• e martë, 18 mars 2025

Regjistrohet rasti i dytë me ethet e Nilit Perëndimor në Koçan, pacienti është infektuar në Tunizi

Regjistrohet rasti i dytë me ethet e Nilit Perëndimor në Koçan, pacienti është infektuar në Tunizi

Koçan, 18 korrik 2024 (MIA) - Instituti i Shëndetit Publik në Shkup ka konfirmuar se rasti i dytë i regjistruar me ethet e Nilit Perëndimor është nga Koçani, por pacienti është infektuar gjatë një udhëtimi turistik në Tunizi në fund të muajit të kaluar.

Bëhet fjalë për 34 vjeçarin, banorë nga Koçani i cili me datë 7 korrik ka shfaqur temperaturë të lehtë trupore, rraskapitje, dhimbje në muskuj, dhimbje koke, pas çka ka rënë në kolaps, ndërsa me automjetin e ndihmës së shpejtë është transportuar në ISHP Spitalin e Përgjithshëm me aktivitet të zgjeruar – Koçan.

Është përgatitur një anketë epidemiologjike për personin e sëmurë nga epidemiologu kompetent nga Qendra për Shëndet Publik – Koçan. Dy ditë më vonë pacienti është dërguar në repartin infektiv në Spitalin klinik të ISHP-së në Shtip.

"Me anë të një testi serologjik nga laboratori virologjik në ISHP janë marrë të dhëna për praninë e antitrupave kundër agjentit shkaktar - WNV, pra është konfirmuar sëmundja ethet e Nilit Perëndimor. Pacienti në periudhën prej datës 09-15.07.2024 është shtruar në ISHP Spitalin Klinik – Shtip dhe ka dalë në gjendje të mirë shëndetësore. Të dhënat gjatë hetimit epidemiologjik nga një epidemiolog kompetent nga Qendra e Shëndetit Publik – Koçan janë marrë nga pacienti, mjeku amë, infektologu dhe dokumentacioni mjekësor. Në periudhën prej datës 24.06-01.07.2024, pacienti ka qenë në një udhëtim turistik në Tunizi ku ka vërejtur mushkonja në numër të madh dhe është pickuar nga mushkonjat edhe pse në pjesën më të madhe të periudhës së qëndrimit ka përdorur repelentë, theksohet në raportin e Instituti për Shëndet Publik - Shkup.

Në raport është theksuar se prania e mushkonjave është vërejtur edhe në rajonin e Koçanit. Sipas informacioneve nga epidemiologu kompetent është bërë dezinsektim i rregullt.

Gjatë vitit 2024 janë paraqitur gjithsej dy raste laboratorike të konfirmuara të etheve të Nilit Perëndimor. Rasti i parë, që gjithashtu është importuar, është regjistruar në muajin prill te një banor të komunës së Vasilevës, në territorin e Qendrës për Shëndet Publik - Strumicë. rq/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR