• e hënë, 23 dhjetor 2024

OPEK përsëri e uli parashikimin për rritjen e kërkesës së naftës në vitin 2024 dhe 2025 

OPEK përsëri e uli parashikimin për rritjen e kërkesës së naftës në vitin 2024 dhe 2025 

 Vjenë, 14 tetor 2024 (MIA) - Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEK) në raportin e saj më të ri të publikuar sot për muajin tetor, përsëri uli parashikimin për rritjen e kërkesës globale për naftë në vitin 2024 dhe 2025.

 OPEK-u tani pret që kërkesa globale për naftë të rritet me 1.93 milionë fuçi në ditë këtë vit, që është ulje nga vlerësimi i shtatorit për rritjen e kërkesës prej më shumë se dy milionë fuçi në ditë. Rritja e rishikuar e kërkesës botërore është kryesisht pasojë e kërkesës më të dobët për produkte energjetike në Kinë.

 Siç thuhet, OPEK-u parasheh se rritja e kërkesës kineze të naftës këtë vit do të arrijë 580.000 fuçi në ditë, që paraqet një rënie krahasuar me vlerësimin e rritjes së kërkesës së shtatorit prej 650 mijë fuçi në ditë. Sipas parashikimeve të OPEK-ut, kontributin kryesor në rritjen e kërkesës për naftë në vitin 2024 do ta japin vendet që nuk janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

 Rritja e kërkesës në fjalë është ende mbi mesataren historike të rritjes së kërkesës prej 1.4 milionë fuçi në ditë, e vërejtur para pandemisë së koronavirusit, njoftoi karteli i naftës me seli në Vjenë.

 OPEK-u, gjithashtu, rishikoi pak parashikimin e tij për rritjen e kërkesës për naftë në vitin 2025 nga 1.74 milionë fuçi në ditë në 1.64 milionë fuçi në ditë. Në ndërkohë, në parashikim thuhet se rritja ekonomike botërore në vit do të arrijë në tre për qind dhe do të ulet lehtë në 2,9 për qind në vitin 2025.

 Sipas parashikimeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin rritje prej 2,5 për qind në vitin 2024 dhe 1,9 për qind në vitin 2025, ndërsa Eurozona do të duhet të kënaqet me një rritje më modeste prej 0,8 për qind këtë vit dhe 1,2 për qind vitin e ardhshëm. Kina do të vërej rritje të BPV-së këtë vit për 4,9 për qind këtë vit dhe 4,6 për qind vitin e ardhshëm, ndërsa India për 6,8 për qind këtë vit dhe 6,3 për qind në vitin 2025, njoftoi OPEK-u në faqen e saj të internetit. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR