• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Petrovska: Vetëm të bashkuar mund të luftojmë me kërcënimet hibride

Petrovska: Vetëm të bashkuar mund të luftojmë me kërcënimet hibride

Shkup, 29 shkurt 2024 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot mori pjesë në debatin "E ardhmja e NATO-s dhe Ballkanit: Përvoja nga Estonia" në të cilin u diskutua për përvojat e transmetuara estoneze në kohë të pushtimit rus në Ukrainë, nevojës për unitet në përballjen me kërcënimet hibride dhe fuqizimin e sigurisë kolektive të NATO-s si Aleancë e bazuar në vlera dhe parime. 

Petrovska, siç informoi Ministria e Mbrojtjes, foli për kërcënimet hibride me të cilat përballen të gjitha vendet e rajonit dhe Aleanca. Porositi se vetëm nëse jemi të koordinuar dhe bashkërisht ndërtojmë shoqëri rezistente në dezinformata, mund të përballemi me këtë kërcënim hibrid.

"Ne jemi të vetëdijshëm për aktivitetet hibride të Rusisë në vendin tonë. Qëllimi i tyre është t'i portretizojnë institucionet si të cenueshme dhe jofunksionale, duke ulur kështu besimin e qytetarëve ndaj tyre. Përgjigja më e mirë ndaj këtij kërcënimi, që përfshin fushata dezinformuese, është që shoqëritë tona të ndërtojnë një qëndrueshmëri të fortë kolektive", tha ministrja e Mbrojtjes. Shtoi se hapja dhe transparenca institucionale është gjithashtu instrument i rëndësishëm në luftën kundër dezinformatave, duke e cilësuar si shembull të mirë Ministrinë e Mbrojtjes duke pasur parasysh se është institucioni me transparencën më të lartë aktive.

Lidhur me anëtarësimin në NATO, Petrovska theksoi vendimin e guximshëm në vitin 2018 e cila mundësoi që shteti të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s për të cilën tha se është investimi më i mirë në sigurinë e vendit dhe të qytetarëve. 

Petrovska foli edhe për diskutimet në takimin e fundit të ministrave të Këshillit Veriatlantik të NATO-s. Tregoi për unitetin në Aleancë, përkushtimin e plotë drejt fuqizimit të sigurisë kolektive dhe të mbështetjes së fuqishme të vendeve anëtare për Ukrainën, vendi i cili ka të drejtë të plotë që ta mbrojë sovranitetin e tij dhe integritetin territorial. 

Në pyetjen në lidhje me bashkëpunimin rajonal, ministrja Petrovska tha se ajo është kyçe në procesin e integrimit të rajonit dhe shtoi se Maqedonia e Veriut e mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s. E përsëriti qëndrimin se proceset eurointegruese janë edhe çështje e sigurisë, duke folur për atë se integrimi i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian është proces drejt të cilit synojmë të gjithë dhe çështje e cila na bashkon. 

"Është më se e nevojshme që strukturat politike në vendet e rajonit të sjellin vendime të rënda, por të drejta për përshpejtimin e proceseve integruese. Të gjithë ne kemi të kaluar të ngjashme, ndërsa të ardhmen e kemi të përbashkët", theksoi Petrovska. 

Në debat folën edhe bashkëdrejtorët e projektit Sasho Ordanoski dhe Eduard Zhozef, Tomas Jermalaviçius nga Qendra Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri nga Estonia dhe disa gazetarë të cilët si pjesë e projektit në Estoni ishin njoftuar me përvojat e këtij vendi në përballjen me fushatat ruse të dezinformatave dhe ndikimeve nga agresioni rus ndaj Ukrainës. 

Debati është organizuar në kuadër të projektit për ndërtimin e vetëdijes publike për NATO dhe rezistencës së Ballkanit, i kryesuar nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Dokumentim nga Shkupi dhe Shkolla e Uashingtonit për Studime të Avancuara Ndërkombëtare pranë Universitetit "Xhon Hopkins". fc/

Fotografia: Ministria e Mbrojtjes

QËNDRONI TË LIDHUR