• e hënë, 23 dhjetor 2024

Pendarovski: Demografia negative është kërcënimi më i madh për të ardhmen e vendit, korrupsioni është shtytësi më i madh i emigracionit

Pendarovski: Demografia negative është kërcënimi më i madh për të ardhmen e vendit, korrupsioni është shtytësi më i madh i emigracionit

Shkup, 15 dhjetor 2023 (MIA) - Kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare dhe të ardhmen e Maqedonisë së Veriut është demografia negative. Popullsia po plaket me shpejtësi, shteti po zbrazet me shpejtësi... Korrupsioni është një nga faktorët më të spikatur që kontribuon në emigracionin. Ndër të tjera, këtë e theksoi  presidenti Stevo Pendarovski gjatë prezantimit të sotëm të projeksionit të popullsisë në vend deri në vitin 2070 të përgatitur nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Pendarovski theksoi se ajo që është më shqetësuese nga trendet e pafavorshme demografike është kur institucionet e shtetit nuk janë të vetëdijshme për këtë. Kjo është arsyeja pse regjistrimet dhe projeksionet e popullsisë synojnë të paraqesin realitetin demografik dhe të japin një pamje më të qartë të së ardhmes demografike.

Në bazë të rezultateve të regjistrimit të zbatuar, Enti Shtetëror i Statistikës i përgatiti projeksionet, sipas të cilave deri në vitin 2070 popullsia në Maqedoni mund të ulet madje deri në 35 për qind, nga 1,8 që janë aktualisht mezi në 1,2 milionë banorë, kështu që ata tashmë kanë arritur parashikimet që KB-ja parashikoi për vendin për vitin 2030.

"Kur në vitin 2021 gjetëm vullnetin politik për t'u numëruar, thashë se rezultatet do të na përballin me frikën tonë më të madhe, ndërsa nuk e kisha fjalën për frikën e të tjerëve, të ndryshëm nga ne, por për frikën se sa pak jemi", theksoi ai.

Pendarovski paralajmëroi se nga tre shtytësit e rëndësishëm demografik - nataliteti, mortaliteti dhe migrimi, më shqetësues është i treti, aq më tepër sepse rënia e popullsisë është shumë më tepër për shkak të shkallës së lartë të emigrimit sesa natalitetit të ulët.

Ai më tej theksoi se Raporti Botëror për Migrimin për vitin 2020 e numëron Maqedoninë e Veriut ndërmjet njëzet shteteve me shkallë më të lartë të shpërnguljes, trend për të cilin ekspertët paralajmërojnë se pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.

"Sipas shumicës, një nga shtytësit më të mëdhenj të emigracionit është korrupsioni. Efektet e dëmshme të korrupsionit i gjejmë në çdo sferë – rritje e varfërisë dhe padrejtësisë sociale, ajri i ndotur, betonizimi i sipërfaqeve të gjelbra, rezultatet nën mesatare në arsim, drejtësia e vonuar, ndarjet në shoqëri. E gjithë kjo krijon një atmosferë dëshpërimi për shumë nga bashkëqytetarët tanë. Është evidente se gjithnjë e më shumë po largohen jo për shkak të pagave, por për shkak të cilësisë së dobët të jetës", tha Pendarovski.

Megjithatë, ai shfaqi shpresë se e ardhmja demografike negative nuk duhet të bëhet fati ynë, që falë projeksioneve dhe analizave të bëra në mënyrë profesionale mund të merren vendime dhe të hartohen politika afatgjata korrekte që do të ndalojnë një trend të tillë.

Si të vetmen mënyrë për të reduktuar emigracionin, për të rritur migrimet e kthimit dhe për të nxitur natalitetin, Pendarovski e sheh përmes ndërtimit të një shoqërie rezistente demografike, gjegjësisht krijimit të një shoqërie në të cilën njerëzit do të dëshirojnë të jetojnë dhe të formojnë familje.

Sipas tij, shteti duhet të fokusohet në katër prioritetet zhvillimore të përfshira në Kornizën Strategjike për Zhvillim "MKD 2030" - zhvillimi i përshpejtuar ekonomik, mbrojtja më e lartë e mjedisit jetësor dhe reforma e politikave energjetike, digjitalizimi dhe, së fundmi, sipas Pendarovskit, më e rëndësishmja - arsimi, rinia dhe rritja gjithëpërfshirëse.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se duhet bërë një luftë frontale kundër korrupsionit për një shtet funksional juridik me shtetin ligjor si themel.

"Është e rëndësishme për negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe më e rëndësishme për qytetarët tanë. Nëse duam që qytetarët e Maqedonisë të mos emigrojnë në Bashkimin Evropian, duhet të zbatojmë vlerat evropiane këtu, në vendin tonë, vetëm kështu do të kemi sukses në uljen e migrimeve, nxitjen e natalitetit dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në përgjithësi",  tha presidenti Pendarovski. sa/

foto/MIA

QËNDRONI TË LIDHUR