• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëron: Bota është në gjendje "të paqëndrueshme"

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëron: Bota është në gjendje

Nju-Jork, 24 shtator 2024 (MIA) - Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guteresh paralajmëroi sot krerët botërorë se pandëshkueshmëria, pabarazia dhe pasiguria krijojnë një "botë të paqëndrueshme" në të cilën gjithnjë e më shumë vende besojnë se duhet të kenë një "kartë për të dalë nga burgu pa pasoja."

"Ne nuk mund të vazhdojmë kështu", tha ai në fillim të debatit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme mes presidentëve, kryeministrave, monarkëve dhe udhëheqësve të tjerë.

Duke treguar thellimin e ndarjeve gjeopolitike, luftërat e pafundme, ndryshimet klimatike dhe llojet e reja të armëve, ai tha se njerëzimi po i afrohet të paimagjinueshmes - "një fuçi baruti që rrezikon të gëlltisë botën".

"Ndërkohë, viti 2024 është viti kur gjysma e njerëzimit shkon në votime, ndërsa gjysma e njerëzimit është e prekur. Qëndroj para jush në këto stuhi i bindur për dy të vërteta që po vijnë", tha ai. "Së pari, gjendja e botës sonë është e paqëndrueshme, nuk mund të vazhdojmë kështu. Dhe së dyti, sfidat me të cilat përballemi janë të zgjidhshme, por kjo kërkon që ne të sigurohemi që mekanizmat ndërkombëtarë të zgjidhjes së problemeve të zgjidhin me të vërtetë problemet. Samiti i së ardhmes ishte hapi i parë, por kemi rrugë të gjatë për të bërë. Për të arritur atje duhet të përballesh me tre shtytës kryesorë të paqëndrueshmërisë: një botë mosndëshkimi ku shkeljet dhe abuzimet kërcënojnë vetë themelin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së.

"Një botë e pabarazisë ku padrejtësitë dhe ankesat kërcënojnë të minojnë vendet apo edhe t'i shtyjnë ato në skaj. Dhe një botë e pasigurisë ku rreziqet e pakontrolluara globale kërcënojnë të ardhmen tonë në mënyra të panjohura.

Por, kreu i Organizatës Botërore theksoi se sfidat me të cilat përballemi janë të zgjidhshme nëse bashkësia ndërkombëtare përballet me pasigurinë e rreziqeve të pakontrolluara, pabarazinë që është baza e padrejtësive dhe ankesave dhe pandëshkueshmërinë që minon të drejtën ndërkombëtare dhe parimet themelore të Kombeve të Bashkuara.

"Sot, një numër gjithnjë e më i madh i qeverive dhe të tjerëve mendojnë se kanë ‘letër për të dalë nga burgu pa pasoja’," tha ai, duke aluduar në lojën e famshme sociale "Monopol".

Guteresh vlerësoi se lufta në Ukrainë vazhdon pa shenja të tërheqjes. "Civilët paguajnë çmimin e rritjes së numrit të viktimave dhe shkatërrimit të jetëve dhe bashkësive. Është koha për paqe të drejtë të bazuar në Kartën e OKB-së, të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e OKB-së", theksoi sekretari i përgjithshëm i OKB-së.

Gaza është një makth i pandërprerë që kërcënon të marrë me vete të gjithë rajonin, tha Guteresh nga OKB-ja. - Mos shikoni ma larg se Libani. Të gjithë duhet të alarmohemi nga përshkallëzimi. Libani është në prag. Populli i Libanit, populli i Izraelit dhe populli i botës nuk mund të përballojnë që Libani të bëhet një Gazë tjetër, theksoi Gutereshi.

Le të jemi të qartë: Asgjë nuk mund të justifikojë aktet e tmerrshme të terrorit të kryera nga Hamasi më 7 tetor ose marrjen e pengjeve, diçka që unë e kam dënuar në mënyrë të përsëritur. Dhe asgjë nuk mund të justifikojë ndëshkimin kolektiv të popullit palestinez, theksoi Gutereshi. - Shpejtësia dhe shtrirja e vrasjeve dhe shkatërrimeve në Gaza janë ndryshe nga çdo gjë që kam parë në vitet e mia si Sekretar i Përgjithshëm. Më shumë se 200 punonjës tanë janë vrarë, shumë prej tyre së bashku me familjet e tyre. E megjithatë, gratë dhe burrat nga Kombet e Bashkuara vazhdojnë të japin ndihmë humanitare. E di që po bashkoheni me mua në nderim të veçantë për UNRWA dhe për të gjithë punonjësit humanitarë në Gaza, theksoi kreu i OKB-së.

Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të mobilizohet për armëpushim të menjëhershëm. Lirimi i menjëhershëm dhe i pakushtëzuar i pengjeve dhe fillimi i procesit të pakthyeshëm drejt një zgjidhjeje me dy shtete, tha Guteresh.

"Për ata që vazhdojnë dhe minojnë atë qëllim me më shumë vendbanime, më shumë grabitje, më shumë nxitje, i pyes: Cila është alternativa? Si mund të pranojë bota një shtet që do të përfshijë një numër të madh palestinezësh pa asnjë liri, të drejtë ose dinjitet", pyeti Gutereshi.

Takimi i liderëve botërorë filloi nën hijen e ndarjeve globale në rritje, luftërave të mëdha në Gaza, Ukrainë dhe Sudan dhe kërcënimit të konfliktit edhe më të madh në Lindjen e Mesme.

Gutereshi paralajmëroi fjalimin e tij në "Samitin e së Ardhmes", të mbajtur të dielën, ku vuri në dukje konfliktet nga Lindja e Mesme në Ukrainë dhe Sudan, si dhe sistemin global të sigurisë, i cili, tha ai, kërcënohet nga ndarjet gjeopolitike, kërcënimet bërthamore dhe zhvillimi i armëve të reja dhe arenave ushtarake. Edhe atëherë, ai vuri në dukje pabarazitë e mëdha, mungesën e një sistemi efektiv global për t'iu përgjigjur kërcënimeve të reja dhe madje ekzistenciale dhe efekteve shkatërruese të ndryshimeve klimatike.

Një moment domethënës në hapjen e sotme të debatit të Asamblesë së Përgjithshme është paraqitja e fundit e rëndësishme e Presidentit të SHBA Xho Bajden në skenën botërore, një platformë në të cilën ai ka shkelur për dekada të tëra.

Ambasadorja amerikane Linda Tomas-Grinfilld u tha gazetarëve javën e kaluar se fokusi i SHBA-së në Asamblenë  do të ishte në dhënien fund të epidemisë së luftës, duke vënë në dukje se rreth dy miliardë njerëz jetojnë në zona të prekura nga konflikti. "Më të prekurit e botës mbështeten tek ne për të bërë përparim, për të bërë ndryshime, për t'u sjellë shpresë atyre," tha ajo.

Në mesin e folësve të tjerë në hapje sot janë Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, Mbreti Abdullah II i Jordanisë dhe Presidenti i ri i Iranit Masud Pezeshkijan.

Udhëheqësi iranian dje akuzoi Izraelin se po përpiqej të provokonte luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme dhe po vendoste kurthe për ta tërhequr vendin e tij në konflikt më të madh. Ai vuri në dukje shpërthimet vdekjeprurëse të pejxherëve, voki-tokeve dhe pajisjeve të tjera elektronike në Liban javën e kaluar, për të cilat u fajësua Izraeli dhe vrasja e udhëheqësit politik të Hamasit Ismail Hanije në Teheran më 31 korrik, disa orë pas inaugurimit të Pezeshkijanit.

"Ne nuk duam të luftojmë," tha presidenti iranian. "Është Izraeli që dëshiron t'i tërheqë të gjithë në luftë dhe të destabilizojë rajonin. Ata na tërheqin në një vend ku nuk duam të shkojmë. Ndryshe,  Irani mbështet Hamasin në Gaza dhe militantët libanezë të Hezbollahut.

Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit David Miliband përkujtoi se në konferencën e San Franciskos në vitin 1945, kur u themelua OKB-ja, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Heri Truman, u bëri thirrje delegatëve të refuzojnë premisën se forca krijon drejtësi dhe ta zëvendësojnë atë me "drejtësia krijon forcë", e cila është e mishëruar në Kartën e OKB-së.

"Pothuajse 80 vjet më vonë, ne jemi dëshmitarë të pasojave të tmerrshme të dështimit për ta ndryshuar këtë ekuacion", tha Miliband. "Në kontekste si Gaza, Sudani dhe Ukraina, forca krijon drejtësi."

Duke u përballur me nevojat humanitare globale në rritje, konfliktet e pakontrolluara, ndryshimet klimatike dhe varfërinë ekstreme në rritje, Milibandi pyeti udhëheqësit botërorë: "Si do t'i forconi, e jo dobësoni, parimet e Kartës së OKB-së për 80 vitet e ardhshme?"

Takimi vjetor i asamblesë, i cili përfundon më 30 shtator, u mbajt pas Samit dy-ditor të së Ardhmes, i cili miratoi plan që synon bashkimin e kombeve gjithnjë e më të ndara në botë për të trajtuar sfidat e shekullit 21 - nga konflikti dhe ndryshimi i klimës te inteligjenca artificiale dhe të drejtat e grave.

Pakti 42-faqesh për të Ardhmen u bën thirrje udhëheqësve të 193 shteteve anëtare të OKB-së t'i kthejnë premtimet në veprime reale që do të bëjnë një ndryshim në jetën e më shumë se tetë miliardë njerëzve në mbarë botën.

"Jemi këtu për të rikthyer multilateralizmin nga shkatërrimi," tha Gutereshi.

Me miratimin e paktit, udhëheqësit hapën derën, tha ai. "Tani, fati i përbashkët është të kalojmë përmes saj. Ajo kërkon jo vetëm marrëveshje, por veprim. ”

Në mbledhjen globale të OKB-së vitin e kaluar, Ukraina dhe Presidenti i saj Volodimir Zelenski ishin në qendër të vëmendjes. Por, ndërsa afrohet përvjetori i parë i sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor, vëmendja me siguri do të përqendrohet në luftën në Gaza dhe përshkallëzimin e dhunës përgjatë kufirit izraelito-libanez, i cili tani kërcënon të përhapet në Lindjen e Mesme më të gjerë.

Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas është planifikuar të flasë të enjten në mëngjes, ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu të enjten pasdite.

Zelenski do të jetë në qendër të vëmendjes dy herë. Ai do të flasë sot pasdite (sipas orës lokale) në një takim të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të thirrur nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Japonia, Malta, Koreja e Jugut dhe Mbretëria e Bashkuar, ministrat e jashtëm të të cilëve pritet të marrin pjesë. Ai gjithashtu do t'i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme të mërkurën në mëngjes. 

foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR