• e enjte, 02 maj 2024

Osmani nga Ohri: Integrim kundrejt izolimit, bashkëjetesë kundrejt mosbesimit dhe tensionit etnik, përparim kundrejt kthimit prapa

Osmani nga Ohri: Integrim kundrejt izolimit, bashkëjetesë kundrejt mosbesimit dhe tensionit etnik, përparim kundrejt kthimit prapa

Ohër, 13 prill 2024 (MIA) - Kandidati për president i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani sot kishte takim parazgjedhor me qytetarët e Ohrit.

Ai u tha atyre se në zgjedhjet e ardhshme kanë një zgjedhje mes dy alternativave - integrimit kundrejt izolimit, bashkëjetesës kundër mosbesimit dhe tensionit etnik, përparimit kundër kthimit prapa.

"Këto janë dy ofertat që u ofrohen qytetarëve në këto zgjedhje. Si kandidat i Frontit Evropian, unë ofroj integrimin në BE, edhe atë në pesë vitet e ardhshme. Rrumbullaksim të përpjekjeve shtatëvjeçare për t'u bërë anëtare e Unionit. Nëse kam arritur si ministër në hapjen e negociatave me BE-në, si president mund të premtoj se do ta përfundoj atë proces dhe deri në fund të mandatit të bëhemi anëtare e BE-së", tha Osmani.

Megjithatë, siç theksoi, Fronti Evropian ofron edhe bashkëjetesë, përkundër opsionit që kërkon 61 deputetë për të përjashtuar të tjerët.

"Edhe sot i dërgova mesazh kundërshtares time Gordana Siljanoska. Kërkesa për 61 deputetë është kundër të gjitha parimeve të bashkëjetesës dhe demokracisë multietnike. Le të ndalojmë me gjuhën e urrejtjes. Ky vend mund të jetë i pasur, i begatë dhe i suksesshëm, vetëm nëse të gjithë kemi të drejta dhe mundësi të barabarta. Këtë e ofroj unë si kandidat për president, tha ndër të tjera kandidati për president Bujar Osmani.

Ndërkaq, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë me dije se shteti vendin e ka në BE dhe ka porositur që Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese.

“Data 24 prill është Referendum. Ne vendosim se a do të ecim përpara apo do të qëndrojmë në vendnumëro. Ne kemi zgjedhur rrugën e së ardhmes - integrimin. Sepse, alternativë tjetër nuk kemi. Nëse duam që njerëzit të jetojnë në paqe stabilitet dhe siguri, vendi duhet të anëtarësohet në BE”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka folur në superlativ për kandidatin e Frontit Europian për president. Ndërsa, koordinatori Bekteshi ka theksuar se Osmani nuk ka konkurrencë dhe se është zgjedhja e duhur dhe e dëshmuar tashmë në të gjitha nivelet për të qenë presidenti i parë shqiptar. ls/

Foto: MIA 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR