• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Mucunski - Berbok: Gjermania është partner kyç politik dhe ekonomik dhe mbështetës i fortë i eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut

Mucunski - Berbok: Gjermania është partner kyç politik dhe ekonomik dhe mbështetës i fortë i eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut

Shkup, 15 tetor 2024 (MIA) - Ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski sot në Berlin realizoi takim bilateral me ministren federale të Punëve të Jashtme të Republikës federale të Gjermanisë, Analena Berbok.

Siç bëjnë të ditur nga MPJ, ky është takim i parë zyrtar i dy ministrave pasi Mucunski mori postin ministror.

Në fokus të bisedimeve në takim kanë qenë marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe ekonomike mes dy vendeve dhe partneriteti i fuqishëm në 30 vitet e fundit që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, për mbështetjen e Gjermanisë në rrugën tonë të eurointegruese si dhe për tema të tjera aktuale nga perspektiva e sigurisë rajonale dhe evropiane.

Ministri Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të Gjermanisë për progresin e vendit në rrugën drejt BE-së, si dhe përkushtimin e Gjermanisë në përshpejtimin e procesit të përgjithshëm të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kuadër të iniciativës së Procesit të Berlinit.

"Gjermania është lidere e perspektivës evropiane të vendit tonë dhe gjithë rajonit, ndërsa fokusi i fuqishëm në zbatimin e reformave mbetet në qendër të angazhimit të qeverisë së re", ka thënë Mucunski.

Shefi i diplomacisë së Maqedonisë theksoi gjithashtu se Gjermania është partner kyç politik dhe ekonomik i vendit tonë dhe një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë në vitet e fundit, ndërsa shprehu pritshmërinë e tij për forcimin e mëtejmë të partneritetit ekonomik mes dy vendeve dhe rritjen e këmibimit tregtar përmes formave të reja të bashkëpunimit të ndërsjellë.

Ministri shprehu bindjen se zhbllokimi i procesit të integrimeve me mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare dhe fillimi i menjëhershëm i negociatave jo vetëm që do të forcojë agjendën e reformave evropiane në rajon, por do ta bëjë edhe shumë më rezistent ndaj ndikimeve të vendeve të treta, ndërsa theksoi se zhbllokimi i procesit tonë të integrimit është çështje me interes strategjik dhe sigurisë, si për rajonin, ashtu edhe për angazhimet e përhershme të BE-së.

Duke folur për integrimet evropiane dhe perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Berbok theksoi se vetëm Bashkimi Evropian i unifikuar i cili nuk do të bllokohet nga shtetet anëtare, mund që në kohë krize peshën e tij të plotë ta vendos mbi politikën globale.

“Për ne, si Gjermani, është veçanërisht e rëndësishme të avancojmë në shumicë të kualifikuar, jo vetëm në vendimmarrje unanime, që do të thotë se në procesin e anëtarësimit mund të vendosim me shumicë dhe jo vendimmarrje unanime”, theksoi Berbok.

Duke potencuar mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe faktin se qeveria e vendit avancon në procesin reformues, ministrja gjermane Berbok ka përmendur rëndësinë e reformave në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

Foto: MPJTJ

 

QËNDRONI TË LIDHUR