• e diel, 09 mars 2025

"Për TË GJITHA gratë dhe vajzat: Të drejta. Barazi. Fuqizim” - Dita ndërkombëtare e gruas

Shkup, 8 Mars 2025 (MIA) - Dita ndërkombëtare e gruas – 8 Marsi festohet çdo vit në kujtim të protestës së punëtoreve të tekstilit në Nju-Jork me kërkesë për të drejta më të mëdha, të mbajtura në këtë datë në vitin 1857. Kombet e Bashkuara filluan ta festojnë këtë ditë në vitin 1975, dhe dy vjet më vonë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së u bëri thirrje vendeve anëtare të shpallin 8 marsin festë zyrtare të Organizatës Botërore kushtuar të drejtave të grave dhe paqes botërore.

Që atëherë, Dita ndërkombëtare e gruas festohet në nivel global me fokus në lëvizjen e të drejtave të grave, barazinë gjinore, të drejtat riprodhuese dhe luftimin e dhunës dhe abuzimit ndaj grave. Sivjet motoja e OKB-së për shënimin e 8 Marsit është "Për TË GJITHA gratë dhe vajzat: Të drejta. Barazi. Forcim. ”

Festimi i kësaj dite shoqërohet me nismën për vendosjen e votës universale, respektivisht lejimin e grave për të votuar në zgjedhje në fillim të shekullit të kaluar, si dhe me aktivitetet e lëvizjeve punëtore në Amerikën e Veriut dhe Evropë. Festimi i parë i regjistruar i Ditës së gruas ishte më 28 shkurt të vitit 1909 në Nju-Jork në organizim të Partisë Socialiste e Amerikës, ndërsa tashmë në vitin e radhës janë organizuar demonstratat dhe manifestimet e para në Evropë kushtuar të drejtave të grave.

Të frymëzuar nga këto ngjarje, delegatet gjermanë, të kryesuara nga Klara Cetkin, në Konferencën Ndërkombëtare të Grave Socialiste të mbajtur në gusht të vitit 1910 në Kopenhagë, propozuan festimin e Ditës së gruas, ndonëse në iniciativën e tyre nuk ishte përcaktuar një datë konkrete. Propozimi ishte pranuar nga pjesëmarrësit në Konferencë me idenë që Dita e gruas të shfrytëzohet për të promovuar angazhimet për barazi gjinore dhe për t'u dhënë grave të drejtën e votës.

Pas kësaj, tashmë vitin e radhës më 19 mars, në të gjithë Evropën është organizua shënimi i parë i Ditës ndërkombëtare të gruas duke mbajtur protesta që kërkonin vendosjen e së drejtës së votës për gratë, duke u mundësuar atyre ushtrojnë poste publike, si dhe parandalimin e diskriminimit gjinor gjatë punësimit.

Motiv plotësues për luftën për të drejtat e grave, para së gjithash punëtoreve, ishte zjarri në fabrikën e tekstilit "Triangëll Shirtvejst" në Nju-Jork më 25 mars të vitit 1911, në të cilin humbën jetën 146 punëtorë, shumica prej të cilëve kanë qenë gra dhe emigrantë. 

Në dekadat e para të shekullit të 20-të, nuk kishte asnjë datë të harmonizuar ndërkombëtarisht për të shënuar Ditën e gruas. Në SHBA në atë periudhë, "Dita kombëtare e gruas" është shënuar në dielën e fundit në muajin shkurt, ndërsa në Rusi shënimi i parë i "Ditës ndërkombëtare të gruas" u organizua në vitin 1913 edhe atë të shtunën e fundit në muajion shkurt sipas kalendarit Julian, ditë që sipas kalendarit gregorian ka qenë 8 marsi.

Në Gjermani, shënimi i parë zyrtar i Ditës ndërkombëtare të gruas është organizuar më 8 mars të vitit 1914. Zgjedhja e kësaj date ishte ndoshta e rastësishme, duke qenë se atë vit ato ditë ka qenë e diel. Kërkesa primare e tubimeve protestuese në këtë ditë ka qenë vendosja e së drejtës së votës për gratë në Gjermani, që u është mundësuar katër vjet më vonë me shpalljen e "Republikës së Vajmarit". Në të njëjtin vit, Dita e gruas është shënuar edhe me protestë në sheshin Trafalgar në Londër. Kjo protestë fitoi më shumë publicitet për shkak të arrestimit të aktivistes britanike për të drejtat e grave Silvia Pankharst, të cilës iu pamundësua të mbajë fjalim në tubimin.

Më 8 mars të vitit 1917, sipas kalendarit Gregorian (më 23 shkurti sipas kalendarit Julian), u mbajtën protesta në Petrograd nga punëtorët e tekstilit nën sloganin "Bukë dhe paqe", për shkak të pakënaqësisë me mungesat e ushqimit dhe duke kërkuar tërheqjen e Rusisë nga Lufta e Parë Botërore, e cila ishte një hyrje në Revolucionin rus të shkurtit, i cili çoi në abdikimin e Car Nikollajit dhe vendosjen e së drejtës së votës për gratë. Tashmë gjatë vitit të njëjtë, me nismën e bolshevikëve, 8 Marsi u shpall festë në Rusi. Me vendim të Presidiumit të Këshillit Suprem të Bashkimit Sovjetik të 8 majit të vitit 1965, 8 Marsi u shpall ditë jo pune në vend në kujtim të, siç thuhet në arsyetimin, "meritave të jashtëzakonshme të grave sovjetike në ndërtimin e komunizmit dhe në mbrojtjen e atdheut të tyre gjatë Luftës së madhe patriotike (Lufta e Dytë Botërore) dhe heroizmit dhe vetëmohimit të tyre, si dhe për kontributin e tyre të madh në forcimin e miqësisë midis popujve dhe luftës për paqe".

Shënimi i parë i 8 Marsit në Kinë u mbajt në vitin 1922 në organizim të Partisë Komuniste Kineze, e në vitin 1927 u organizua një marshim në qytetin Guangzhou me pjesëmarrjen e rreth 25.000 njerëzve, i cili përveç nga komunistët është mbështetur edhe nga Partia djathtiste Nacionaliste e Kinës (Kuomintang) dhe nga Shoqata e Rinore e Grave Kristiane. Pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, Këshilli shtetëror kinez më 23 dhjetor të vitit 1949 shpalli 8 marsin Ditë zyrtare të gruas dhe gratë kineze fitojnë të drejtën të përdornin pushim gjysmëditor në atë ditë.

Me iniciativën e Partisë Komuniste të Spanjës dhe lideres legjendare të saj Dolores Ibaruri, më 8 mars të vitit 1936 në Madrid u mbajt "marshi i grave" me të cilin u shënua Ditën e gruas.

Pikërisht për shkak të këmbënguljes për kremtimin e Ditës së gruas nga partitë komuniste dhe kremtimin e saj në shtetet real socialiste të Evropës Lindore dhe Azisë, në dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore kjo festë është ndërlidhur me lëvizjet socialiste dhe majtiste. Por në gjysmën e dytë të viteve të 60-ta, për festimin e 8 Marsit filluan të angazhohen edhe pjesëtaret e lëvizjes feministe dhe aktivizmi i grave, i cili në atë periudhë ishte në rritje, gjë që çoi në një ndryshim të perceptimit të tij dhe rezultoi me shpalljen e Ditës ndërkombëtare të gruas nga OKB-ja.

Sot, 8 Marsi është festë zyrtare publike në Bjellorusi, Vietnam, Armeni, Rusi, Kinë, Moldavi, Mongoli, Uzbekistan dhe Ukrainë, ndërsa në vendet e tjera shënohet në dritën e promovimit të arritjeve të grave, të drejtave të grave dhe luftës për barazi.

Por, globalizimi dhe rrjedhat moderne të tregut përmes fushatave marramendëse të marketingut dhe aksioneve të shopingut e kanë komercializuar Ditën ndërkombëtare të gruas dhe e kanë kthyer atë në një ditë të dhënies së dhuratave. Nga ana tjetër, ka edhe tendenca për të relativizuar festën duke e festuar atë si “Dita e nënës”, të cilën disa nga mbrojtësit e luftës për të drejtat e grave e konsiderojnë si tentim për defokusim nga qëllimet burimore të shënimit të Ditës së gruas. E gjithë kjo, së bashku me ngritjen e mediave sociale, ka çuar në promovimin e disa ideve të paqarta sa duhet të barazisë, në vend të qëllimeve fillestare për reforma sociale dhe barazi. 

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR