• e shtunë, 06 korrik 2024

Shumica e vendeve-anëtare të BE-së do të përkrahnin heqjen e masave kufizuese për Kosovën

Shumica e vendeve-anëtare të BE-së do të përkrahnin heqjen e masave kufizuese për Kosovën

Pragë, 24 prill 2024 (MIA) - Shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian angazohen për heqjen e masave kufizuese për Kosovën, njoftoi Radio Evropa e Lirë (REL), duke iu referuar burimeve diplomatike anonime.

Dallimi i vetëm mes vendeve-anëtare, siç njofton REL, ishte nëse të hiqen masat gradualisht apo menjëherë.

“Shumica e vendeve anëtare duan që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, por janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e KUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”, ka thënë burimi diplomatik.

Gjatë diskutimeve të fundit është folur për hapat që ka ndërmarrë Kosova për të përmbushur kushtet për heqjen e masave, por edhe për hapat që, sipas raportuesve që kanë folur, akoma nuk janë përmbushur në tërësi.

Për situatën aktuale në Kosovë para përfaqësuesve të vendeve anëtare kanë folur dy të dërguar të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, si i dërguar i posaçëm për dialog dhe Tomas Soniong, i cili është i dërguar i posaçëm për Kosovë dhe shef i zyrës së BE-së në Kosovë.

Ambasadorët kanë bërë thirrje që përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sa më parë që të jetë e mundur të raportojë para Këshillit të BE-së për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave. Ky raport është i nevojshëm në mënyrë që masat të hiqen, në tërësi apo pjesërisht. bsh/

Foto: MIA arkiv

Tags

QËNDRONI TË LIDHUR