Mickoski: Qeveria nuk do të përzihet në asnjë zgjedhje apo emërim në gjyqësor
- Qeveria nuk do të përzihet në asnjë zgjedhje apo emërim dhe kjo duhet të jetë porosi për të gjithë që ta bëjnë punën e tyre dhe të punojnë sipas ligjit, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
- Post By Fami Bajrami
- 16:08, 8 mars, 2025

Shkup, 8 mars 2025 (MIA) - Qeveria nuk do të përzihet në asnjë zgjedhje apo emërim dhe kjo duhet të jetë porosi për të gjithë që ta bëjnë punën e tyre dhe të punojnë sipas ligjit, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me presionet e BDI-së ndaj gjykatësve kushtetues, para seancës për gjuhën shqipe dhe vizitës së djeshme të ambasadores amerikane Anxhela Ageler në Gjykatën Kushtetuese, Mickoski tha se është e palejueshme ndërhyrja në pushtetin gjyqësor.
"Do të pajtohesha se kjo është një porosi ndoshta nga ambasada amerikane se është e palejueshme ndërhyrje në pushtetin gjyqësor, diçka që mund të jetë e panjohur për BDI-në, sepse ata janë mësuar që prokurorët, gjyqtarët, së bashku me partnerët e tyre të mëparshëm të koalicionit në pushtet, pra LSDM-në brenda selive partiake të krijojnë politikat e individëve në prokurori dhe gjyqësor. Duhet të kemi kujdes, jo të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët janë pjesë e asaj strukture. Saktë e dimë se kush janë ata individë që kanë marrë udhëzime nga selia në Reçicë apo Bihaqkë dhe pikërisht për këto arsye qytetarët kanë ndjenjën se drejtësia në parim nuk funksionon njësoj për të gjithë", ka thënë Mickoski.
Të martën është caktuar seancë parlamentare për interpelancat e anëtarëve të Këshillit gjyqësor, njashtu edhe seanca e këshillit. Mickoski tha se këto janë dy gjëra që do t'i ndajë. Për prokurorin Lupço Kocevski thotë se nuk pajtohet se ka punuar pa shkelje.
"Anëtarët e Këshillit gjyqësor le ta bëjnë punën e tyre, Kuvendi ka punën e vet. Unë do t'i veçoja ato dy gjëra, dy aktivitete. Nuk do të doja të komentoja nëse kjo do të thotë respektim apo mosrespektim i Parlamentit. Të presim të prononcohen deputetët dhe pastaj do të komentojmë", ka thënë Mickoski.
I pyetur për të komentuar deklaratat e prokurorit publik, Lupço Kocevski se nuk ka shkelur ligjet, kryeministri tha se prokurori publik “ka të drejtën e mendimit të tij”.
"Ky është vend demokratik dhe ai dha mendimin e tij. Për punën e tij të deritanishme, supozoj do të kenë diçka për të thënë ata që e kanë zgjedhur, ato janë deputetët, andaj të presim që çështja të dalë para deputetëve dhe vetëm atëherë mund të komentojmë se çfarë do të diskutohet dhe debatohet dhe cilat janë argumentet me të cilat do të kontestohet apo demantohet deklarata apo qëndrimi i Kocevskit", ka thënë Mickoski.
Kryeministri tha se mund të shpreh mendimin e tij personal.
"Mund të shpreh mendimin tim. Unë absolutisht nuk jam dakord me qëndrimin dhe mendimin e tij, por ky është vetëm mendimi im. Nuk vendos unë, vendosin ata që e kanë zgjedhur dhe ata janë deputetët në Kuvendin e Maqedonisë”, ka thënë Mickoski i cili sot vizitoi Sveti Nikollën.
FOTO: printskrin