• e diel, 22 dhjetor 2024

MPJ: Për incidentin në ekspozitën e artistit maqedonas janë njoftuar Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Selanik dhe Ambasada në Athinë

MPJ: Për incidentin në ekspozitën e artistit maqedonas janë njoftuar Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Selanik dhe Ambasada në Athinë

Shkup, 27 prill 2023 (MIA) - Për incidentin në Selanik, kur  gjatë ekspozitës së artistit Sergej Andreevski, në galeri, kanë hyrë një grup personash të maskuar, të cilët me sjellje verbale të pahijshme dhe vulgare kanë tentuar ta ndalojnë ekspozitën, e më pas janë larguar, janë njoftuar Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Selanik dhe Ambasada në Athinë, bëri të ditur MPJ-ja.

"Ndonëse nuk kanë demonstruar dhunë fizike apo dëme materiale, për shkak të kërcënimeve dhe sulmeve verbale është thirrur policia dhe është informuar plotësisht për ngjarjen. Për incidentin janë njoftuar Konsullata e Përgjithshme e Maqedonisë së Veriut në Selanik dhe Ambasada në Athinë, të cilat menjëherë i kanë kontaktuar autoritetet kompetente të Greqisë, ndërsa për incidentin është njoftuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme greke", thekson MPJ-ja.

 Ministria shton se gjatë ditës së sotme në MPJ është thirrur Ambasadorja greke, Sofia Filipidu, me çka edhe formalisht do të shprehen pritshmëritë nga fqinji ynë që të ndërmerren të gjitha masat për zbardhjen e rastit.

 Me maska ​​në fytyrë, kapele dhe kapuç për t'i fshehur fytyrat e tyre, një grup anëtarësh të "Agimit të Artë", i cili me vendim gjykate është shpallur organizatë kriminale, kanë hyrë në galerinë e Komunës së Selanikut Kalamaria ku është në vazhdim ekspozita e artistit maqedonas Sergej Andreevski, lajmëroi paraprakisht  korrespondentja e MIA-s nga Athina.

 Në një video të publikuar të të ashtuquajturit “Fronti Rinor – Agimi i Artë” pretendohet se “Agimi i Artë e vulosi ekspozitën e Shkupit në Kalamaria” dhe shtohet se nuk pranojnë asnjë kompromis për “karakterin grek të Maqedonisë”, se bëhet fjalë për një “tallje dhe fyerje të dukshme ndaj ndjenjës kombëtare të maqedonasve”, prandaj është dashur të “ndërhyjnë” dhe mbi të gjitha t’u dërgojnë mesazh autoriteteve greke se “provokimet e tilla nuk mbeten pa përgjigje”. 

"Agimi i Artë" si parti politike në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2019 ishte pjesë e Parlamentit grek, ndërsa me vendim gjykate nga viti 2020 është shpallur organizatë kriminale dhe kryesia e saj, ish-deputetë dhe anëtarë, vuajnë tashmë tre vite burg.

Ekspozita “Vepra të paekspozuara në letër” të artistit  Sergej Andreevski u hap solemnisht të premten në Selanik, në prani të një numri të madh vizitorësh, ndërsa artisti, duke përcjellë përshtypjet e tij për MIA-n, dje theksoi se arti nuk njeh kufij. gjuha e saj është universale. ar/

 

QËNDRONI TË LIDHUR