• e martë, 19 nëntor 2024
MIA Flesh

18:00/ 2 prill/2024

Shkup - Kandidatët për president të shtetit sot në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nënshkruan Kodin për zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Stevo Pendarovski shprehu besimin se kemi mjaftueshëm memorie institucionale si shtet dhe kulturë të mjaftueshme politike në mesin e të gjithë kandidatëve për të mbajtur nivelin e debatit dhe i gjithë procesi të jetë i drejtë dhe demokratik.

Shkup - Deri te Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) pasditen e sotme kanë arrit listat e deputetëve për zgjedhjet parlamentare nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM, nga partia ZNAM, si dhe nga koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE. Janë dorëzuar listat për gjashtë njësitë zgjedhore. Afati për dorëzimin e listave zgjedhore për deputetë skadon në mesnatë. KSHZ-ja pritet që në orën 16 të fillojë seancë ku do të përmbyllet Lista zgjedhore edhe për zgjedhjet presidenciale (24 prill) dhe për ato parlamentare (8 maj).

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nesër do të udhëtojë për në Bruksel ku do të marrë pjesë në takimin ministror të NATO-s. Në fokus do të jetë shënimi i 75-vjetorit të NATO-s, si dhe prioritetet e Aleancës në prag të Samitit në Uashington. "Në takim do të diskutohet edhe për sfidat aktuale të sigurisë, mbështetja afatgjate për Ukrainën, si dhe forcimi i parandalimit dhe mbrojtjes së Aleancës së NATO-s", theksohet në komunikatën e MPJ-së.

Shkup - Drejtoria për Zona Zhvillimore Industriale Teknologjike (ZZHTI) propozon që Byroja për Zhvillim të Arsimit (BZHA) të zhvendoset në hapësirat e saj aktuale, që Fakulteti për Shkenca Informatike  dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FSHIIK) t'i shfrytëzojë barakat në të cilat tashmë është vendosur Byroja.    Drejtoria e ZZHTI ka zyra të reja që nuk janë ende në funksion zyrtarisht, por sot në to u mbajt ngjarja e parë - seria e paneleve nga projekti "E ardhmja fillon në shtëpi".

Shkup - Udhëheqësia e Lidhjes së Sindikatës së Maqedonisë (LSM) sot është tubuar në një protestë para godinës së Gjykatës së Lartë për siç thanë ata, për t'u dhënë një karton të verdhë gjyqtarëve për shkak të vendimit të gjykatës për t'u hequr atyre pronësinë e Shtëpisë së punëtorëve. "Presim nga 1 maji. Nëse ata hyjnë në shtëpinë tonë, ne do të hyjmë në shtëpitë e tyre. Nëse ata na marrin shtëpinë, ne do t'u marrim shtëpitë e tyre. Nuk kemi zgjidhje tjetër, nuk ka kthim prapa. Ne jemi mbështetur për muri dhe te muri ne dimë se çfarë të bëjmë - ne ecim vetëm përpara dhe vetëm drejt", deklaroi kryetari i LSM-së Sllobodan Trendafillov.

Kumanovë - Qendra e Shëndetit Publik Kumanovë ka shpallur epidemi të kollës së mirë në nivel të Kumanovës, kumtuan sot zyrtarë nga institucioni publik shëndetësor. Epidemiologia Edita Ramizi tha se nga 26 si të paraqitur në nivel të Qendrës, 23 të sëmurë janë në Kumanovë.

Tetovë - Me moton "Ta njohim autizmin - nga studentët për studentët" programi studimor Edukim Special dhe Rehabilitim i Fakultetit Pedagogjik e shënoi 2 Prillin - Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Autizmin. Kjo ditë synon ta rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së atyre që jetojnë me të, theksohet në kumtesën e UT-së.

Strumicë - Një person ka humbur jetën në aksidentin e komunikacionit që ka ndodhur sot rreth orës 14:30 në rrugën Strumicë- Vallandovë afër fshatit Kosturino, pasi një kamion me targa të Strumicës ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur. Lajmin për MIA-n e ka konfirmuar zëdhënësja e SPB Strumicë, Aleksandra Trajanova. Sipas saj, nga të dhënat fillestare të hetimeve të cilat ende po vazhdojnë, një person ka humbur jetën, ndërsa po hetohen shkaqet e aksidentit.

Sarajevë - Kryeministri hungarez Viktor Orban të enjten, më 4 prill, do të arrijë për vizitë zyrtare në Bosnje e Hercegovinë, është konfirmuar sot për Radion Evropa e Lirë (REL) në Këshillin e Ministrave të BeH-së. Orban, siç është paralajmëruar, në aeroportin e Sarajevës do të pritet nga ministri i Punëve të Jashtme në Këshillin e Ministrave, Elmedin Konakoviq.

Stamboll - Të paktën 15 persona kanë humbur jetën, ndërsa tetë janë lënduar, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë, në zjarrin që shpërtheu në një lokal nate nën një ndërtesë shumëkatëshe në lagjen Beshiktash të Stambollit, njofton Anadollu. Në një deklaratë nga Kabineti i guvernatorit të Stambollit theksohet se zjarri ka shpëthyer në një klub nate që ndodhet në katin e 1 dhe 2 të një pallati 16-katësh në rrugën Jildiz Posta, në lagjen Gajretepe. Në vendin e ngjrjes kanë mbërritur njësitet e shumta zjarrfikëse dhe ekipe për ndihmë urgjente. 

Stamboll - Të paktën 29 persona kanë humbur jetën nga zjarri që shpërtheu gjatë riparimeve gjatë ditës në një klub nate në Stamboll, raportuan mediat lokale. Të paktën tetë persona janë lënduar, shtatë prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, njoftoi Kabineti i  Guvernatorit të Stambollit. Kabineti i guvernatorit bëri të ditur  se zjarri shpërtheu në lagjen Beshiktash në qendër të Stambollit në anën evropiane të qytetit.

Herhugovard - Një krizë pengjesh po zhvillohet në burgun holandez në qytetin Herhugovard, pasi një i burgosur mori dy të burgosur si pengje, bëri të ditur sot shërbimi publik holandez NOS. Nga Departamenti i Shërbimeve ligjore kanë konfirmuar këtë informacion, ndërsa kidnapuesi dhe pengjet ndodhen në të njëjtën hapësirë. Sipas zëdhënëses së administratës së burgjeve, tani për tani nuk ka informacione se ka pasur dhunë.

Bukuresht - Në 19 qarqe të Rumanisë fryn erë e fortë, gjegjësisht  kod portokalli. Paralajmërimi për kushte të rënda të motit vlen edhe për Bukureshtin, ku deri më tani janë bërë më së shumti thirrje urgjente. Erërat e forta rrëzuan 31 pemë dhe katër shtylla, thyen tabelat dhe dëmtuan 16 makina në kryeqytetin rumun, kumtoi Departamenti i Emergjencave. Era bart edhe re pluhuri saharian, i cili sot po kalon mbi Rumani.  Manovrat në portet e Detit të Zi janë pezulluar. 

Kopenhagë - Në Kopenhagë ka filluar eksperimenti me vendosjen e javës së punës prej katër ditëve, që do të zgjasë deri në fund të vitit, raportojnë mediat lokale. Në eksperiment marrin pjesë të punësuar në 14 kompani, ndërsa periudha e provës, java katërditore e punës mund të vendoset përgjithmonë, raporton servisi publik danez DR.  Jonas Amitsbol, menaxher në një nga kompanitë, thotë se pret që ndryshimi i orarit të punës të ketë një efekt pozitiv. 

Kiev -  Ukraina do të dërgojë në shërbim diplomatik ish komandantin e përgjithshëm të armatës ukrainase Valerij Zaluzhni dhe ish sekretarin e Këshillit të sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes Aleksej Danilov, konfirmoi këshilltari i kabinetit të presidentit të Ukrainës, Mihailo Podolak. Podolak nuk ka precizuar se në cilat vende do të dërgohen Zaluzhni dhe Danilov, ndërsa informacionin për largimin e tyre në shërbim diplomatik është publikuar, siç tha ai, "për të shmangur spekulimet e mëtejshme për këtë temë".

Moskë - Dora ruse do të arrijë të gjithë ata që urdhëruan dhe përfituan nga sulmi terrorist në Krokus Siti Holl në Moskë, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin. "Për ne është e rëndësishme të përcaktojmë jo vetëm autorët e drejtpërdrejtë, por edhe të gjitha hallkat, zinxhirët kriminalë të atyre që përfitojnë nga ai krim. Me siguri do t'i arrijmë", tha lideri rus në mbledhjen e zgjatur të kolegjiumit të MPB-së. Rusia pagoi një çmim shumë të lartë për sulmin terrorist në “Krokus Siti Holl” dhe analiza e gjendjes së punës së autoriteteve të sigurisë duhet të jetë jashtëzakonisht objektive dhe profesionale, theksoi Putin.

Paris - Ukraina ndodhet në një "fazë kritike" të luftës me Rusinë dhe urgjentisht ka nevojë për më shumë ndihmë nga Perëndimi, deklaroi sot Sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken. Ai shprehu keqardhje për ngërçin në Kongresin e SHBA-së për një pako ndihme ushtarake me vlerë dhjetëra miliarda dollarë për Kievin. "Absolutisht është thelbësore që ne t'u japim ukrainasve atë që ata kanë nevojë për t'u mbrojtur, veçanërisht në aspektin e municioneve dhe mbrojtjes ajrore. Kjo është një arsye tjetër pse kërkesa buxhetore shtesë që presidenti (Xho) Bajden i dërgoi Kongresit duhet të përmbushet sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Blinken për gazetarët gjatë vizitës në Francë.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR