Mickoski: Qeveria funksionon e bashkuar, shumica është stabile
- Qeveria funksionon e bashkuar, si e vetme. Shumica është stabile dhe ka mbështetje të pastër prej dy të tretave në Kuvendin e Maqedonisë, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
- Post By Fami Bajrami
- 13:16, 6 prill, 2025

Tetovë, 6 prill 2025 (MIA) - Qeveria funksionon e bashkuar, si e vetme. Shumica është stabile dhe ka mbështetje të pastër prej dy të tretave në Kuvendin e Maqedonisë, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski.
I pyetur për informacionet se Arben Taravari do të largohet nga koalicioni VLEN, Mickoski tha se në opinion ka shumë informacione dhe se do të përmbahet nga çfarëdo lloj komenti.
"Do të thoja vetëm se Qeveria funksionon e bashkuar. Kjo Qeveri ka një mbështetje të pastër prej dy të tretash në Kuvendin e Maqedonisë, realisht e mbështesin 78 deputetë", ka thënë Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në Komunën e Tetovës.
E kuptoj, tha Mickoski, pse ka shqetësim në opinion, por për dallim nga e kaluara shumica është stabile.
"Për dallim nga e kaluara, kur shumica ishte në këmbë të qelqta, kësaj radhe është stabile dhe duhet ta lëmë Qeverinë të punojë si deri tani", tha Mickoski.
Lidhur me akuzat e BDI-së, Mickoski tha se "sa më shumë funksionarë të BDI-së të kapen në krim, derisa kanë kryer detyrat e tyre në të kaluarën, aq më shumë do të ashpërsohet retorika e tyre".
"Dëshmuam se punojmë në mënyrë joselektive dhe kështu do të vazhdojmë. Për këtë Qeveri, në pothuajse 26 mijë kilometra katrorë, çdo kilometër katror është i rëndësishëm, pavarësisht nëse atje jetojnë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllahë, romë, boshnjakë e tjerë. Pa dallim nëse është kryebashkiak i VLEN-it, VMRO-DPMNE-së, ZNAM-it, BDI-së, LSDM-së apo ndonjë i pavarur, interesi ynë janë qytetarët", ka thënë Mickoski.
Deklaratën e Ali Ahmetit se shqiptarët në vend janë të degraduar, Mickoski e cilësoi si të pabazë, sepse siç tha ai, “kjo Qeveri ka shumë suksese për të gjithë qytetarët”.
"Ne nuk i ndajmë qytetarët ashtu, kemi një shoqëri multietnike të cilën duhet ta ushqejmë dhe të vazhdojmë në atë drejtim. Qytetarët i ndajmë në ata që janë lojal, të ndershëm dhe që shtojnë vlerën, që respektojnë ligjet dhe Kushtetutën dhe ata që nuk i respektojnë dhe duhet t'u përgjigjen atyre ligjeve dhe Kushtetutës. Këtu nuk ka ndarje etnike apo politike", ka thënë Mickoski.
Foto: printskrin