• e hënë, 02 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mickoski takon Orbanin, tema të takimit forcimi i bashkëpunimit dhe perspektivat evropiane të vendit

Mickoski takon Orbanin, tema të takimit forcimi i bashkëpunimit dhe perspektivat evropiane të vendit

Budapest, 4 mars 2025 (MIA) - Me intonimin e himneve kombëtare dhe nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, kryeministri Hristijan Mickoski dhe delegacioni qeveritar që ai drejton, u pritën sot në Budapest në pllajën e Pallatit Mbretëror nga kryeministri hungarez Viktor Orban.

Të dy kryeministrat kanë mbajtur një takim tet-a-tet, ndërsa në vijim është seanca e përbashkët plenare e dy qeverive, pas së cilës Mickoski dhe Orban do të mbajnë konferencë të përbashkët për shtyp, njoftoi raportuesi special i MIA-s nga Budapesti.

Kryeministri Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk ka njoftuar se në kuadër të samitit është takuar me kryeministrin Orban.

“Diskutuam për çështje kyçe me interes të ndërsjellë, forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimet, energjinë, infrastrukturën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë”, ka shkruar Mickoski në Fejsbuk. 

Samiti i qeverisë filloi dje me takimin e ministrave të politikës së jashtme dhe tregtisë Timço Mucunski dhe Peter Sijarto. Sijarto theksoi edhe një herë mbështetjen që Hungaria po i jep vendit tonë për anëtarësimin në BE dhe akuzoi se “një numër i madh vendesh sillen në mënyrë hipokrite”.

"Ne vazhdimisht dëgjojmë se vendimi për anëtarësim në BE duhet të bazohet në meritë dhe Hungaria pajtohet me këtë, por ky parim duhet të zbatohet për të gjithë. Nuk mund të konsiderohet meritë nëse ka mosmarrëveshje midis një shteti anëtar të BE-së dhe një vendi kandidat. Siç e keni parë, ne gjithmonë kemi avokuar për anëtarësim të plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE", tha Sijarto.

Kryeministri Hristijan Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk publikoi se në kuadër të samitit është takuar me kryeministrin Viktor Orban.

Lidhur me integrimet evropiane, Mucunski vlerësoi se vendi ndodhet në një udhëkryq vendimtar, sepse edhe përkundër vendimeve të shumta të vështira dhe të pazakonta të marra, me shpresën se do ta realizojmë ëndrrën për anëtarësim në familjen evropiane, ne ende jemi në dhomën e pritjes së BE-së.

"Pas të gjitha lëshimeve të vështira nga ana jonë dhe premtimeve të kamotshme nga partnerët tanë evropianë, ne jemi ende në dhomën e pritjes dhe kemi një rrugë të pasigurt përpara, e kushtëzuar me ndryshimet kushtetuese dhe një sërë kërkesash të tjera dypalëshe të vendosura nga fqinji ynë, Bullgaria. Pavarësisht sfidave serioze me të cilat përballemi, ne duam të besojmë se duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet tona politike dhe diplomatike, objektivi që Evropa vendos është realisht i arritshëm – të bëhemi anëtar i barabartë i familjes së përbashkët, demokratike dhe të begatë evropiane deri në vitin 2030", tha Mucunski.

Hungaria konsiderohet si një mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE-së dhe e aspiratave tona për anëtarësim të plotë në Union. Të dy vendet janë gjithashtu partnerë brenda NATO-s. Hungaria dhe Maqedonia e Veriut ishin gjithashtu bashkë-sponsorizues të Rezolutës së SHBA-së në OKB për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit në Ukrainë. Të dy vendet festojnë këtë vit 30 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike. Përvjetori i tre dekadave është në shenjën e shkëmbimit të suksesshëm ekonomik dhe tregtar. Hungaria është ndër dhjetë partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe investues në Maqedoninë e Veriut. ls/

Foto: Profili në Fejsbuk i Mickoskit

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR