• e shtunë, 27 korrik 2024

Presidentja kosovare i fton liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve të ardhshme

Presidentja kosovare i fton liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve të ardhshme

Prishtinë, 27 korrik 2024 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, zyrtarisht ka ftuar liderët e partive politike që të takohen më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në letrën e siguruar nga organizata joqeveritare "Betimi për Drejtësi", e cila u është dërguar liderëve të partive, Osmani u shkruan liderëve të partive se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar - 16 shkurt 2025.

"Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letër.

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë u mbajtën më 14 shkurt 2021, kur partia e kryeministrit aktual, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi me 50,2 për qind të votave. E dyta ishte Partia Demokratike e Kosovës, e treta Lidhja Demokratike e Kosovës dhe e katërta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend i ka siguruar partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Sërpska, e cila fillimisht hyri në Qeverinë Kurti, por më vonë u largua nga institucionet duke pretenduar se qeveria në Prishtinë po shkel të drejtat e pakicës serbe. Dhjetë vende të tjera në Kuvendin e Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës, janë të rezervuara për pjesëtarët e bashkësive të tjera etnike jo pakicë, të cilët në këtë përbërje parlamentare mbështesin Qeverinë Kurti. fc/

 


 

 
 
 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR