• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani: Nuk mund të integrohet një bashkësi, ndërkaq të mohohet identiteti dhe gjuha e një bashkësie tjetër, nevojitet kredibiliteti i procesit të BE-së

Osmani: Nuk mund të integrohet një bashkësi, ndërkaq të mohohet identiteti dhe gjuha e një bashkësie tjetër, nevojitet kredibiliteti i procesit të BE-së

Shkup, 26 prill 2023 (MIA) - Republika e Maqedonisë së Veriut tregoi se është demokraci funksionale multietnike e cila shërben si shembull jo vetëm për rajonin por edhe si kryesuee e OSBE-së. Marrëveshja e Prespës, ajo e Ohrit dhe Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë janë tre shtyllat e Maqedonisë së Veriut euroatlantike, por na nevojitet ambient në të cilin shteti ynë nuk do të provokohet, në të cilin nuk do të ketë politikanë të cilët do të vijnë në Shkup dhe ta mohpjnë identitetin, gjuhën, sepse atëherë krijohet një atmosferë e tillë në të cilën nuk mund të vazhdoni në rrugën të cilën e keni projektuar.

Këtë e theksoi shefi i diplomacisë, Bujar Osmani para anëtarëve të AFET në Parlamentin evropian, duke iu përgjigjur eurodeputetëve bullgarë Angell Xhambazski dhe Andrej Kovaçev se në vitin e kaluar bashkësia bullgare në vend po përballet me fjalor urrejtës dhe akte të urrejtjes dhe se janë mbyllur klubet e tyre kulturore.

"Nuk na nevojiten politikanë të cilët edhe tek ne në Maqedoni të Veriut edhe tek fqinjësia ynë, të cilët në llogari të politikës ditore do t'i provokojnë apo do t'i shfrytëzojnë këto shtylla të Maqedonisë së Veriut euroatlantike. për fat të keq një gjë të tillë e pamë deri më tani. Politikanë të cilët vazhdimisht e provokonin opinionin përderisa akoma ishte i traumatizuar, përderisa ende ishte nën emocione, i ndjeshëm, për të nxjerrë ndonjë pikë politike më tepër. Ja, unë edhe njëherë ofroj dorën se në Maqedoni të Veriut kemi për qëllim të ndërtojmë shoqëri perfekte si raport i shtetit ndaj të gjitha bashkësive, pavarësisht se sa janë ato në numër. Edhe bashkësia bullgare e cila në regjistrimin e fundit tregoi se janë 3.500. Absolutisht, madhësia nuk do të jetë dallim për ne lidhur me raportin e shtetiot ndaj bashkësive, por na nevojitet bashkarisht të ndërtojmë një shoqëri të tillë, ambient në të cilin shteti ynë nuk do të provokohet, në të cilin nuk do të ketë politikanë të cilët do të vijnë në Shkup dhe do ta mohojnë identitetin, gjuhën. Sepse atëherë krijohet një atmosferë e tillë në të cilën nuk mund të vazhdoni në rrugën të cilën e keni projektuar. Por qëndroj dhe edhe njëherë dërgoj porosi në emër të Qeverisë, të shtetit, se secili qytetar, secila bashkësi, do të ketë trajtim të njejtë në këtë shoqëri tonën multietnike", tha Osmani.

Ai theksoi se edhe vetë ai është pjesë e një shoqërie e cila ka kaluar përmes procesit të integrimit dhe se ka pritur në takim përfaqësues të bashkësisë bullgare që ta ndajë përvojën e tij, por edhe t'i porosisë ata se kjo nuk është e mundur pa respektmin e  tjetrit.

"Nuk mund të integrohet një bashkësi, duke e provokuar një bashkësi tjetër, por përkundrazi, duke e respektuar, duke i sqaruar kërkesat dhe qëllimet e veta për t'u integruar, por assesi duke krijuar ambient në të cilin të tjerët do të ndjehen të ofenduar apo të rrezikuar. Dhe prandaj është me rëndësi të gjithë të punojmë në arritjen drejt këtij qëllimi, e ai është të gjitha bashkësitë të integrohen, të kenë trajtim të njejtë. Ndryshimet kushtetuese në të cilat punojmë, do të mundësojnë edhe formalisht mundësi për një integrim të tillë", porositi Osmani.

Ai theksoi se në atmosferë në të cilën qytetarët ndjejnë se BE-ja bëhet cak lëvizës, se krijon frustrim ajo që pas një kompromisi të bërë paraqitet një kërkesë e re për kompromis.

"Sot fillon takimi i parë i grupit të punës për ndryshimet kushtteuese, e me atë edhe debati për ndryshime kushtetuese, do të tentojmë të arrijmë tek secili qytetar dhe do të tentojmë të sqarojmë se ky proces është i rëndësishëm edhe për integrimin e bashkësive, megjithatë edhe për vazhdimin në rrugën drejt BE-së, por këtë nuk do të mund ta arrijmë vetë, për atë do të na nevojitet mbështetje nga ju, në kuptim të injektimit të kredibilitetit në proces. Njerëzit fillojnë të mos besojnë tashmë se ka një qëlllim serioz që ky proces të përfundojë me sukses dhe kjo i shtohet frustrimeve", thotë shefi i diplomacisë.

Sipas tij, njerëzit besojnë se në Bullgari ka qëllime të sinqerta por se në mënyrë indirekte po tentohet të mohohet populli maqedonas.

"Kjo duhet t'u thuhet publikisht njerëzve në mënyrë që të spastrohen ato dilema. Se ky proces është kredibil se do të ketë anëtarësim, se deri tek anëtarësimi qytetarët do t'i ndjejnë benefitet nga BE-ja, nga mbështetja financiare, e cila deri më tani është 1,3 miliarëd euro. Në një atmosferë të tillë në të cilën kredibiliteti do të konfimrohet qartë, qëllimet e sinqerta të Republikës së Bullgarisë do të komunikohen qartë, në të cilat kjo çështje nuk do të keqpërdoret në agjendat e politikës ditore të partive politike edhe në RMV", konsideorn ai duke shprehur keqardhje që, siç thotë, ka parti serioze politike në vend të cilat i sulmojnë shtyllat themelore të këtij shteti.

Osmani shprehi edhe falënderim drejt eurodeputetëve të cilët shprehën porosi të fuqishme ndaj mbështetjes, e cila, thotë, është e rëndësishme për ne në këto çaste kritike në të cilat ndodhet shttei dhe rajoni lidhur me eurointegrimin. Ai në fjalimin e tij, shfaqi bindje se porositë për inkurajim dhe mbështetje gjithashtu do të reflektohen edhe në Rezolutën e ardhshme të parlamentit evropian për Maqedoninë e Veriut. ab/

QËNDRONI TË LIDHUR