15:00/11 shtator/2024
Shkup - Kuvendi sot gjatë vërtetimit të rendit të ditës në seancën e 14-të me 69 vota "pro", 17 "kundër" dhe asnjë abstenim, pranoi me procedurë të shkurtuar të miratohet Propozim-ligji për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Për ndryshimet ligjore procedura do të vazhdojë në Komisionin për Vetëqeverisje Lokale dhe Komisionin Juridik-Ligjvënës, ndërsa për t'u votuar nevojitet shumicë prej dy të tretash. Me ndryshimet e propozuara parashikohet që u.d. kryetarët e komunave ku me ligj u është ndërprerë mandati kryetarëve të zgjedhur të komunave të mund ta kryejnë këtë funksion deri në zgjedhjen e kryetarit të ardhshëm të komunës. Pas zgjedhjeve parlamentare në vend dhe zgjedhjes për ministra dhe deputetë, u.d. kryetarë të komunave ka në Aerodrom, Gostivar dhe Saraj.
Shkup - Deputetët e kanë konfirmuar nevojën që me procedurë të shkurtuar të miratohet Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, me të cilin, siç tha Dafina Stojanovska nga VMRO-DPMNE-ja, do të realizohet premtimi parazgjedhor i partisë në pushtet për rritje lineare të pensioneve. Propozim ligji me 71 vota "për" u bë pjesë e pikave të rendit të ditës së seancës së 14-të, të cilin deputetët edhe pas dy ore nga fillimi me punë, ende e konfirmojnë.
Shkup - Tani është periudha kur absolutisht asgjë nuk mund të ndodhë në negociatat me Bullgarinë, theksoi sot kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili iu përgjigj pyetjes për proceset e integrimeve evropiane dhe dialogun me Bullgarinë fqinje. Mickoski potencoi se opinioni është mjaft i njohur me qëndrimet e Qeverisë, por edhe me qëndrimet e tij personale dhe, siç thotë, "nuk do të komentoja asnjë hap më shumë, e as një hap më pak".
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot konfirmoi se përgatitet shportë e vjeshtës me prodhimet të cilat qytetarët më së shumti i përdorin, por siç njoftoi, do të ketë edhe shportë të pranverës. Lidhur me Ligjin për praktika të padrejta tregtare, sërish, përmendi se Qeveria do t'i përgjigjet ekonomisë nëse kërkon një periudhë të caktuar përshtatjeje. Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas punëtorisë për zgjerim të listës pozitive të barnave, Mickoski theksoi se ngadalë, por sigurt çmimet po stabilizohen, ndërsa rezultat i mirë është edhe shkalla e inflacionit e cila në gusht ishte 2,2 për qind.
Shkup - Shpenzimet që vendi duhet t'i paguajë për provizion për shërbime juridike për të marrë huanë nga Hungaria prej gjysmë miliardë euro është procedurë normale dhe është 10 herë më pak se sa kemi paguar deri më tani për hua, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski pas raportimeve se duhet t'i paguhet provizion për shërbime juridike një firme të pavarur të zgjedhur nga ana e Bankës Hungareze e Eksport-Importit. "Shpenzimet arrijnë 70 mijë euro, është një procedurë normale dhe është 10 herë më pak se sa kemi paguar më parë për hua. Nga këto gjysmë miliardë që do të merren si hua, këto 70 mijë euro janë shpenzimet dhe kjo është pak më shumë se 0,1 për qind", deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës për media në Qeveri.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot duke folur për ngjarjen me kishën në fshatin Toplicë apeloi që të mos luhet me hartë etnike dhe fetare, duke theksuar se pret që të ketë edhe incidente të tjera të izoluara. Mickoski shtoi se edhe peshkopi edhe banorët janë distancuar nga incidente të tilla. "Gjatë gjithë kohës paralajmëroj se nuk duhet të luhet në hartë etnike dhe fetare sepse kjo është harta në të cilën këta kriminelë të cilët në vitet e kaluara kanë fituar në kurrizin e popullit do të përpiqen të shkaktojnë destabilitet etj., dhe këto janë incidente të tilla të izoluara që do të pasojnë. E dëgjuat edhe deklaratën e peshkopit, e keni dëgjuar dhe lexuar konferencën për media në të cilën distancohet nga incidente të tilla, banorët e fshatit Toplicë të cilët gjithashtu distancohen nga incidente të tilla", tha Mickoski.
Shkup - Nesër skadon afati që komunat të plotësojnë formularin e aplikimit për thirrjen publike për realizimin e projekteve në një vlerë të përgjithshme prej 250 milionë euro që e ka shpallur Ministria e Vetëqeverisjes Lokale. Kryeministri Hristijan Mickoski pret që ky proces të përfundojë me sukses. Ashtu siç deklaroi ai sot vetëm dje kanë dorëzuar 10 deri në 12 komuna."Gjatë ditës së djeshme ka pasur diku rreth 10 deri në 12 komuna që tashmë kanë dorëzuar aplikimet e tyre. Pres që ai proces të përshpejtohet sot dhe nesër të përfundojë me sukses. Pastaj vijon vlerësimi i të njëjtës, të shohim se çfarë kemi dhe pastaj të fillojmë me realizimin e premtuar", tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas konferencës për media në Qeveri.
Shkup - Kryetari i Qeverisë dhe lider i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski sot tha se takime ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe partive opozitare ka pasur, por kjo ishte në periudhën kur ndryshohej Ligji për Qeverinë dhe po ristrukturoheshin resorët. Mickoski tha se ka pasur takim me ldierin e BDI-së Ali Ahmeti kur është ndryshuar ky ligj, gjegjësisht siç ishte pyetur në intervistën e djeshme, pasi u bë kryeministër. "Ky nuk është një lajm i ri, sepse pyetja që bëni është rezultat i një interviste që kam bërë dje dhe pyetja ishte: A jeni takuar që kur jeni bërë kryeministër dhe përgjigja ime ishte po, dhe ky është takimi, dhe publiku e dinte për një takim të tillë më parë kur u ndryshua ai ligj. Pra nuk është lajm i ri", thotë Mickoski.
Shkup - Maqedonia e Veriut synon që deri në vitin 2050 të heqë dorë nga përdorimi i thëngjillit për nevojat energjetike, duke respektuar afatet e BE-së për kalimin në burimet e ripërtëritshme të energjisë, këtë e ka theksuar zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti në Konferencën e 9-të Vjetore për Sigurinë Energjetike të Evropës Qendrore dhe Lindore në Uashington. Siç informon sot MMJPH ai ka theksuar se tranzicioni nga thëngjilli deri në vitin 2050 kërkon mbështetje të fuqishme financiare dhe teknike. Ndihma dhe fondet janë kyçe për një transformim të qëndrueshëm dhe për të siguruar një kalim të drejtë për komunitetet e prekura.
Shkup - Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani sot së bashku me zëvenndësministren për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, mbajti takim me ambasadoren e Rumanisë në Maqedoninë e Veriut, Adella Monika Aksinte. Në qendër të bisedimeve ishin marrëdhëniet bilaterale, mbështetja e vazhdueshme e Rumanisë për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, agjenda reformuese në kontekst të Planit për rritjen e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimorë dhe ngjarje tjera aktuale.
Shkup - Nëntë ilaçet e reja të listës pozitive pacientët do të mund t'i marrin falas në barnatore nga 16 shtatori, konfirmoi sot ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. "Pikërisht, sipas listës pozitive tashmë nga 16 shtatori, pacientët mund t'i marrin ato nëntë barnat e reja në barnatore falas. Pra, ai hyn në fuqi nga e hëna. Së bashku me OBSH-në po përgatisim një platformë që do të sigurojë transparencën e të gjithë procesit në zgjerimin e ardhshëm të barnave. Do të kemi rekomandime edhe nga OBSH, por edhe nga ekspertë brenda vendit. Ne dëshirojmë që gjithë ai zgjerim i listës pozitive të jetë sa më transparent dhe sa më gjithëpërfshirës, për çka qytetarët kanë nevojë më së shumti, që do t'i zvogëlonte sa më pak shpenzimet e pacientëve dhe qytetarëve tanë", thotë Taravari.
Shkup - Duke e marrë parasysh atë që po ndodh me demografinë tonë, me shpërnguljen masive të popullatës sonë jashtë vendit, tashmë paraqitet e a.q. tepricë e mësimdhënësve edhe pse personalisht besoj se një mësimdhënës nuk mund të jetë tepricë. Ne, duhet vetëm t'i bëjmë funksional. Prandaj Qeveria që nga programi parazgjedhor ka bërë gjithë strategjinë se si mësimdhënësit të cilët i kemi t'i bëjmë funksional për të mbetur në procesin arsimor, deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.
Shkup - Nëpunësit policor nga SPB Tetovë dje në orën 16:45 në një objekt hotilerie në rrugën "Ilindenska" në Tetovë, kanë arrestuar J.I (47) nga Reçica e Madhe. Ashtu siç kumtoi sot MPB-ja, me urdhër të gjykatës ai është kërkur për të vuajtur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër viteve për veprën penale "Prodhimi të paatorizuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve" sipas nenit 215 të Kodit Penal.
Prishtinë - Prokuroria speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për sulmin terrorist në shtator të vitit të kaluar në Banjskë në Zveçan, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Kryeprokurori i Prokurorisë speciale, Blerim Isufaj tha se akuza është ngritur kundër 45 personave. Akuza vjen pothuaj një vit pas sulmit. Kryeministri Albin Kurti në vazhdimësi e ka kritikuar Prokurorinë speciale se nuk ka ngritur akuzë. Kritika ka dërguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Tiranë - Në Tiranë sot filloi Samiti treditor i grave afgane, që është takimi më i madh i aktivisteve për të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave nga Afganistani në tre vitet e fundit. Duke përshëndetur të pranishmit në këtë samit, ministri shqiptar për Evropë dhe Punë të Jashtme, Igli Hasani tha se "kjo është e para e këtij formati që mbahet në Tiranë", duke e vlerësuar si një ngjarje historike, sepse "për herë të parë janë mbledhur një numër aq i madh i grave aktiviste nga Afganistani". Hasani theksoi se Shqipëria është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Afganistan, në kuadër të misionit ISAF, ndërsa pastaj përmes misionit "Mbështje vendimtare", e udhëhequr nga NATO.
Moskë - Kremlini sot e paralajmëroi "përgjigjen e duhur" ruse nëse SHBA-ja i lejon Ukrainës të godas thellë në Rusi me sistemet raketore ATACM. I pyetur nëse SHBA-ja do t'i heq kufizimet për përdorimin e armëve me rreze të gjata nga Ukraina në luftën kundër Rusisë, siç janë sistemet raketore ATACM, presidenti amerikan Xho Bajden dje tha se administrata e tij "për momentin po merret me këtë çështje".
Islamabad - Tërmet me intensitet prej 5,4 ballë sipas Shkallës së Rihterit sot u regjistrua në Pakistan. Epiqendra e tërmetit ka qenë në thellësi prej 10 kilometrave, në 77 kilometra në jug të qytetit Dera Ismail Kan.Tani për tani nuk ka informata për viktima eventuale dhe dëm të shkaktuar material.