Thirrje për siguri dhe barazi në marshin për të drejtat e grave në Shkup
- Me kërkesën për një sistem vlerash që respekton gratë, që u mundëson të jetojnë pa frikë dhe u garanton rol aktiv në shoqëri sot u mbajt Marshi për të drejtat e grave në Shkup. I organizuar nga Platforma për barazi gjinore me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas – 8 Marsi, marshi i sivjetshëm mbante sloganin “Le të hanë trëndafila!”.
- Post By Fami Bajrami
- 16:47, 8 mars, 2025

Shkup, 8 mars 2025 (MIA) -Me kërkesën për një sistem vlerash që respekton gratë, që u mundëson të jetojnë pa frikë dhe u garanton rol aktiv në shoqëri sot u mbajt Marshi për të drejtat e grave në Shkup. I organizuar nga Platforma për barazi gjinore me rastin e Ditës ndërkombëtare të gruas – 8 Marsi, marshi i sivjetshëm mbante sloganin “Le të hanë trëndafila!”.
Organizatorët theksuan se 8 Marsi nuk është një ditë për gjeste simbolike dhe fraza të konsumuara, por për një luftë feministe për liri, solidaritet dhe autonomi. Ata rikujtuan se gratë nuk janë të sigurta as në shtëpi e as në rrugë, se nuk ka më shumë se 20 minuta pushim në një fabrikë, as një ditë të lirë në market, ndërsa pushimi i përbashkët prindëror shpesh nuk është një opsion. Ata gjithashtu theksuan se rregullisht përballen me ngacmime seksuale, mobing dhe seksizëm në punë.
"Në këtë 8 Mars është koha t'i kundërvihemi tiranisë së këtij sistemi dhe të ndalojmë hovin e saj, të paktën për një ditë. Duam t'u kujtojmë institucioneve dhe publikut se nuk do t'i lutemi më policisë dhe prokurorisë që të veprojnë në kohë, por po bëjmë thirrje për mbrojtje dhe mbështetje reale për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe do të vazhdojmë të luftojmë për drejtësi për të gjitha gratë që humbën jetën për shkak të neglizhencës sistematike dhe femicidit.
Marshi bëri thirrje gjithashtu për përfshirjen e grave në planifikimin urban, për t'i dhënë fund eksploatimit dhe diskriminimit në punë, si dhe qasje të hapur dhe të barabartë në arsim dhe mundësi karriere pa riprodhuar stereotipa dhe paragjykime të dëmshme.
"Duam qasje të hapur dhe të barabartë në arsim dhe mundësi karriere pa riprodhuar stereotipa dhe paragjykime të dëmshme. Ne nuk do të lejojmë fshirjen e barazisë gjinore nga arsimi ynë. Balancë më e madhe mes jetës profesionale dhe private, për qasje më të madhe të shërbimeve publike për kujdesin dhe edukimin e hershëm dhe mundësinë e pushimit të përbashkët prindëror. Raportim i përgjegjshëm dhe i ndjeshëm gjinor në media dhe mbrojtje e gazetareve femra. Në vend të shkaktojnë sensacionalizëm, mediat duhet të dënojnë dhunën dhe të mbrojnë viktimat", thanë ata.
Dita ndërkombëtare e gruas është festë globale që festohet çdo vit më 8 Mars. Kjo ditë i kushtohet njohjes së arritjeve sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të grave në mbarë botën. Gjithashtu shërben si një thirrje për veprim për të përshpejtuar barazinë gjinore.
Foto: MIA
https://www.facebook.com/watch/?v=1723183778412016