Statistikat dëshmojnë ndryshime sociale dhe demografike, rritje ekonomike dhe tendenca sociale për tetë dekada
- Statistikat zyrtare për tetë dekada janë dëshmitarë të ndryshimeve sociale, rritjes ekonomike, ndryshimeve demografike, trendeve sociale dhe çdo përpjekje si shtet për të ndërtuar një të nesërme më të mirë. Këtë e tregojnë të dhënat e mbledhura në mënyrë manuale, platformat digjitale, nga regjistri vjetor statistikor i bazuar në letër e deri te hapja e bazave të të dhënave në dispozicion të të gjithë qytetarëve, thotë drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Dejan Stankov, në intervistën e MIA-s me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Statistikës.
- Post By Besnik Shuki
- 17:59, 1 qershor, 2025
Shkup, 1 qershor 2025 (MIA) – Statistikat zyrtare për tetë dekada janë dëshmitarë të ndryshimeve sociale, rritjes ekonomike, ndryshimeve demografike, trendeve sociale dhe çdo përpjekje si shtet për të ndërtuar një të nesërme më të mirë. Këtë e tregojnë të dhënat e mbledhura në mënyrë manuale, platformat digjitale, nga regjistri vjetor statistikor i bazuar në letër e deri te hapja e bazave të të dhënave në dispozicion të të gjithë qytetarëve, thotë drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Dejan Stankov, në intervistën e MIA-s me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Entit Shtetëror të Statistikës.
Viti 2025 është shpallur vit i statistikave të Maqedonisë dhe me atë rast në një intervistë për MIA-n, drejtori i statistikave Stankov thotë se gjatë këtij viti paralelisht po organizohen disa ngjarje, aktivitete dhe punëtori me qëllim të rritjes së vetëdijes për rëndësinë e të dhënave zyrtare statistikore dhe përdorimin e tyre në vendimmarrje dhe strategji.
I pyetur se pse është e rëndësishme të përdoren të dhënat zyrtare statistikore, Stankov thotë se një vendim i mirë fillon me një analizë të saktë statistikore.
“Është mirë që vendimet tona në jetën e përditshme, si pronarë të kompanive, ashtu edhe si pjesë e komunitetit akademik, t'i marrim në bazë të dëshmive dhe fakteve dhe nuk ka fakte më të besueshme se ato që Enti Shtetëror i Statistikës prodhon dhe publikon në ueb faqen e tij”, tha Stankov.
Në mënyrë që të dhënat statistikore të njihen si zgjedhja e parë gjatë përdorimit të të dhënave, Stankov thekson se ESHS së fundmi ka një uebsajt të ri të modernizuar, një qasje të personalizuar për mbledhjen dhe menaxhimin e të dhënave, riemërtimin dhe një identitet të ri vizual.
“Njëkohësisht jemi prezentë në rrjetet sociale dhe po punojmë për forcimin e partneritetit me studentët. Ekspertët tanë janë të pranishëm në leksionet në fakultete dhe së bashku me studentët dhe në bashkëpunim me komunitetin akademik kemi zhvilluar një logo të re dhe një slogan të ri me rastin e 80 vjetorit. Paralelisht filluam ndërtimin e një identiteti të ri vizual, që do të thotë se përveç faqes së re dhe URL-së së re, domeni ynë është stat.mk dhe e gjithë kjo është pjesë e procesit të afrimit të të dhënave statistikore me publikun”, thotë Stankov.
Vërtetim për cilësinë dhe përputhshmërinë e të dhënave tona statistikore me ato evropiane, thotë Stankov, është fakti se të dhënat tona i nënshtrohen edhe një procesi transmetimi dhe vërtetimi nga Eurostat, që do të thotë se janë të dhëna të cilësisë së duhur në krahasim me vendet anëtare të BE-së dhe në të njëjtën kohë si shtet jemi anëtar i standardit më të lartë statistikor të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Në pjesën e Raportit të Progresit të KE-së për vitin 2024 për kapitullin 18, thuhet se vendi në fushën e statistikave është në mes të një niveli të moderuar dhe të mirë të zhvillimit dhe është konstatuar përputhshmëri e lartë në infrastrukturën statistikore dhe është shënuar progres shtesë”, thekson Stankov.
Statistikat janë një objektiv lëvizës, ai vazhdimisht ndryshon dhe kërkesat e BE-së në fushën e të dhënave statistikore janë në rritje, duke theksuar se tradicionalisht në raportet e KE-së theksohet se Enti i Statistikave duhet të ketë personel adekuat dhe nevojiten investime shtesë të burimeve.
“Është fakt se në periudhën e kaluar kapaciteti institucional i institutit është ulur, si pasojë e largimit të stafit për arsye objektive dhe subjektive. Kjo është një nga sfidat më të mëdha për institutin në periudhën e ardhshme, por edhe nevoja për investime të duhura në infrastrukturën statistikore dhe IT dhe zbulimin e mundësive që ofron tani procesi i digjitalizimit”, tha Stankov.
Enti Shtetëror i Statistikës, Stankov thekson se po mundohet të jetë në hap me vendet moderne evropiane, dhe thekson se këtë vit po fillojnë një proces të rinovimit të plotë të infrastrukturës informative në zyrë.
Në kuadër të shënimit të këtij përvjetori të rëndësishëm, Enti Shtetëror i Statistikave organizon nesër, më 2 qershor, një akademi ceremoniale, në të cilën, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë përfaqësues të 12 agjencive statistikore evropiane.
Ngjarja është e ndarë në dy panel diskutime. Paneli i parë ka të bëjë me procesin e harmonizimit të legjislacionit vendas me legjislacionin evropian në fushën e statistikave dhe rëndësinë e të dhënave zyrtare statistikore në procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa paneli i dytë ka të bëjë me atë se ku po shkojnë statistikat kombëtare dhe evropiane në dekadat e ardhshme në procesin e digjitalizimit dhe mundësitë që ofron inteligjenca artificiale.
Aleksandar Atanasov
Sërgjan Kërstiq
Frosina Naskoviq - foto