• e mërkurë, 03 korrik 2024

Rrëmujë në një festival fetar në Indi, të paktën 87 të vdekur

Rrëmujë në një festival fetar në Indi, të paktën 87 të vdekur

Axhman, 2 korrik 2024 (MIA) - Të paktën 87 persona humbën jetën në rrëmujën gjatë një manifestimi fetar në shtetin verior indian Utar Pradesh, informon televizioni NDTV. Autoritetet deri më tani informuan për 60 raste të vdekjes. 

Rrëmuja ka ndodhur në fshatin Pulrai, në njësinë Hatras, rreth 200 kilometra në juglindje të kryeqytetit Nju Delhi. "Për momentin nuk e di numrin e saktë të viktimave, por ai është rreth 60... Ekzistojnë mundësi që ai numër të rritet", deklaroi zëdhënësi i policisë rajonale Manish Çikara.

Sipas inspektorit të lartë të policisë së qytetit Etah, Raxhesh Kumar Sing, incidenti ka ndodhur gjatë një manifestimi fetar në fshatin Pulrai. "Njëzetë e shtatë trupa mbërritën në spitalin në Etah. Në mesin e të vdekurve janë 23 gra, tre fëmijë dhe një burrë", deklaroi Sing për gazetarët.

Sipas shefit të stacionit të policisë në Sikandara Rao, Ashish Kumar, rrëmuja dukshëm ka ndodhur për shkak të turmës së madhe. 

Lideri i shtetit federal Utar Pradesh, Jogi Aditijanat, u shprehu ngushëllime familjeve të të vdekurve dhe urdhëroi hetim për incidentin. "Janë dhënë udhëzime për nëpunësit kompetentë për zbatimin e aksioneve për ndihmë dhe shpëtim, si dhe për sigurimin e trajtimit adekuat të të lënduarve", shkroi në platformën Iks. fc/

Fotografia: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR