Në 24 orët e fundit në Gaza janë vrarë 46 palestinezë, nga fillimi i luftës 36.096
- Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës sot kumtoi se të paktën 46 palestinezë janë vrarë në 24 orët e fundit, dhe se numri i viktimave në territor gjatë më shumë se shtatë muajve të luftës ka arritur në 36,096, raportojnë mediat izraelite.
- Post By Sara Ademi
- 15:16, 28 maj, 2024
Gaza, 28 maj 2024 (MIA) - Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës sot kumtoi se të paktën 46 palestinezë janë vrarë në 24 orët e fundit, dhe se numri i viktimave në territor gjatë më shumë se shtatë muajve të luftës ka arritur në 36,096, raportojnë mediat izraelite.
Ministria, gjithashtu, theksoi se në spitalet e Gazës janë identifikuar rreth 24.000 nga këto viktima të theksuara.
Në kumtesën e Ministrisë palestineze shtohet se nga fillimi i luftës ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, më 7 tetor të vitit të kaluar, në Gaza janë plagosur 81.136 persona.
Mediat izraelite raportojnë se bilanci i të vdekurve, që nuk mund të konfirmohet, përfshin rreth 15.000 "operativë terrorist", për të cilët Izraeli thotë se janë vrarë në luftime.
Izraeli, gjithashtu pretendon se rreth 1.000 ekstremistë janë vrarë në Izrael më 7 tetor dhe se 288 ushtarë u vranë në ofensivën tokësore kundër Hamasit dhe në operacionet përgjatë kufirit me Gazën. sa/
foto: Arkivi i MIA-s