Mickoski: Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale presim që fitorja të rrumbullakoset me rreth gjashtëdhjetë kryetarë komunash
- – Kryetari i Qeverisë, Hristian Mickoski sot potencoi se partia e tij VMRO-DPMNE dhe koalicioni tani janë të fokusuar në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, kur pritet që fitorja të rrumbullakoset me gjashtëdhjetë kryetarë komunash dhe Qytetin e Shkupit, si dhe në kongresin e partisë në dhjetor.
- Post By Fitore Curri
- 13:09, 27 tetor, 2025
Shkup, 27 tetor 2025 (MIA) – Kryetari i Qeverisë, Hristian Mickoski sot potencoi se partia e tij VMRO-DPMNE dhe koalicioni tani janë të fokusuar në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, kur pritet që fitorja të rrumbullakoset me gjashtëdhjetë kryetarë komunash dhe Qytetin e Shkupit, si dhe në kongresin e partisë në dhjetor.
“Tani jemi të fokusuar në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Pres që VMRO-DPMNE dhe koalicioni të fitojnë në të gjitha komunat ku ka kandidatë për kryetar komunash në rrethin e dytë. Tashmë kemi fitore në këshillat në 58 komuna, 33 kryetarë komunash janë zgjedhur tashmë. Kanë mbetur edhe 26, aq sa janë në rrethin e dytë. Le ta rrumbullakosim këtë proces së bashku me Qytetin e Shkupit dhe Këshillin, rreth gjashtëdhjetë komuna plus kryeqytetin dhe gjithçka tjetër. Pas kësaj, ka një proces nëpër të cilin do të ecim. Kongresi ynë partiak është në dhjetor, kështu që ju ftoj të ndiqni ngjarjet që do të zhvillohen”, tha Mickoski.
Në pyetjen e gazetarëve kryeministri konfirmoi se ka pasur takim me një nga liderët e VLEN-it, i cili është kandidat për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
“Po. Unë u takova me Bilall Kasamin. Biseduam. Dhe mendoj se ai tashmë filloi t’i dërgojë ato deklarata të vërteta të cilat i kanë hije një kryetari të komunës së Tetovës multietnike”, tha Mickoski.
Në pyetjen si do ta komentojë deklaratën e kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe se Qeveria punon në mënyrë katastrofale, kryeministri Mickoski tha se është normale si lider i opozitës ta vlerësojë ashtu punën e Qeverisë, por se asnjëherë nuk gjykon për udhëheqjen e tij për periudhën e njëjtë në LSDM.
“Venko Filipçe është kryetar i asaj që është ende partia më e madhe opozitare në Maqedoni. Është normale që ai ta vlerësojë Qeverinë në këtë mënyrë sepse mendon se në këtë mënyrë do të fitojë mbështetje nga elektorati i tij dhe qytetarët. Ai e vlerëson Qeverinë për punën e saj për një vit e gjysmë dhe jep mendimin e tij, por kurrë nuk jep mendimin e tij për udhëheqjen e tij për të njëjtën periudhë në LSDM. Nëse thotë se ajo periudhë është shumë e shkurtër për të vlerësuar punën e tij, atëherë si e gjen të përshtatshme të vlerësojë Qeverinë për të njëjtën periudhë. Deklaratat bien ndesh me njëra-tjetrën, nuk mendoj se kjo është porosia e duhur që duhet të dërgojë LSDM”, tha Mickoski. fc/
Foto: MIA