor," tha ai.

Stoltenberg theksoi se “ne jetojmë në një botë të rrezikshme”, në të cilën ka një luftë në Evropë, një luftë të re në Lindjen e Mesme, ndërsa tensionet po rriten edhe në Ballkanin Perëndimor.

“Terrorizmi brutal vazhdon dhe ndryshimi i klimës shkakton konflikt. Prandaj nuk ka siguri pa një mbrojtje të fortë dhe nuk ka mbrojtje të fortë pa një forcë të armatosur të aftë. Dhe kjo është arsyeja pse kemi ndërmarrë kaq shumë hapa të rëndësishëm këtë vit për të forcuar mbrojtjen e NATO-s - me akoma më shumë trupa dhe rritje të shpenzimeve për mbrojtjen. Dhe kjo nuk është për të shkaktuar luftë, por për të parandaluar konfliktin dhe për të ruajtur paqen”, theksoi Stoltenberg. mb/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR