• e premte, 05 korrik 2024

Presidentja Osmani ka pritur në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë, Veronika Vashçenko

Presidentja Osmani ka pritur në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë, Veronika Vashçenko

Prishtinë, 4 korrik 2024 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë, Veronika Vashçenko, të cilën e ka përgëzuar për detyrën, duke uruar për vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv.

Siç bëhet e ditur në kumtesën e Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës (ZPRK), në takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe rëndësinë e përpjekjeve për ta përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve në Kosovë.

Presidentja Osmani potencoi se partneriteti me UNICEF-in, është i rëndësishëm për zbatimin e programeve dhe politikave që mbështesin zhvillimin dhe mbrojtjen gjithëpërfshirëse të fëmijëve.

Në këtë kontekst, Osmani vuri në dukje përpjekjet për  qasjen e fëmijëve në arsim cilësor dhe fuqizimin e mirëqenies së tyre.

Gjatë takimit, në veçanti u diskutua për projekte në përkrahje të edukimit të hershëm të fëmijëve, mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta si dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e fëmijëve.

Presidentja Osmani, ndër të tjera, në këtë takim shtroi nevojën e zbatimit të programeve të fokusuara tek fëmijët dhe promovimi i barazisë gjinore në të gjithë sektorët. fc/

Fotografia: Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës 

QËNDRONI TË LIDHUR