Adnan Azizi zgjidhet shef i Shtabit qendror zgjedhor të VLEN-it për zgjedhjet lokale
- VLEN sonte në Shkup promovoi Shtabin qendror zgjedhor në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, ndërsa Adnan Azizi është zgjedhur për shef të shtabit.
- Post By Fami Bajrami
- 19:44, 3 qershor, 2025
Shkup, 3 qershor 2025 (MIA) - VLEN sonte në Shkup promovoi Shtabin qendror zgjedhor në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, ndërsa Adnan Azizi është zgjedhur për shef të shtabit.
"Sot jemi këtu për të promovuar themelimin e Shtabit qendror të VLEN-it. Me këtë organ edhe një herë konfirmojmë se VLEN po unifikohet si një subjekt i përbashkët për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet lokale në vjeshtë. Për shef shtabi të VLEN-it është zgjedhur deputeti Adnan Azizi", deklaroi sonte në Shkup, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibraimi.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se kur do të formohet VLEN si parti, Ibraimi tha se deri tani këtë e kanë diskutuar disa herë.
"Është çështje që ka edhe aspekte juridike, si dhe aspekte politike, por kjo është më pak e rëndësishme, sepse është në sferën e administratës. VLEN tashmë funksionon si një subjekt i përbashkët", ka thënë Ibraimi.

I pyetur se kush është lideri i VLEN-it, ai tha se ende nuk është diskutuar për këtë.
"Kjo ende nuk është diskutuar në VLEN, por sidoqoftë nuk janë të rëndësishëm emrat personal në krahasim me VLEN-in si subjekt politik", shtoi Ibraimi para aktivitetit të mbajtur në Filarmoni.
Foto dhe video: MIA