• e mërkurë, 04 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mickoski: Hetimin për tragjedinë në Koçan e udhëheq prokurori publik dhe jo Qeveria, ai vendos se cilët persona do të përfshihen

Mickoski: Hetimin për tragjedinë në Koçan e udhëheq prokurori publik dhe jo Qeveria, ai vendos se cilët persona do të përfshihen

Shkup, 24 prill 2025 (MIA) - Ne si pushtet ekzekutiv do të veprojmë me urdhër të Prokurorisë publike dhe në koordinim me gjykatën. Hetimin e bënë prokurori publik, jo unë. Prokuroria publike, së bashku me gjykatën vendosin se çfarë masa dhe cilët persona do të përfshihen dhe nëse duhet të ndalohen zyrtarë të lartë të qeverisë, tha sot nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Hristijan Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e deputetëve se deri ku është hetimi për ngjarjen tragjike në Koçan. 

Në seancën e sotme parlamentare kushtuar pyetjeve të deputetëve, deputeti i LSDM-së, Mitko Trajçulleski i bëri pyetje Mickoskit e cila i referohej tragjedisë në Koçan. Ai parashtroi pyetje se deri ku është hetimi dhe nëse do të ketë përgjegjësi morale lidhur me tragjedinë e cila u mori jetën 62 të rinjve dhe mbi 100 u lënduan. 

"Pas më shumë se një muaji mund të konkludojmë qartë se tek funksionarët më të lartë të qeverisë nuk ekziston një moral vertikal, nuk ekziston ndjenja e përgjegjësisë morale dhe prandaj sot nuk kemi një dorëheqje të vetme për shkaqe morale. Kjo është dështuese për një qeveri pas një fatkeqësie të përmasave të tilla dhe me një numër kaq të madh jetësh të humbura. Por për moralin nuk diskutohet, njeriu ose e ka ose nuk e ka. Konkluzioni i dytë është kryerja e një hetimi selektiv që në thelb duhet të mbrojë titullarët aktualë të posteve të larta në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe institucione të tjera nga përgjegjësia e tyre. Pyetja ime është nëse zbehja e vetëdijshme dhe tendencioze e hetimit ka për qëllim pengimin e drejtësisë dhe mbrojtjen e zyrtarëve aktualë të cilët janë drejtpërdrejt përgjegjës për shkaqet e zjarrit”, tha Trajçulleski.

Kryeministri Mickoski u përgjigj se hetimin për tragjedinë në Koçan e udhëheq prokurori publik, e jo Qeveria. Për pesë muaj nga sot do të fillojë fushata për zgjedhjet lokale. Qytetarët do ta thonë se kujt do t’i përfundojë karriera politike, karriera politike e kujt do të vazhdojë dhe në çfarë formati do të vazhdojë. Hetimin është duke e udhëhequr prokurori publik. Jo unë, as Qeveria. Nëse prokurori publik vendos që duhet mua të më arrestojnë, le të më arrestojnë pikërisht në atë moment. Nëse prokurori publik vendos se duhet të shkoj në burg, do të shkoj”, ka thënë Mickoski.

Siç ka shtuar ai, nuk e di se cilët persona do të përfshihen në hetim, kjo është pyetje që duhet t'i parashtrohet prokurorit publik.

“Gjithsej 68 persona deri tani janë përfshirë në hetimin nga ana e prokurorit publik. Ndryshe nga Spitali modular ku u dogjën njerëzit të gjallë, Llaskarca, Besa trans, ku vdiqën 75 bashkëqytetarë tanë. Atëherë kishte zero të akuzuar. A do të jenë 68 apo 168 nuk e di, këtë do ta thotë Prokuroria, jo unë. Nuk e them unë, nuk e thotë ministri i Punëve të Brendshme. Prokuroria së bashku me gjykatën cakton se cilat masa dhe cilët persona do të përfshihen. Nëse një prokuror thotë se duhet të arrestojë dhe ndalojë zyrtarë të lartë nga kjo qeveri, kjo do të respektohet. Në fund të ditës një anëtar i Qeverisë është në paraburgim. Në kohën tuaj ishte një mision i pamundur”, ka thënë Mickoski.

Ai theksoi se po veprojnë të njëjtët prokurorë dhe gjykatës të zgjedhur nga LSDM-ja.

“Në këtë aspekt është e detyrueshme të dihet nëse lokali ka licencë ose jo, këtë duhet ta dijë organi që e lëshon, konkretisht Ministria e Ekonomisë. Ata kanë pasur licencë, por fakti që nuk ka qenë legale është çështje tjetër, siç nuk kanë qenë legale edhe licencat e tjera të lëshuara nga ky organ. Për veprimet e ndërmarra me urdhër të Prokurorisë dhe gjykatës, kryebashkiaku aktual ndodhet në paraburgim. Kur flasim për moral, etikë dhe kryerjen e hetimeve dhe trajtimin e tyre, të paktën ju nuk keni të drejtë të flisni. Duhet t'i lëmë familjet dhe prindërit, sepse dhimbja dhe pikëllimi për ta është i madh”, ka thënë Mickoski. qa/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR