• e premte, 27 shtator 2024

REL: Kurti dhe Vuçiq më 26 qershor do të takohen në Bruksel

REL: Kurti dhe Vuçiq më 26 qershor do të takohen në Bruksel

Prishtinë, 20 qershor 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 26 qershor në Bruksel për raundin e ri të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, publikoi Radio Evropa e Lirë.

Siç transmetuan mediat në Prishtinë, informacionin për REL e konfirmoi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borrell.

Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit biseduan për zbatimin e marrëveshjeve nga Ohri nga shkurti i vitit 2023 më 14 shtator të vitit të kaluar, por pa asnjë progres, për shkak të qëndrimeve kundërshtuese.

Disa ditë më vonë, më 24 shtator, një grup i serbëve të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit – në veri të Kosovës – duke vrarë reshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, tre nga sulmuesit mbetën të vrarë.

Kosova e akuzon Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi zyrtar mohon se ka gisht në të.

Përfaqësuesit e vendeve perëndimore u përpoqën disa herë të bindin Kurtin dhe Vuçiqin që të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të diskutojnë për hapat për zbatimin e marrëveshjes, por pa rezultat.

Po ashtu, shefat e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kanë shkuar disa herë në Bruksel për të diskutuar për tejkalimin e krizave, por as mes tyre nuk ka pasur përparim. ls/ 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR