• e premte, 14 mars 2025
MIA Flesh

12:00/12 mars/2025

Baku - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në Baku është takuar me kryetaren e Asamblesë parlamentare, Sahiba Gafarova. Siljanovska Davkova u nënshkrua Librin e kujtimeve në Kuvend dhe me Gafarovën shkëmbyen përvoja për funksionimin e shtëpive ligjvënëse, përfaqësimin e grave në radhët e deputetëve dhe funksioneve parlamentare, si dhe për mundësitë për bashkëpunim. Presidentja, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Azerbajxhan, do të takohet edhe me kryeministrin Ali Asadov.

Baku - Bota është në një krizë të thellë dhe kjo është thirrja e fundit që diçka të ndryshojë, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova në ligjëratën e saj dje pasdite para komunitetit akademik dhe studentëve të Universitetit ADA në Baku, gjatë vizitës së saj zyrtare në Republikën e Azerbajxhanit, njoftoi raportuesi i MIA-s. Sipas presidentes, në 80-vjetorin e krijimit të Kombeve të Bashkuara, bota po përballet me luftën në Ukrainë, kërcënimet e destabilitetit dhe migrimet masive. Theksoi se të gjithë mbajnë përgjegjësi për situata të tilla, si me veprime ashtu edhe me mosveprime.

Shkup - Në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Baku, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot pati një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov. Të dy ministrat shprehën kënaqësi për takimin, i cili është një konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve. Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Azerbajxhanit në nivel bilateral dhe multilateral.

Shkup - Ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski sot përmes një postimi në Fejsbuk njoftoi se është shpallur shpallje publike për pranimin e 300 ushtarëve të rinj profesionistë dhe shpallje për 10 nënoficerë në Armatë. Në një postim në Fejsbuk, Misajllovski paralajmëron se së shpejti edhe shpallje për pranimin e 60 personave me arsim të lartë në gradën e oficerit. "Kjo është një mundësi vërtetë e shkëlqyer për të gjithë të rinjtë dhe burra dhe gra të motivuara nga të gjitha bashkësitë etnike, të cilët dëshirojnë që karrierën e tyre të punës t'ia përkushtojnë mbrojtjes së paqes dhe sigurisë së shtetit dhe qytetarëve", ka shkruar Misajllovski, i cili sot është për vizitë në Batalionin e Parë të Këmbësorisë në kazermën "Çede Filipovski-Dame" në Kërçovë.

Shkup - Më 12 mars - Ditën Evropiane për ngritjen e vetëdijes për dhunën ndaj mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë, Oda e Mjekëve, si dhe Odat e mjekëve anembanë Evropës, bëjnë thirrje për veprim urgjent për trajtimin e dhunës me të cilën ballafaqohen profesionistët shëndetësorë dhe të pranishme në institucionet shëndetësore, thuhet në kumtesën e sotme të Odës. "Në vitin 2024, vetëm katër sulme janë raportuar në Odë. Në një rast mjeku është sulmuar fizikisht, në dy raste ka pasur sulm verbal me kërcënim me forcë dhe në një rast një mjek është ekspozuar ndaj ofendimeve në rrjetet sociale. Në të gjitha rastet, sulmet janë kryer nga një pacient ose nga anëtarët e familjes së ngushtë", theksojnë nga Oda e Mjekëve.

Shkup - LSDM-ja sot e përshëndeti veprimin e shpejtë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), me të cilin, siç thonë ata, ka formuar lëndë për rastin me ndeshjen e interesave, nepotizëm dhe korrupsion lidhur me tenderët e fituar nga bashkëshorti i sekretares shtetërore në Ministrinë e Transformimit Digjital. "Është më se e qartë se ministri Stefan Andonovski është i përfshirë dhe përgjegjës kryesor për këtë rast. Hapi i KSHPK-së është në drejtimin e duhur, por tani është radha e Prokurorisë Publike – drejtësia duhet të vendoset", thuhet në kumtesë.

Shkup - Gjykata Kushtetuese sot do ta mbajë seancën e 6-të, në rend dite të së cilës janë shtatë nisma për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë. Në rend dite është akti i kontestuar: Pjesa II "Pjesa e Përgjithshme" pika 5 nënpika 1 në pjesën "Popullsia gjithsej rezidente" përbëhet nga personat në vijim - Njësitë e regjistrimit" dhe nënpika 2 në pjesën "Totali i popullsisë jorezidente" përbëhet nga personat e mëposhtëm - njësitë e regjistrimit" të Metodologjisë për përgatitjen, organizimin dhe zbatimin e regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në  Republikën e Maqedonisë, në vitin 2021 ("Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut" nr. 30/2021)

Shkup - Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) do të konstatojë nëse ka konflikt interesi në rastin e tenderëve në Ministrinë e Transformimit Digjital. "Gjatë ditës së djeshme, pas raportimeve të mediave, Komisioni për Antikorrupsionit ka hapur rast me iniciativë të veten dhe do të vazhdojë që të konstatohet nëse ka konflikt interesi", deklaruan shkurt nga KSHPK për MIA-n. LSDM-ja opozitare të hënën akuzoi për konflikt interesi, nepotizëm dhe dyshime për korrupsion në Ministri në lidhje me dy prokurimet publike në vlerë prej 50 mijë euro që i ishin dhënë një kompanie në pronësi të bashkëshortit të sekretarit shtetëror në atë ministri. Mirëpo dje kanë bërë thirrje që Komisioni për Antikorrupsionit të veprojë urgjentisht për këtë rast.

Shkup - Më ftohtë sot në mëngjes është në Manastir, 4 gradë, ndërsa temperatura maksimale 13 gradë janë matur në Shtip dhe Demir Kapi. Më së shumti shi në 24 orët e fundit ka rënë në Ohër, tetë litra për metër katror. Sipas DPHM-së, deri në orën 08:30 janë matur 6 gradë në Strumicë, Berovë, Pretor dhe Krushevë, 7 në Kriva Pallankë dhe Ohër, 9 në Tetovë, 10 në Shkup-Petrovec dhe Vinicë, si dhe 11 gradë në Kumanovë. Sedimenti ujor i akumuluar që nga ora 7 e mëngjesit të sotëm është 4 litra për metër katror në Krushevë dhe Pretor, 2 në Kriva Pallankë dhe një litër për metër katror në Tetovë, Shtip dhe Demir Kapi.

Banja Luka - Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës i ka lëshuar urdhër policisë gjyqësore që ta arrestojë presidentin e Republikës Sërpska, Milorad Dodik, kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, si dhe kryetarin e Asamblesë popullore të Republikës Sërpska-s, Nenad Stevandiq, njofton RTRS duke iu referuar burimeve në Kabinetin e Republikës Sërpska. Urdhri është lëshuar nga prokurori Qazim Hasanspahiq dhe Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës i akuzon ata për kryerjen e veprës penale "sulm ndaj rendit kushtetues".

Bruksel - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rute nga sot deri të premten do të qëndrojë për vizitë në SHBA. Siç njoftoi NATO-ja, në kuadër të qëndrimit në Uashington, Rute nesër do të takohet me presidentin amerikan Donald Tramp në Shtëpinë e Bardhë. Përveç Trampit, Rute është planifikuar të takohet me përfaqësues të lartë të administratës amerikane dhe anëtarë të Kongresit amerikan.

Bruksel - Bashkimi Evropian mirëpret deklaratën e përbashkët të Ukrainës dhe SHBA-së pas takimit të tyre në Arabinë Saudite, duke përfshirë propozimet për një marrëveshje armëpushimi, përpjekjet humanitare dhe vazhdimin e shkëmbimit të inteligjencës dhe ndihmën amerikane për sigurinë, thuhet në deklaratën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë të BE-së Kaja Kallas në lidhje me takimin e djeshëm të përfaqësuesve amerikan dhe ukrainas në Riad. "Bashkimi Evropian është i gatshëm të luajë rolin e tij të plotë në mbështetjen e hapave të ardhshëm, së bashku me Ukrainën, SHBA-në dhe partnerët e tjerë”, theksoi Kallas në një deklaratë me shkrim.

Bruksel - Eurokomisarja për Zgjerimin, Marta Kos, nga sot deri të premten do të qëndrojë në Shqipëri për të shqyrtuar rrjedhën aktuale të negociatave për anëtarësimin e vendit në BE. Siç njoftoi Komisioni Evropian, kjo është vizita e saj e parë zyrtare në Shqipëri pas marrjes së detyrës, Kos do ta përdorë për të biseduar me autoritetet shqiptare për progresin në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, veçanërisht në zbatimin e reformave themelore dhe në drejtësi. "Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të theksuar rëndësinë e konsolidimit të progresit duke arritur rezultate të reja të dukshme, në përputhje me natyrën e procesit të bazuar në merita", thuhet në deklaratë. 

Damask - Qeveria qendrore e Sirisë ka arritur marrëveshje me autoritetet kurde që kontrollojnë pjesën verilindore të vendit, e cila përfshin armëpushim dhe bashkim të formacionit të armatosur vendor me armatën siriane. Formacioni i udhëhequr nga kurdët, i njohur si Forcat Demokratike Siriane, ka mbështetje nga SHBA. Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti i përkohshëm i shtetit, Ahmad al Shara dhe komandanti i Forcave Demokratike Siriane, Mazlum Abdi.

Manila - Ish-presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte mund të përballet me 30 vjet burg,  dhe madje edhe me burgim të përjetshëm nëse Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) e shpall fajtor për krime kundër njerëzimit në lidhje me "luftën e tij kundër drogës", njoftoi sot presidenca e vendit. “Por, kjo varet nga mbrojtja që mund të përdorë ish-presidenti”, tha zëvendës zëdhënësja e presidencës, Kler Kastro në një konferencë për mediat. Sipas ueb faqes të GJNP-së, Gjykata nuk shqipton dënimin me vdekje, por mund të shqiptojë dënime deri në 30 vjet burg, ndërsa në rrethana të jashtëzakonshme dënime të përjetshme.

Pekin - Kina të premten në Pekin do të bisedojë  me Rusinë dhe Iranin për "çështjen bërthamore iraniane", njoftoi Ministria kineze e Punëve të Jashtme. Zëvendësministri kinez i Punëve të Jashteme  Ma Zhaosu do të kryesojë takimin, shtoi ministria. Ministria kineze e Punëve të Jashtme premtoi edhe se Pekini do t'i marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tij pasi Presidenti i SHBA Donald Tramp i rriti tarifat për importin e çelikut dhe aluminit.

Pekin - Kina ka paralajmëruar se do të marrë "të gjitha masat e nevojshme" për të mbrojtur interesat e saj në përgjigje të tarifave amerikane për çelik dhe alumin që hynë në fuqi sot. “Aksioni i SHBA-së seriozisht shkelë rregulloret e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe dëmton rëndë sistemin tregtar shumëpalësh”, tha Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës, në një konferencë të rregullt për mediat. Ajo tha se Pekini do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e saj legjitime.

Seul - Qeveria e Koresë së Jugut po kalon në regjimin e përgjigjes së plotë në raste emergjente, sepse sot hynë fuqi tarifat amerikane për të gjithë importin e çelikut dhe aluminit, njoftoi Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Energjisë e Koresë së Jugut. Si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar ndikimin e tarifave të reja amerikane në industritë lokale, Ministria zhvilloi një takim me përfaqësues nga shoqata të ndryshme biznesi, prodhues, institute shkencore dhe institucione të tjera përkatëse për të hartuar një strategji për tarifat e reja prej 25 për qind të vendosura nga administrata e presidentit amerikan Donald Tramp.

Nuk - Partia opozitare pro-biznesit e Grenlandës, Demokratit, fitoi zgjedhjet parlamentare të së martës, të nxitur nga dëshira e presidentit amerikan Donald Tramp për të marrë kontrollin e ishullit më të madh në botë, i cili është territor gjysmë autonom danez. Demokratit, i cili angazhohet për një qasje graduale ndaj pavarësisë së Grenlandës nga Danimarka, siguroi 29,9 përqind të votave, që është një rritje e madhe prej 9,1 për qind që fitoi në zgjedhjet e vitit 2021. Rezultatin e dytë më të mirë e arriti edhe një tjetër parti opozitare, Nalerag, e cila fitoi 24,5 për qind të votave. Ajo angazhohet për proces më të shpejtë të mundshëm për pavarësinë dhe ndarjen e Grenlandës nga Danimarka.

Uashington - Qeveria amerikane i ka mbyllur deri nesër të gjitha zyrat e Ministrisë së Arsimit për "shkaqe sigurie". Hapi i pazakontë pasoi pas premtimit të presidentit Donald Tramp për të mbyllur departamentin si pjesë e planit të tij për të transferuar më shumë përgjegjësi për arsimin tek qeveritë e shteteve. Punonjësit janë paralajmëruar me letër se nuk lejohen të hyjnë në ndërtesën e ministrisë deri në orën 18:00.

Uashington - Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, ku republikanët kanë shumicën, miratoi legjislacionin për financimin e përkohshëm të qeverisë përpara se të skadojë buxheti aktual më 14 mars. Propozimi, që parandaloi një mbyllje të pjesshme të qeverisë, u votua nga 217 anëtarë të Dhomës së Ulët të Kongresit, ndërsa 213 votuan kundër. Një republikan ishte kundër dhe një demokrat ishte "pro". Propozimi, i cili parashikon financimin e qeverisë deri më 30 shtator në shumicën e niveleve aktuale të buxhetit, duhet të miratohet në Senat - ku republikanët kanë gjithashtu shumicën - përpara se Presidenti i amerikan Donald Tramp ta nënshkruajë atë deri të premten dhe të shmangë një mbyllje të shërbimeve qeveritare.

Leverkusen - Sulmuesi i Bajernit, Hari Kejn, i ka shprehur përshtypjet e tij pas fitores ndaj Bajer Leverkusenit (2:0) mbrëmë në ndeshjen e dytë të 1/8 të finales së Ligës së kampionëve. "Një ndeshje shumë e mirë. Që në minutën e parë, ne nuk donim të ishim një ekip që tërhiqet për të mbrojtur një avantazh. Ne donim të ishim sulmues, të bënim presion, të krijonim raste dhe të fitonim. Ne e bëmë shumë këtë në pjesën e parë, kur ishim më afër shënimit të golit. Për sa i përket pjesës së dytë, e kuptuam që kundërshtari do të përpiqej të ndryshonte diçka, por e ndëshkuam. Kjo është hera e pestë që luajmë me Bahernin dhe ata fituan këtu vetëm një herë një muaj më parë. Në raste të tjera fituam. Kjo është kryesisht për shkak të presionit të lartë aktiv", tha Kejn për ueb-faqen e UEFA-s.

QËNDRONI TË LIDHUR