• e premte, 05 dhjetor 2025

Nikolloski: Javën e ardhshme do të formojmë Trup koordinues dhe zyrtarisht fillojmë realizimin e Marrëveshjes me Britaninë e Madhe

Nikolloski: Javën e ardhshme do të formojmë Trup koordinues dhe zyrtarisht fillojmë realizimin e Marrëveshjes me Britaninë e Madhe

Shkup, 3 qershor 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski paralajmëroi sonte se në fillim të javës së ardhshme do të formohet Trup koordinues për realizimin e Marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar për partneritet për realizimin e projekteve infrastrukturore.

"Të martën e ardhshme do të formojmë Trup koordinues për realizimin e Marrëveshjes me Mbretërinë e Bashkuar. Ministria e Financave do të fillojë procesin e sigurimit të financave dhe sigurojmë se do të zgjedhim opsionin më të favorshëm për financimin e projekteve", tha zëvendëskryeministri Nikolloski në intervistën e sontme për "Top tema".

Ai shtoi se deri të premten duhet të përpilohet projekti i parë kapital, që është hekurudha e shpejtë nga Tabanoci në Gjevgjeli.

Pres që deri të martën të jemi gati me projektin e parë inicial që është hekurudha e shpejtë nga Tabanoci në Gjevgjeli. Qeveria duhet ta ngarkojë Ministrinë e Financave për detyrën për të siguruar financimin e projektit. Hapi tjetër do të jetë që Ministria e Financave t'u dërgojë një kërkesë për financim të gjitha institucioneve financiare ndërkombëtare relevante përmes një dialogu transparent dhe konkurrues dhe ato të konkurrojnë midis veti se kush do të ofrojë kushtet më të mira të financimit.

Në procedurën e mëtejshme, siç tha zëvendëskryeministri Nikolloski do të zgjidhet kontraktuesi sipas Ligjit për furnizim publik.

"Teorikisht, nëse do të ishte Britania e Madhe, atëherë zgjidhet Britania e Madhe si financuese e projektit dhe hyjmë në realizimin e projektit duke zgjedhur një kontraktues përmes Ligjit tonë për furnizim publik i cili përcakton qartë procedurën për zgjedhjen e një kontraktuesi për projekte kaq të mëdha. Kjo nuk është marrëveshje në katër sy, por nuk është as tender klasik ku mund të aplikojë kushdo. Duhet të vendosen kritere të qarta se kush mund të marrë pjesë, sepse projekti duhet të përfundojë dhe duhet të jemi serioz që të mos na ndodhë si Ohër - Kërçovë ose të ngjashme. Për të qenë më thjeshtë për publikun, do të ishte një dialog konkurrues me kompani që plotësojnë kushtet dhe ne do të vendosim kritere të përshtatshme", ka thënë Nikolloski.

Lidhur me marrëveshjet e Britanisë së Madhe me Turqinë dhe Serbinë, ai theksoi se ato janë marrëveshje klasike komerciale të ndjekura nga financimi me ndërtim, ndërsa në rastin tonë, shtoi ai, kemi një marrëveshje politike, marrëveshje e parë e tillë e nënshkruar në rajon e cila do të na ofrojë kushtet më të favorshme të financimit, thekson zëvendëskryeministri Nikolloski.

Ai sqaroi se deri në 20 për qind do të punojnë kompani nga Britania e Madhe, deri në 30 për qind do të instalohen komponentë gjithashtu nga Britania e Madhe.

"Punëtorët nuk janë të kufizuar, mund që të gjithë punëtorët që do të punojnë në projekte të jenë nga Maqedonia, ndryshe nga marrëveshja me Sinohidro për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër, ku thuhet që të paktën 51 për qind e punës të realizohet nga një kompani kineze dhe punëtorët të sillen nga Kina", tha Nikolloski. 

Foto: arkivi i MIA-s

 
  
 

QËNDRONI TË LIDHUR