• e hënë, 23 dhjetor 2024

Pendarovski: Epilogu i luftës në Ukrainë do të ndikojë mbi rendin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen

Pendarovski: Epilogu i luftës në Ukrainë do të ndikojë mbi rendin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në të ardhmen

Shkup, 26 shkurt 2024 (MIA) - Lufta në Ukrainë është kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë evropiane, epilogu i së cilës do të ndikojë në rendin, jo vetëm në kontinentin tonë por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet në vijim. Luftë e cila do të dëshmojë nëse vitet e zhvillimit demokratik në Evropë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë janë harxhuar për realizimin e një ideje abstrakte apo demokracia është ende e qëndrueshme dhe mjaftueshëm e fuqishme për të treguar rezistencën ndaj regjimeve retrograde dhe autoritare dhe sfidat që ato i krijojnë, theksoi sot presidenti Stevo Pendarovski në konferencën "Ukraina - dy vjet heroizëm" në organizim të Ambasadës së Ukrainës në bashkëpunim me CIVIL - Qendra për liri.

Pendarovski ka thënë se kjo luftë do të dëshmojë nëse përdorimi i forcës do të bëhet parim bazë që duhet të përcaktojë natyrën e marrëdhënieve ndërmjet shteteve në këtë shekull apo do të mbetet në fuqi ajo që është shkruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara se shtetet anëtare janë të barabarta mes veti, pavarësisht nëse janë të vogla apo të mëdha.

"Triumfi eventual i këtij parimi retrograd i dalë nga arkivat e shekujve të kaluar do të ishte një recetë për destabilitet të përhershëm në botë dhe kthim në të kaluarën jo shumë të largët kur lojërat gjeopolitike dhe interesat e të mëdhenjve ishin shumë më të fuqishëm se vullneti i lirë i popujve", tha shefi i shtetit.

Për shkak të kësaj, shton Pendarovski, investimi i gjithë botës demokratike është i madh, ndërsa konsekuencat e luftës që Ukraina sot i zhvillon i tejkalon kufijtë e saj.

Vitin e kaluar, në të njëjtën ditë, tha ai, dëshiruam që të mos mblidhemi kurrë më për të përkujtuar vitet e luftës për lirinë e Ukrainës, por të festojmë çlirimin nga okupatori rus dhe heroizmin e popullit ukrainas.

"Fatkeqësisht, sot agresioni brutal ndaj këtij vendi mik nga ana e regjimit të Putinit po hyn në vitin e tretë, ndërsa humbjet e jetëve njerëzore, vuajtjet e miliona njerëzve në mbarë vendin, pasojat shkatërruese nuk po minimizohen", shtoi Pendarovski.

Për këto dy vite, siç tha ai, kemi qenë dëshmitarë të çnjerëzimit të një regjimi të shkëputur nga realiteti i cili sikur të ketë dalë nga kohërat më të errëta të historisë evropiane të shekullit të kaluar në mosbarazi të plotë me realitetin e shekullit 21.

"Ajo diktaturë personale po përpiqet jo vetëm të imponojë një rishikim të historisë, por edhe të ndryshojë kufijtë e Evropës në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet juridike ndërkombëtare që garantojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore", tha presidenti.

I njëjti regjim, siç e tha, që shkel drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor edhe në vendin e tij, që çdo ditë persekuton, burgos dhe vret kundërshtarët e tij, po përpiqet të imponojë një vizion të botës ku despotët të ngjashëm me ta do të jenë në pozicion për të përcaktuar fatin e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm.

"Në rrugën e atyre përpjekjeve, të ndjekura nga brutaliteti i paparë, në vijën e parë të rezistencës, tash e dhjetë vjet, qëndron populli heroik ukrainas duke shkaktuar një sakrificë të madhe dhe duke treguar këmbëngulje dhe besim të vazhdueshëm se e mira mund ta mposhtë të keqen. Prandaj, lufta për liri që po bën Ukraina sot është për një kauzë të drejtë, në emër të gjithë botës demokratike dhe të qytetëruar e cila duhet të vazhdojë të ndihmojë deri në çlirimin e plotë të Ukrainës, sepse në atë luftë të gjithë ne, nuk kemi të drejtë të mposhtemi", thekson Pendarovski.

Sipas tij, suksesi i Ukrainës sot nuk varet vetëm nga vullneti dhe potenciali i ushtrisë ukrainase, por edhe nga ndihma financiare, logjistike dhe mbi të gjitha ushtarake që ajo duhet të marrë. Çdo kalkulim tjetër në këtë kontekst do të çojë në vuajtje edhe më të mëdha, shkatërrim në Ukrainë dhe pasiguri për të gjithë ne", thotë Pendarovski.

Në fjalën e tij në konferencë ai informoi se pas dy ditësh nga sot në Tiranë do të marrë pjesë në samitin “Ukraina-Evropa Juglindore”, ku së bashku me kolegët e tij do të takohet me presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski. Qëllimi është të riafirmojmë pozicionin tonë të qartë për të vazhduar ndihmën për Ukrainën, për të mbështetur procesin e rindërtimit në pjesët e shkatërruara dhe për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e tmerrshme duke u dhënë të paktën njëfarë ngushëllimi të afërmve të viktimave.

"Me fjalë të tjera, do të dëshmojmë mbështetje të plotë për Ukrainën që lirshëm të zgjedhë rrugën që do të hapërojë në të ardhmen. Nëse kjo rrugë përfshin vullnetin dhe gatishmërinë për integrimin e vendit si në BE ashtu edhe në NATO, atëherë ne duhet të mbështesim zgjedhjen e Ukrainës", tha ai.

Ambasadorja e Ukrainës në vend, Larisa Dir tha se kjo luftë nuk është vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër botës demokratike dhe NATO-s.

Mes atyre që do të kenë fjalën në konferencë janë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri për Punë të Jashtme Bujar Osmani si dhe përfaqësues diplomatik në vend.

FOTO: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR