• e diel, 22 dhjetor 2024

Takim Mishel-Millatoviq: Mali i Zi të mbajë momentumin e reformave jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra

Takim Mishel-Millatoviq: Mali i Zi të mbajë momentumin e reformave jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra

Bruksel, 2 korrik 2024 (MIA) -BE beson se Mali i Zi do të ruajë momentumin pozitiv të reformave në rrugën strategjike evropiane jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra nga të gjithë aktorët politikë, në përputhje me qëllimin e vendit për t'u anëtarësuar në Unionin si shteti i ardhshëm anëtar, kumtoi Këshilli Evropian pas takimit të presidentit të saj Sharll Mishell me kreun e shtetit malazez Jakov Milatoviq në Bruksel.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Këshilli thekson se pas Konferencës Ndërqeveritare BE-Mali i Zi të mbajtur javën e kaluar dhe raporteve pozitive të vlerësimit të ndërmjetëm të kapitujve 23 dhe 24 nga Komisioni Evropian, është e rëndësishme që Mali i Zi të mbetet në rrugën evropiane nga të gjitha aspektet dhe të gjitha subjektet politike të punojnë së bashku për zbatimin e agjendës së reformave për anëtarësimin në BE.

Sipas Këshillit Evropian, ka një momentum të ri në zgjerimin e BE-së dhe Malit të Zi, si favorit në procesin e anëtarësimit, ka një mundësi reale për të avancuar, por nuk duhet humbur apo marrë si e mirëqenë.

"Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten një element thelbësor i procesit të anëtarësimit dhe nuk duhet të rrezikohen", theksohet në kumtesën, duke shtuar se Mishel “vlerëson angazhimin e Presidentit Milatoviq në këtë drejtim”.

Meqë ra fjala, takimi Mishel-Millatoviq pasoi pas shtyrjes së vizitës së kryetarit të Këshillit të BE-së në Mal të Zi për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend. ls/

foto: Skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR