• e mërkurë, 03 korrik 2024

Osmani: Kemi formuar Shtabin e Krizës për t’i evakuuar shtetasit tanë nga Izraeli dhe rajoni pas sulmit nga Irani

Osmani: Kemi formuar Shtabin e Krizës për t’i evakuuar shtetasit tanë nga Izraeli dhe rajoni pas sulmit nga Irani

Shkup, 14 prill 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media, ka dënuar fuqishëm sulmin masiv të Iranit ndaj Izraelit gjatë natës së kaluar, i cili mund të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës në Lindjen e Mesme.

“E dënojmë këtë sulm siç i kemi dënuar edhe sulmet e mëparshme dhe siç do të dënojmë sulmet hakmarrëse eventuale që paralajmërohen. Dhuna shkakton dhunë dhe ky cikël i përsëritur hakmarrjeje e përshkallëzon në mënyrë të pakthyeshme situatën në rajon, e cila shumë lehtë mund të zgjerohet; Bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të çdo dhune, sepse nëse dhuna hakmarrëse nuk ndalet tani, situata do ta kalojë së shpejti pikën nga e cila nuk do të ketë kthim prapa” tha Osmani.

Osmani, siç thuhet në kumtesën e MPJ-së, iu referua edhe gjendjes shumë të rëndë të popullatës civile në Gaza, duke theksuar se Izraeli mban përgjegjësinë e vet për vuajtjet e civilëve e të cilën ne parimisht e dënojmë.

Njëherit, Osmani theksoi se nëse nuk parandalohen dinamikat e mëtutjeshme jashtëzakonisht negative, ka potencial të shndërrohet në luftë rajonale, e cila direkt ose indirekt do të ketë ndikim jashtë rajonit. Në të njëjtën kohë, ai shtoi se së bashku me agresionin aktual të Rusisë në Ukrainë, një tjetër krizë serioze ushtarake rajonale në Lindjen e Mesme mund të ketë implikime dramatike ndaj paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Gjithashtu, Osmani përkujtoi se Ministria e Punëve të Jashtme e ka evakuuar numrin më të madh të shtetasve tanë që kanë qenë në Izrael, me fluturim të organizuar në tetor të vitit të kaluar, por se një pjesë prej tyre kanë qëndruar sipas vendimit të tyre. Sipas të dhënave me të cilat disponon Ministria, në Izrael janë rreth 40-50 shtetas tanë, duke përfshirë edhe familjet e personelit tonë diplomatik në Tel Aviv.

“Dëshiroj t'ju informoj se vendimi i parë që mora këtë mëngjes ishte vendimi për formimin e një shtabi të krizës, kryesisht përgjegjës për organizimin e evakuimit të qytetarëve tanë nga Izraeli, dhe më gjerë nga Lindja e Mesme, nëse lind nevoja. Evakuimi do të varet nga dinamika e situatës në orët dhe ditët në vijim, si dhe qasshmëria e aeroportit në Tel Aviv, i cili gjatë orëve të mëngjesit të sotëm është vënë sërish në funksion, por punon me kapacitet të kufizuar. Rruga e vetme alternative është rruga tokësore përmes Jordanisë”, konfirmoi Ministri.

Osmani tha se personeli i Ambasadës është i sigurt dhe është në dispozicion të shtetasve tanë.

“Ftoj të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut në Izrael që të jenë në komunikim me Ambasadën tonë në Tel Aviv në numrin kudesatar+ 972 549 267 378, si dhe në telefonat kujdestar SOS të Ministrisë së Punëve të Jashtme (+389 75 273 732 / +389 75 268 736 ), me qëllim përgatitjen për evakuim të mundshëm”, tha Osmani

Ministria e Punëve të Jashtme dje u bëri apel shtetasve tanë që të shmangin udhëtimet që nuk janë të domosdoshme për në Izrael, Iran, Liban dhe territoret palestineze. bsh/

Foto: MPJ dhe MIA

QËNDRONI TË LIDHUR