• e premte, 05 dhjetor 2025

Osmani: Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor

Osmani: Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor

Prishtinë, 20 nëntor 2025 (MIA)- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha sot se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor, pasi shpërndau Kuvendin e Kosovës i cili nuk arriti të zgjedhte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Gjatë një konference për media, pas takimit që mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin dhe se tri parti për cilën do datë.

Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka "për detyrë të jap afatin më të gjatë e jo më të shkurtër që të eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve".

Ajo e cilësoi si "fat të keq" që vendi po mban sërish zgjedhje parlamentare, njofton REL.

Osmani u pyet nëse “po i shërben Lëvizjes Vetëvendosjes” pasi zgjodhi 28 dhjetorin, datë e preferuar nga LVV-ja.

Ajo u përgjigj: “dua t’i siguroj qytetarët që asnjë vendim nuk e marr pa vetëdije” dhe shtoi se ka besim të plotë “që ky vendim është vetëm në interes të Kosovës”.

Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e mirëpriti caktimin e 28 dhjetorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve duke e cilësuar si “datën më të përshtatshme”.

“Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt i drejtë dhe demokratik”, tha ai përmes një postimi në Fejsbuk pas caktimit të datës së zgjedhjeve.

Ndryshe, veprimi i këtillë i presidentes Osmani vjen pasi mandatari i dytë Glauk Konjufca dështoi ta formojë qeverinë.

QËNDRONI TË LIDHUR