• e enjte, 29 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Rama për "Blumberg": Trampi është i mirë për të gjithë, mundësi për BE-në

Rama për

Tiranë, 11 prill 2025 (MIA) - Kryeministri shqiptar Edi Rama, në një intervistë për Blumberg, ndalet te ndikimi i presidentit amerikan Donald Tramp dhe sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian, duke e cilësuar atë si një faktor që e ka detyruar Evropën të veprojë dhe të riorientohet.

"Megjithëse Trampi është një figurë e diskutueshme, ai ka një ndikim të rëndësishëm në politikën globale, duke ofruar mundësi për shumë vende. Politika e Trampit ka shkaktuar një reagim nga vendet evropiane, të cilat janë mbyllur shumë në vetvete, duke u përkushtuar gjithnjë e më shumë ndaj interesave të brendshme. Ai është një faktor që e ka detyruar Evropën të veprojë dhe të riorientohet. Edhe pse shumë e kanë kritikuar politikën e tij të ashpër, ajo ka krijuar mundësi për vende të tjera, përfshirë Shqipërinë", ka deklaruar Rama, publikuan mediat shqiptare.

Ai vlerësoi se Bashkimi Evropian ka humbur një pjesë të ndikimit të tij global dhe beson se duhet të rifitojë vrullin.

"Kur Trampi thotë se Zoti e shpëtoi atë për ta bërë Amerikën të madhe përsëri, ai tregon vetëm gjysmën e historisë. Gjysma tjetër është se Ai e shpëtoi Trampin gjithashtu për ta bërë Evropën të zgjohet dhe të veprojë së bashku", tha Rama.

Përsa i përket marrëdhënieve të tij me administratën e Trampit, Rama theksoi se angazhimi i tij me Xhared Kushner ka qenë gjithashtu pjesë e një bashkëpunimi të natyrshëm, pa pasur ndonjë qëllim të fshehur për të marrë mbështetje politike për Shqipërinë.

Ai sqaroi se vizita e parë e Kushner në Shqipëri ka ndodhur në vitin 2021, pas largimit të Trampit nga Shtëpia e Bardhë, dhe ka qenë një mundësi për të diskutuar projekte të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Rama e cilësoi marrëdhënien e tij me Kushner si personale.

"Jam i privilegjuar të flas me Kushner dhe do të isha shumë i lumtur ta quaja mik. Nuk e di nëse ai më quan mik, por unë e quaj mik", shtoi Rama. sa/

Foto: FB  i Ramës

QËNDRONI TË LIDHUR