• e hënë, 20 maj 2024

Presidentja Osmani takoi presidentin e 43-të të SHBA-së, Xhorxh Bush

Presidentja Osmani takoi presidentin e 43-të të SHBA-së, Xhorxh Bush

Prishtinë, 8 maj 2024 (MIA)-  Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Teksas të SHBA-së ka zhvilluar një takim me presidentin e 43-të, të SHBA-ve, Xhorxh Bush të cilin e ka falënderuar në emër të popullit të Kosovës për angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës si dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për vendin tonë.

Presidentja Osmani theksoi se presidenti Bush ishte një mbështetës i vendosur për pavarësinë e Kosovës, një mik dhe aleat i popullit të Kosovës, duke theksuar se në çdo kapitull të Republikës së Kosovës jeton trashëgimia e tij, e cila zanafillën e ka te paralajmërimi i Krishtlindjes i Presidentit George H.Ë. Bush, babai të tij.

Gjatë takimit në Institutin Bush në Dallas, presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për presidentin Bush, për mbështetjen dhe solidaritetin e tij për Kosovën, duke potencuar rolin e rëndësishëm të lidershipit të tij në shpalljen e pavarësisë.

"Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur", është fraza paralajmëruese e pavarësisë së Kosovës e presidentit Bush në Tiranë më 2007 e cila do të mbetet e gdhendur në analet e historisë si një afirmim i vendosur i të drejtës së Kosovës për të qenë e pavarur. “Presidenti Bush ishte lajmëtari i pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Osmani.

Më tej, Osmani ka theksuar se aleanca e Kosovës me SHBA-të është testament për vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin ndaj lirisë dhe demokracisë.

Ndërkaq Bushi foli me respekt për Kosovën që nga shpallja e pavarësisë dhe rrugëtimit për shtet-ndërtim, konsolidim dhe forcim të pozitës ndërkombëtare. Ai ripohoi miqësinë e tij të qëndrueshme me Kosovën, duke e shprehur besimin për një të ardhme edhe më prosperuese ku Kosova është e integruar në strukturat euroatlantike.

QËNDRONI TË LIDHUR