• e martë, 11 mars 2025

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 11 mars/ 2025

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot në konferencë për shtyp kumtoi se nuk do të nënshkruhet marrëveshje me "Gjoka konstrakshën", ndërmarrje nga Shqipëria, e cila duhej të menaxhonte me parkingun në Qendrën klinike. Taravari potencoi se po shqyrtohen dy opsione për menaxhim me parkingun. "I pari është që NP 'Parkingu i qytetit' të ndërtojë dy garazhe në kate dhe t’i menaxhojë, ndërsa i dyti është që këtë ta bëjë Shërbimi për çështje të përgjithshme dhe të përbashkëta pranë Qendrës Klinike", tha Taravari. Në pyetjen e gazetarëve nëse do të prishet tenderi, thotë se me siguri po, duke shtuar se janë të hapur për opinionin për ide se si të zgjidhet problemi me parkingun në Qendrën klinike.

Shkup - LSDM-ja sot në konferencën për media i bëri thirrje Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) që të veprojë për rastin e tenderit në Ministrinë e Transformimit Digjital. "Të gjitha provat dhe dokumentet LSDM i ka bërë publike. Kërkojmë veprim urgjent nga KSHPK për këtë rast i cili duhet të zbardhet plotësisht. Ministri Stefan Andonovski në një konferencë për media pranoi skandalin me tenderët në ministrinë e tij. Por në vend që të marrë përgjegjësi, të kërkojë falje dhe të japë dorëheqje, ai mbrojti paturpësisht kontratat e tenderit që përfunduan te bashkëshorti i sekretares shtetërore Klinçarova", deklaroi zëdhënësja e LSDM-së Bogdanka Kuzeska para ndërtesës së KSHPK-së.

Shkup - Nënkryetarja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska sot deklaroi se pas reagimeve të opinionit sa i përket menaxhimit të parkingut të Qendrës klinike, dokumenti duhet të jetë i kapshëm për publikun. "Qeveria thotë se nuk kanë kontratë me ‘Gjoka konstrakshën’ por nuk thonë se do ta nënshkruajnë kontratën. Tani që e kanë parë se reagimet e publikut janë të shumta për parkingun në Qendrën klinike, duke pasur parasysh se një për qind është vetëm për shtetin, ndërsa 99 për qind është për kompaninë nga Shqipëria që do të operonte me parkingun, atëherë dokumenti para së gjithash duhet të jetë në dispozicion të publikut", tha Kuzeska.

Shkup – Sot në Shkup në koordinim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), u mbajt konferenca rajonale me të cilën filluan dy projekte të mëdha rajonale të udhëhequra nga – ADAPT 2.0 dhe Gjelbërimi i Ballkanit Perëndimor – të cilat do të forcojnë përpjekjet e vendit tonë dhe të vendeve të rajonit në kuadër të shtyllës së natyrës dhe biodiversitetit të Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Këto projekte do të mbështesin angazhimin e rajonit për ruajtjen e biodiversitetit dhe elasticitetin e klimës, duke punuar në bashkëpunim me organet përkatëse, ekspertët dhe shoqërinë civile.

Shkup - Strategjia fiskale nuk luan ende rolin e një dokumenti strategjik që duhet të ankorojë politikat makroekonomike dhe zhvillimore të vendit. Strategjia shpesh ndryshon edhe në baza vjetore. Kështu humbet orientimi afatgjatë edhe për politikat makroekonomike ashtu edhe për ato fiskale. Analiza për periudhën 2004 - 2023 tregoi një tendencë që rritja ekonomike të nxitet nga ekspansioni fiskal, i cili duhet rishqyrtuar sepse nuk jep rezultate adekuate në terma afatgjatë. Borxhi publik kaloi 60 për qind në vitin 2024, por sipas statistikave nuk përfshijnë detyrimet e papaguara të cilat deri në fund të vitit 2024 arritën në katër për qind. Me revizionin e këtyre statistikave, borxhi publik është rreth 65 për qind e BPV-së, që është në përputhje me statistikat financiare dhe buxhetore të BE-së, tha sot kryetari i Këshillit fiskal, Gligor Bishev. Para anëtarëve të komisioneve parlamentare për çështje ekonomike, financim dhe buxhet, ekspertë dhe përfaqësues evropianë, Bishev theksoi se Këshilli fiskal e vlerëson si të mirë Strategjinë fiskale 2025 - 2029 të miratuar nga Kuvendi.

Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me ministrin e Sportit, Borko Ristovski pritën në takim  përfaqësuesit e Maqedonisë në hendboll të cilët garuan në Kampionatin botëror të hendbollit të mbajtur në Republikën e Kroacisë.  Kryeministri Mickoski i përgëzoi për frymën luftarake, sakrificën dhe përfaqësimin e Maqedonisë në këtë garë prestigjioze.

Shkup – Gjithsej 11 persona janë arrestuar në aksionin e djeshëm të MPB-së të zbatuar në koordinim me PTHP NKOK. Në bazë të urdhrave të siguruar nga Gjykata Themelore Penale ishin bërë bastisje në disa lokacione në rajonin e Shkupit, Manastirit dhe Kërçovës, te persona juridikë dhe fizikë, lidhur me vepra të kryera penale për furnizime të dyshimta të derivateve. MPB informon se një person është i pakapshëm për organet e ndjekjes dhe një person është me masë paraburgimi.   “Deri më tani, nga bastisjet e bëra janë gjetur dhe marrë dokumente, pesë telefona mobilë, rreth 1.500 copë municion nga kalibri i ndryshëm, dy pistoleta dhe tre automjete të udhëtarëve”, bëhet e ditur në kumtesë. 

Shkup - Komemoracion për 82-vjetorin e dëbimit të 7144 hebrenjve të Maqedonisë në kampin e Treblinkës u mbajt sot para Monumentit në ish monopolin e Shkupit - vendi ku familjet hebreje nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi u burgosën në kampin e përkohshëm dhe në fund të marsit u deportuan në kampin e vdekjes në Poloninë e okupuar. Kryetari i Bashkësisë hebreje në vend, Pepo Levi, në fjalën e tij tha se në mars të vitit 1943 lagjet e hebrenjve në Shkup, Manastir dhe Shtip mbetën pa hebrenjtë e tyre dhe ata nuk shkelën më kurrë në kalldrëmin e lumenjve Dragor, Otinja dhe Vardar.

Shkup - Në janar të vitit 2025 janë dhënë 317 leje për ndërtim, që është për 23,8 % më shumë krahasuar me muajin e njejtë të vitit paraprak, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës. Sipas lejeve të dhëna për ndërtim, vlera e paraparë e objekteve është 5 772 690 mijë denarë, që është për 28,2 % më shumë krahasuar me muajin e njejtë të vitit paraprak. Nga numri i përgjithshëm i numrit të lejeve të dhëna për ndërtim 174 (54,9 %) janë të dedikuara për objektet e ndërtimit të lartë, 50 (15,8 %) për objektet e ndërtimit të ulët dhe 93 (29,3 %) objektet për rikonstruim.

Shkup - Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, numri i turistëve në janar të vitit 2025 është 49 870, prej të cilëve 36.8 për qind janë turistë vendor dhe 63.2 për qind turistë të huaj. Numri i netëve të kaluara në janar të vitit 2025 është 106 894, prej të cilëve 42.5 për qind janë turistë vendor dhe 57.5 për qind janë turistë të huaj. Numri i përgjithshëm i turistëve në janar 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak është rritur për 4.4 për qind, ndërsa numri i netëve të kaluara është rritur për 4.7 për qind. Numri i turistëve vendor në janar 2025, krahasuar të njëtjën periudhë të vitit paraprak, është zvogëluar për 4.9 për qind, ndërsa numri i turistëve të huaj është rritur për 10.8 për qind

Shkup - Nën ndikimin e masës ajrore të ngrohtë dhe jostabile nga jugu, vijon periudhë me mot të ndryshueshëm dhe jo stabil me reshje të kohëpaskohshme të shiut. Në disa vende reshjet do të jenë here- herë të rrëmbyeshme (mbi 15 l/m2) në formë të stuhisë të shoqëruar me bubullima dhe erë të fortë nga drejtimi jugor (mbi 60 km/h). Procese më intensive do të zhvillohen nesër mbrëma, gjatë natës dhe të enjten në mëngjes, njofton DPHM. Stabilizim të përkohshëm të motit do të ketë të premten. Ditën e shtunë, të dielën dhe të hënën në shumë vende, moti do të jetë i paqëndrueshëm me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima. Shkaku i erës priten rënie të temperaturave ditore (7 deri në 10 gradë Celsius).

Tiranë- Kryeministri shqiptar Edi Rama vendimin për hapjen zyres së PE-së për Ballkanin Perënidmor në Tiranë e konsideron si vlerësim të shkëlqyeshëm dhe shumë moment të mirë për pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë, e cila, më 16 maj, do t'i mirëpres liderët nga tërë kontinenti, përveç Rusisë. "Ky është vlerësim i shkëlqyeshëm, edhe një moment shumë i mirë për pozitën tonë ndrkombëtare, pasi i filluam përgatitjet për samitin e madh më 16 maj, samitin e parë të BE-së, ndërsa liderët e BE-së kanë vendosur të vijnë më 15 maj në darkë pune këtu me mua dhe me liderët tjerë nga rajoni ynë. Kështu, më 15-shin do të jemi nikoqirë të liderëve të Këshillit Evropian, ndërsa më 16-shin do të vijnë liderët e tërë kontinentit, me përjashtim të Rusisë", tha Rama, në komunikimin e rregullt me qytetarët në Fejsbuk.

Banja Lukë - Sekretari i përgjithshëm i NATO-S, Mark Rute sot në kampin Butmir në afërsi të të Sarajevës deklaroi se EUFOR është plotësisht i përgatitur për të mbajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Bosnje e Hercegovinë (BeH). Rute u takua sot me komandantin e EUFOR-it, gjeneralmajorin Florin-Marian Barbu i cili deklaroi se ka bashkëpunim të ngushtë në terren ndërmjet EUFOR-it dhe NATO-s. Në ditët në vijim, siç u njoftua më parë, pritet ardhja e 400 ushtarëve të rinj të EUFOR-it në BeH.

Beograd - Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot edhe një herë u bëri thirrje "të gjithë aktorëve në skenën politike serbe që të mos përdorin dhunë në luftën e tyre". "E pranoj se jam fajtor për atë që hodhën topa dhe bomba tymi në Kuvendin e Republikës së Serbisë, por kërkoj nga ata që të mos e bëjnë më dhe të mos mendojnë për sulme shtesë ndaj institucioneve shtetërore, ashtu siç sulmuan mbrëmë RTS-në dhe RTV-në", tha Vuçiqi në një video publikim në Instagram. 

Strasburg - Tre vjet më parë, pikërisht në ditën e sotme në Versajë vendosëm të forcojmë mbrojtjen e Evropës dhe të ndërtojmë një “Evropë të mbrojtjes”, dhe tani po e përmbushim atë që premtuam me vendimet e shpejta dhe ambicioze të javës së kaluar në Samitin e BE-së për Sigurinë dhe Ukrainën, tha sot në Parlamentin Evropian kryetari i Këshillit Evropian Antonio Koshta. "Bashkimi Evropian po jeton në një moment vendimtar. Ndjenja e urgjencës është para nesh. Tensionet gjeopolitike janë rritur javët e fundit. Multilateralizmi është nën presion të madh, dhe po ashtu edhe rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla. Lufta agresive e Rusisë kundër Ukrainës dhe kërcënimi që ajo paraqet ka implikime më të gjera për Evropën dhe sigurinë ndërkombëtare", theksoi Koshta në fjalimin e tij në debatin në Parlamentin Evropian kushtuar forcimit të arkitekturës evropiane të mbrojtjes dhe mbështetjes për Ukrainën.

Bruksel - Të paktën një person është plagosur në një incident të ri të armatosur në Bruksel, kumtoi sot policia belge, duke shtuar se mund të ketë një tjetër të plagosur që është në arrati. Siç njofton televizioni shtetëror VRT, incidenti ka ndodhur rreth orës 23:45 në lagjen Uorst në Bruksel, kur të paktën një person ka hapur zjarr me armë automatike. Sulmuesi apo sulmuesit janë në arrati dhe policia është pas tyre. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur të paktën 30 gëzhoja. Policia njofton se i plagosuri ka marrë lëndime të lehta në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Strasburg - Bashkimi Evropian është i përkushtuar për t'i dhënë fund agresionit rus kundër Ukrainës dhe për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, tha sot ministri polak për Çështje evropiane, Adam Shlapka në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian në debatin kushtuar forcimit të arkitekturës evropiane të mbrojtjes dhe mbështetjes për Ukrainën. Sipas Shlapkës, për një paqe të tillë të drejtë dhe të qëndrueshme duhet të negociojë presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, ndërsa në negociatat paqësore duhet të përfshihet edhe BE-ja, siguria e së cilës kërcënohet nga konflikti në Ukrainë.

Islamabad - Të paktën tre persona janë plagosur sot në një sulm në një tren në Pakistan, mes të cilëve edhe makinisti. Sulmi ka ndodhur pranë një stacioni hekurudhor në qytetin pakistanez Dadar, kur sulmuesit hapën zjarr në trenin "Xhafar Ekspres, njoftoi televizioni pakistanez Sama. Sipas raporteve fillestare, treni ishte në lëvizje kur ka ndodhur sulmi.

Liverpul - Trajneri i Pari Sen-Zhermen, Luis Enrike ka ndarë pritshmëritë e tij për revanshin  nga 1/8-të e Ligës së Kampionëve me Liverpulin. Ndeshja e parë përfundoi me fitoren të klubit anglez 1-0.  "Qasja ime nuk ndryshon, por është e vërtetë që siç janë gjërat tani, ne jemi në negativ. Kemi vetëm një opsion  - të dalim në terren dhe të fitojmë. Dëshirojmë të tregojmë se jemi të aftë për të luajtur një lojë të mirë në stadiumin e Liverpulit. Qëllimi ynë është i qartë - të përpiqemi të jemi më të mirë se kundërshtari ynë. Është e vështirë të luash si mysafir, por do të përpiqemi ta kontrollojmë situatën. Qëllimi ynë është të kemi posedimin e topit, kjo është baza jonë, dhe më pas do të shohim se si do të zhvillohet ndeshja", tha Enrike për ueb faqen e UEFA-s. Ndeshja do të luhet sonte (me fillim në orën 21) në stadiumin "Enfild". 

Mançester- Pres shërbimi i Mançester Junajted i publikoi planet për ndërtimin e stadiumit të ri. Në ueb faqen zyrtare të klubit thuhet se stadiumi do të ketë kapacitet prej 100.000 ulësve. "Qëllimi i ynë afatgjatë si klub është ta kemi ekipin më të mirë të futbollit në botë, i cili do të luajë në stadiumin më të mirë në botë. Jemi falënderues për punën që e ka ndërmarrë grupi punues për rigjenerimin e 'Old Traford'-it. Me kujdes i shqyrtojmë analizat e tij, si dhe qëndrimet e mijëra tifozëve dhe banorëve lokalë dhe kemi ardhur në konkludim se stadiumi i ri është rruga e duhur", deklaroi drejtori ekzekutiv i Mançester Junajted, Omar Berada.

QËNDRONI TË LIDHUR