• e hënë, 23 dhjetor 2024

Përmes projektit të Bankës Botërore do të modernizohen dhe lidhen sistemet pagesore të vendeve nga Ballkani Perëndimor

Përmes projektit të Bankës Botërore do të modernizohen dhe lidhen sistemet pagesore të vendeve nga Ballkani Perëndimor

Shkup, 2 shkurt 2024 (MIA) - Përmes projektit të Bankës Botërore për "Modernizim të pagesave të Ballkanit Perëndimor" në të cilin merr pjesë Banka Popullore, si dhe bankat tjera qendrore nga rajoni, me digjitalizim dhe lidhshmëri të mëtejshme të vendeve nga rajoni në fushën e pagesave, do të punohet në lehtësimin e tregtimit tejkufitar, rritjes së konkurencës dhe uljes së shpenzimeve për pagesa ndërkombëtare, të cilat aktualisht janë më të larta edhe deri në gjashtë herë në krahasim me vendet e BE-së.

Siç informojnë sot nga Banka Popullore, projekti që Banka Botërore e zbaton në bashkëpunim me Këshillin Rajonal për Bashkëpunim, Marrëveshja për tregti të lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe me mbështetje të Komisionit Evropian përbëhet nga disa shtylla.

"Një prej tyre i referohet miratimit të rregullores së BE-së në fushën e pagesave, e cila do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen më shpejt në Zonën e vetme evropiane të pagesave (SEPA), në përputhje me Planin e ri të Rritjes së Ballkanit Perëndimor në BE. Më tej, projekti ka të bëjë me përmirësimin e infrastrukturës për pagesat, pra vendosjen e pagesave të shpejta dhe arritjen e ndërveprueshmërisë. Pagesat e shpejta mundësojnë transferim të menjëhershëm të fondeve 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit. Veprimtaritë e veçanta në kuadër të kësaj shtylle kanë të bëjnë me prezantimin e zgjidhjeve inovative fintek për kryerjen e pagesave, si dhe lidhjen me sistemin e shlyerjes së menjëhershme të pagesave (TIPS) të Eurosistemit", sqarojnë nga Banka Popullore.

Digjitalizimi i pagesave, theksojnë nga  Banka Popullore, sjell përfitime për qytetarët, kompanitë dhe ekonominë dhe shtojnë se pagesat dixhitale mund të ulin kostot dhe të përmirësojnë aksesin në financa për rreth 1.9 milionë banorë në Ballkanin Perëndimor, të cilët aktualisht nuk kanë një llogari pagese, për të reduktuar pabarazinë gjinore, si dhe dallimet midis mjediseve urbane dhe rurale.

Sipas Bankës Popullore, për kompanitë, pagesat digjitale mund të sigurojnë qasje në depot e të dhënave (big data), por edhe të përmirësojnë likuiditetin. Për ekonominë, përfitimet konsistojnë në një mënyrë pagese më të lehtë, më të shpejtë dhe më të lirë, e cila do të mbështesë flukset tregtare dhe financiare, por edhe transparencë më të madhe, e cila kontribuon në uljen e korrupsionit dhe ekonomisë gri, e cila sipas hulumtimeve reduktohet për 2 për qind, me rritje të pagesave digjitale për 10 për qind.

Drejtori i Drejtorisë për Sisteme të Pagesave në Bankën Popullore, Igor Veliçkovski, thekson se ky projekt e forcon bashkëpunimin rajonal dhe inkurajon integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA, që, thotë ai, do të sjellë më shumë përfitime për kompanitë. dhe qytetarët, veçanërisht pagesat ndërkufitare më të lira, më të shpejta dhe më të përshtatshme. sa/

foto: Banka Popullore

QËNDRONI TË LIDHUR