• e hënë, 07 tetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

09:00/ 10 shtator/ 2024

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, sot do të jetë nikoqir i ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë, Antonio Tajani. Siç citohet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, gjatë bisedës pritet të këmbehen mendime për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve dhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimit rajonal dhe multilateral, si dhe për të ardhmen e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe mbështetjes nga Republika e Italisë për vendin tonë.

Shkup - Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski me ftesë të Forumit Global për Ekspertizë Kibernetike (GFCE) ndodhet për vizitë dyditëshe në SHBA. Në kuadër të vizitës, siç njoftoi Ministria kompetente, Andonovski do të flasë në panel diskutimin me temën "Përparimi në vendosjen e autoriteteve kibernetike kombëtare dhe zhvillimi i shkathtësive në vendet e Ballkanit Perëndimor".

Shkup - Ndryshimet e Ligjit për vetëqeverisje lokale janë vendosur si pikë në rendin e ditës të mbledhjes plenare të caktuar për të mërkurën, më 11 shtator. Me ato, duhet të evitohet mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në Saraj, Aerodrom dhe në Gostivar deri në fund të vitit, pasi që paraprakisht kryetarët e këtyr5e komunave kaluan në pushtet ekzekutiv apo ligjvënës. Nga VMRO-DPMNE presin mbështetje nga të gjitha partitë politike sepse, siç deklaroi dje zëdhënësja e partisë, Maria Miteva, ligji është racional dhe i ulë shpenzimet.

Shkup - Konventa Nacionale për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut (KNBE-MK) sot do ta mbajë sesionin e 4-të të Grupit Punues 6 (Kapitulli 5-Prokurimet Publike; Kapitulli 18-Statistikat; Kapitulli 32- Kontrolli financiar) me temë "Të dhënat të cilave u besojmë: Parakusht për një ekonomi më të fortë dhe luftë efektive kundër korrupsionit". Në sesion fjalime hyrëse do të kenë koordinatorja nacionale e KNBE-MK dhe kryetarja e Lëvizjes Evropiane, Mileva Gjurovska dhe Gonce Jakovlevska nga Qendra Maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar. 

Shkup - "Qeni andaluzian" në regji të Luis Bunjel, një nga veprat më me ndikim në historinë e kinematografisë sot do ta hapë edicionin e katërt të Festivalit të filmit pa zë dhe klasik në Kinotekën e Maqedonisë. Siç informojnë nga Kinoteka. projeksioni i filmit është i shoqëruar me muzikë në interpretim të pianistit Millosh Stanojeviq, fitues i shumë çmimeve.

Shkup - Qendra për menaxhim me kriza sot në mëngjes kumtoi se gjatë ditës së djeshme ka pasur gjithsej 22 zjarre në ambiente të hapura dhe se shiu ndihmoi të shuhen të gjitha. "Shiu ndihmoi të gjitha 22 zjarret të shuhen", thuhet në informatën e mëngjesit të QMK-së.

Moskë - Një grua e humbi jetën, ndërsa tre persona janë lënduar në sulmin me dron të armatës ukrainase gjatë natës ndaj Moskës, kumtoi guvernatori i Rajonit moskovit, Andrej Vorobjov. Paraprakisht u kumtua se viktimë e sulmit me dron ishte një vajzë nëntëvjeçare, gjë të cilën Vorobjov e mohoi, transmetojnë mediumet ruse.

Karakas - Liderja e opozitës së Venezuelës, Marija Korina Maçado, u tha mbështetësve të saj se do të qëndrojë në vend për ta "ndjekur luftën" kundër sundimit të presidentit Nikollas Maduro, pasi aleati i saj dhe kandidat presidencial në zgjedhjet në korrik, Edmundo Gonzales Urutija, u largua në ekzil në Spanjë. "Vendosa të qëndroj në Venezuelë dhe ta mbështes luftën nga këtu, ndërsa ai (Gonzales Urutia) e udhëheq atë nga jashtë", tha Maçado përmes video mesazhit.

Uashington - Sonte është momenti më i rëndësishëm i fushatës presidenciale në SHBA - debati ndërmjet nënpresidentes demokratike Kamala Haris dhe ish presidentit republikan Donald Tramp. Skena në Qendrën Kombëtare të Kushtetutës në Filadelfia është vendosur për atë që mund të jetë një moment kyç  në fushatën që çon në fitoren e zgjedhjeve presidenciale në SHBA më 5 nëntor.

 Pheniani - Lideri i Koresë së Veriut Kim Xhong Un deklaroi se Pheniani do ta rrisë arsenalin e tij të armëve bërthamore, njoftoi sot agjencia shtetërore e lajmeve KCNA. Kimi gjatë fjalimit me rastin e themelimit të vendit tha se rezervat e Koresë së Veriut duhet të rriten në mënyrë eksponenciale.

Gazë - Gjithsej 65 persona janë vrarë dhe janë plagosur në sulmet ajrore izraelite në një vendbanim tendash në jug të Rripit të Gazës, thanë sot persont zyrtarë nga Gaza, ndërsa ushtria izraelite informoi se qëllimi ka qenë qendra komanduese e Hamasit. Mjekët dhe banorët lokalë thonë se vendbanimi me tenda ndodhet pranë qytetit Kan Junis, në zonën Al-Mavasi, e cila është shënuar si zonë humanitare sepse është e mbushur me palestinezë të zhvendosur. Të paktën katër raketa ranë në zonë, duke djegur njëzet tenda dhe duke krijuar kratere nëntë metra të thellë. 

 Nju-Jork - Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutereshi deklaroi se organizata botërore ka ofruar të monitorojë çdo armëpushim që do të arrihet në Gazë dhe kanë kërkuar që t'i jepet fund "vdekjes dhe shkatërrimit më të keq" që ka parë në mandatin e tij shtatëvjeçar.

Shkup - Moti sot do të jetë kryesisht me vranësira dhe dukshëm më freskët, në disa vende me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të përforcuar. Siç informojnë nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike, lokalisht do të ketë paraqitje të motit të ligë, me shi të rrëmbyeshëm intensiv(mbi 30l/m2 për 24 orë), bubullima, erë të përforcuar (mbi 70 km/h) dhe kushte për paraqitje të breshërit.

QËNDRONI TË LIDHUR