• e shtunë, 13 korrik 2024

Shqiptari nga Koosva dënohet me 15 vite burg për krime lufte ndaj shqiptarëve në vitin 1999

Shqiptari nga Koosva dënohet me 15 vite burg për krime lufte ndaj shqiptarëve në vitin 1999

Prishtinë, 12 korrik 2024 (MIA) - Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special,  ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuait Muhamet Alidemaj për shkak se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile.

Përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se i akuzuari  Muhamet Alidemaj është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) vjetësh, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 31.03.2021 e tutje. Të akuzuarit Alidemaj i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më tepër se dënimi i shqiptuar.

“Gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 - 11 qershor 1999, gjatë kohës së luftës në Kosovë, i akuzuari M.A me dashje dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, kishte shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre, në shkelje të nenit 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë, në atë mënyrë që me datë 28 mars 1999 në fshatin  Izbicë, në orët e hershme të mëngjesit, i akuzuari  së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe zbritën nga mali në drejtim të fshatit, shkuan tek vendi ku ishin të grumbulluar popullsia civile, fillimisht i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12 vjeçare nga turma dhe nën kërcënimin e armëve i detyruan që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ndanë dhe i ekzekutuan me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan”, thuhet në komunnikatë.

Po ashtu, i akuzuari së bashku me pjesëtaret të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosja, grabitja dhe shkatërrimi i pasurisë civile, ashtu që me të hyrë në fshatin Izbicë, fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre nën kërcënimin e armëve dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit.

Tutje bëhet e ditur se i akuzuari  së bashku me 4 persona të paidentifikuar,nën kërcënimin e armëve ju plaçkiten të gjitha sendet personale me vlerë dhe parat, disa burra u sulmuan brutalisht dhe pësuan plagë të rënda nga sulmi i dhunshëm, kurse grat dhe fëmijët nën kërcënimin e armëve u detyruan që të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të nisen drejt Klinës duke i urdhëruar që të shkojnë në Shqipëri, me këtë në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile.

Ndërsa për pikën 2 të dispozitivit të aktakuzës, gjykata merr aktgjykim refuzues ndaj të pandehurit M.A, pasi prokurori është tërhequr nga kjo pikë e aktakuzës.

“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në komunikatë. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR