Presidentja Osmani nderohet me Urdhrin e familjes mbretërore "Datin Laila Utama" nga Sulltani i Bruneit
- Gjatë vizitës shtetërore në Sulltanatin e Bruneit Darusalam, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është nderuar me Urdhrin e familjes mbretërore Laila Utama më i larti në nivel të shtetit.
- Post By Fami Bajrami
- 09:24, 7 maj, 2025
Prishtinë, 7 maj 2025 (MIA)- Gjatë vizitës shtetërore në Sulltanatin e Bruneit Darusalam, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është nderuar me Urdhrin e familjes mbretërore Laila Utama më i larti në nivel të shtetit.
Ky urdhër u jepet tradicionalisht udhëheqësve të huaj ndërkombëtar. Me këtë nderim, presidentes Osmani i është dhënë gjithashtu edhe titulli honorifik "Datin Laila Utama" i cili bart një nder të veçantë në protokollin shtetëror të Bruneit.
Në ceremoninë e pranimit të këtij Urdhri dhe titulli, presidentja Osmani u shpreh se ky nder është një simbol i fuqishëm i respektit të ndërsjellë dhe i miqësisë që po ndërtohet në mes dy popujve.
“Ky Urdhër dhe ky titull nuk është vetëm një vlerësim për mua, por mbi të gjitha një nderim për popullin e Kosovës. Jam thellësisht mirënjohëse për mikpritjen dhe respektin e treguar nga Sulltani dhe populli i Bruneit”, ka theksuar presidentja Osmani.
Ky nderim i lartë, thuhet mes tjerash në kumtesë, është dëshmi e përkushtimit të presidentes Osmani ndaj forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe promovimit të Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Këtë Urdhër mbretëror dhe titull prestigjioz e ka marrë më parë edhe Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar.