Ditë zie në vend, ngushëllime për të pësuarit në Koçan edhe në Serbi, Bullgari, BeH dhe Mal të Zi
- – Në vend edhe sot është ditë zie për të pësuarit në aksidentin në Koçan. Gjatë kohës së zisë shtatëditëshe të cilën e shpalli Qeveria, flamujt janë në gjysmështizë, janë anuluar të gjitha aktivitetet muzikore, argëtuese dhe ngjarjet në institucione nga sfera e kulturës, ndërsa është përshtatur edhe programi i mediave. Janë hapur libra ngushëllimi në Kuvend, në MPJ dhe në ambasadat e Maqedonisë së Veriut në mbarë botën.
- Post By Fitore Curri
- 07:39, 18 mars, 2025

Shkup, 17 mars 2025 (MIA) – Në vend edhe sot është ditë zie për të pësuarit në aksidentin në Koçan. Gjatë kohës së zisë shtatëditëshe të cilën e shpalli Qeveria, flamujt janë në gjysmështizë, janë anuluar të gjitha aktivitetet muzikore, argëtuese dhe ngjarjet në institucione nga sfera e kulturës, ndërsa është përshtatur edhe programi i mediave. Janë hapur libra ngushëllimi në Kuvend, në MPJ dhe në ambasadat e Maqedonisë së Veriut në mbarë botën.
Në shenjë ngushëllimi për të pësuarit në zjarrin në Koçan në të cilin jetën e humbën 59 persona të rinj, ndërsa mbi 150 janë lënduar dhe hospitalizuar, sot ditë zie shpallën Serbia, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, ndërsa dje edhe Mali i Zi.
Qeveria serbe, në propozim të presidentit Aleksandar Vuçiq, e shpalli 18 marsin ditë zie. Në Serbi në mjekim janë dërguar edhe një pjesë e të lënduarve në Koçan. Ata dje i vizitoi presidenti Vuçiq, i cili tha se në institucionet shëndetësore në Serbi do të trajtohen gjithsej 29 persona të lënduar.
Edhe Qeveria bullgare në mbledhje të jashtëzakonshme mori vendim që sot të jetë ditë zie në shenjë solidariteti me Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Rosen Zheljazkov u shprehu ngushëllime familjeve të të vdekurve dhe shpresë për shërim me sukses të të lënduarve. Ai informoi se për momentin në Bullgari mjekohen 14 shtetas të Maqedonisë në spitale në Sofje, Plovdiv dhe Varnë. Shprehu gatishmëri për pranim edhe të të lënduarve të tjerë nëse ka nevojë.
Zheljazkov shtoi se tragjedia i tejkalon dallime e përditshme politike dhe shoqërore. “Në momente të tilla të vështira, ndjenjat njerëzore dhe solidariteti vijnë në shprehje. Besoj se popujt tanë do t’i lënë në një anë sfidat ditore dhe do të jenë të bashkuar në këtë ditë”, deklaroi dje kryeministri i Bullgarisë.
Ditë zie sot është edhe në Federatën Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa gjatë ditës së djeshme edhe në Mal të Zi. fc/
Fotografia: MIA