• e shtunë, 28 shtator 2024

Nikollovski: Stacioni i kompresorit punon pa ndërprerë, klinikat mund të thonë pse nuk funsionojnë sallat kirurgjikale

Nikollovski: Stacioni i kompresorit punon pa ndërprerë, klinikat mund të thonë pse nuk funsionojnë sallat kirurgjikale

Shkup, 3 qershor 2024 (MIA ) - Stacioni i kompresorit punon pa ndërprerje. Klinikat që përdorin salla për intervenime kirurgjike mund të tregojnë se cili është problemi, thonë nga Shërbimet e përbashkëta të Qendrës Klinike.

Udhëheqësi i sektorit për shërbime teknike në "Shërbime të përbashkëta" Stojçe Nikollovski sot në deklaratë për media tha se stacioni i kompresorit ka punuar pa ndërprerje në dy muajt e fundit dhe se është kompetencë e klinikave që ta zbulojnë nga vjen era e keqe.

"Ne jemi përgjegjës vetëm për aspektin teknik të rrymës, ujit, kanalizimit, gazrave dhe fushave tjera të cilat i mbulon Departamenti për çështje teknike, në kuadër të Shërbimeve të përbashkëta", nënvizoi Nikollovski, duke shtuar se sot ka arritur përfaqësuesi i kompanisë gjermane për të bërë një hulumtim të jashtëzakonshëm.

Nikollovski tha se për momentin të gjitha klinikat shërbehen me dy kompresorë dhe se ata punojnë pa ndërprerje.

"Para dy muajsh ka pasur një defekt të vogël, i cili ka zgjatur dy ditë. Ka qenë një ndërprerje për arsye të justifikuara objektive. Në stacionin e kompresorit, për ata që dinë më pak, janë tre kompresorë të tillë që funksionojnë njëkohësisht. Njëri ka pasur një defekt rreth dy muaj më parë dhe është nxjerrë jashtë shërbimit. Për momentin janë duke punuar dhe të gjitha klinikat shërbehen me dy kompresorë. Ato punojnë pa ndërprerje në vazhdimësi gjatë gjithë kësaj periudhe. Për momentin, përdoret ajri i kompresuar", theksoi Nikollovski.

Ai përkujtoi se nga kompanitë që e bëjnë shërbimin, është kërkuar mendim dhe se sot ka arritur një përfaqësues nga kompania gjermane për një hulumtim tjetër të jashtëzakonshëm.

"Nëse e gjejnë shkaktarin në pjesën tonë, do të na thonë rekomandimet neve, përderisa arsyeja është në sallat e operacionit, do të japin rekomandime për klinikat. Në hulumtimet e deritanishme u konstatua se është i dëshirueshëm ndërrimi i kompresorëve", tha Nikollovski.

I pyetur nëse instalimi duhet të ndryshohet, ai tha se këtë duhet ta thonë ata që bëjnë analizën.

Ai sqaroi se sipas njohurive të tij, blloku kirurgjik është projektuar rreth vitit 1986 dhe është lëshuar në përdorim rreth vitit 1991, ndërsa ndërkohë ka pasur zgjerime dhe mbindërtime.

Sallat e operacionit të klinikave kirurgjikale nuk funksionojnë prej 17 ditësh, ndërsa ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri, javën e kaluar në konferencë për media deklaroi se këto salla janë të vjetra rreth 30 vite. Me 30 mars, Ministria e Shëndetësisë ka informuar se ministri i ka dërguar shkresë deri tek Qeveria. rq/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR