• e diel, 22 dhjetor 2024

Osmani: Shumica e kualifikuar dhe integrimi gradual për evropianizimin e Ballkanit Perëndimor

Osmani: Shumica e kualifikuar dhe integrimi gradual për evropianizimin e Ballkanit Perëndimor

Shkup, 21 qershor 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor dhe “Miqve të Ballkanit Perëndimor” në procesin e zgjerimit të BE-së, i cili u mbajt në Vjenë dhe Vahau, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Austrisë, Aleksander Shallenberg.

Siç kumtoi MPJ-ja, në fjalimet e tij në dy sesionet e punës “Shtruarja e rrugës për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE përmes integrimit gradual”, dhe “Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor: Koha është që të realizohet!”, Osmani theksoi se shumica e kualifkuar për hapjen e kapitujve si dhe integrimi gradual para anëtarësimit janë zgjidhje për pasojat e zvarritjes së procesit të zgjerimit të Unionit me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Duhet të promovojmë këtë non-paper për shumicë të kualifikuar për europianizim. Për anëtarësim mund ta ruajmë parimin e unanimitetit për momentin, sepse sjell besim të caktuar në Bashkimin Evropian, por hapja e kapitujve duhet të jenë lëndë e shumicës së kualifikuar”, theksoi Osmani.

Ministri Osmani, shtohet, e shtjelloi edhe domosdoshmërinë e integrimit gradual.

“Mendoj se burimi i zhgënjimit është procesi binar: zero ose gjithçka, gjithçka ose asgjë. Nuk fitoni asgjë përderisa nuk bëheni vend anëtar, ndërsa fitoni gjithçka në momentin që bëheni vend anëtar. Kjo i frustron vendet anëtare. Kjo na frustron edhe neve. Duhet të bëjmë ndryshim të paradigmës, nga momenti i anëtarësimit, te vetë procesi, në mënyrë që të fillojmë të integrohemi në procesin e rrugës së anëtarësimit, në tri trajektore: Tregu i vetëm, forumet politike dhe fondet kohezive dhe strukturore", theksoi Osmani.

Njëherit, Osmani shprehu mirënjohjen e tij për vendet anëtare të Unionit, fqinjët dhe miqtë e Ballkanit Perëndimor për mbështetjen e vazhdueshme për integrimin sa më të shpejtë dhe të plotë të rajonit në Union, duke theksuar se ai paraqet një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë kontinentit", qëndron në kumtesën e MPJ-së. ls/

Foto: MPJ

 

QËNDRONI TË LIDHUR