• e martë, 21 janar 2025
MIA Flesh

12:00/ 21 janar/ 2025

Shkup - Pacientët në Klinikën për radioterapi dhe onkologji kanë mbetur pa terapi biologjike. Siç informojnë për MIA-n disa prej tyre, për momentin nuk ka terapi biologjike, përkatësisht nuk janë në qasje barnat “atezolizumab (tecentriq)”, “bevacizumab (avastin)”, “palbociclib”, “ribociclib”, “fulvestrant” dhe “cetuximab”. Ata druajnë se se shpejti mund të mbarojnë edhe "trastuzumab emtansine (kadcyla), "nivolumab", "cobimetinib" dhe "vemurafenib". "Klinika e onkologjisë nuk është në gjendje t'i përgjigjet numrit në rritje të pacientëve me kancer metastatik dhe kjo është një nga arsyet pse ka ardhur deri te kjo mungesë. Arsyeja e dytë dhe ajo që ne pacientët e shohim si rezultat pozitiv, është se u zgjatet jeta pacientëve dhe për këtë arsye ata kanë nevojë për këtë terapi. Edhe pse vitin e kaluar me aneks u miratuan mjete shtesë, duket se nuk ishin të mjaftueshme. Mungesë të terapisë ka nga dita e premte dhe onkologjia po përpiqet të marrë mjete shtesë për ta mbyllur këtë boshllëk ​​deri në miratimin e buxhetit të ri", deklaroi për MIA-n Ana Marjanoviq, paciente dhe pjesë e Shoqatës "Hema-onko".

Shkup - Janari është muaji i përkushtuar për ngritjen e vetëdijes për kancerin e qafës së mitrës - një nga llojet më të shpeshta dhe më të parandalueshme të kancerit te femrat. Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet ngadalë, gjë që mundëson zbulimin e hershëm përmes ekzaminimeve të rregullta gjinekologjike dhe skrining testeve, siç është PAP-testi dhe testimi për papilloma virus njerëzor (HPV), theksuan sot nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP). Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga ISHP, në vitin 2022 kishte 173 paciente me kancer të qafës së mitrës, ndërsa numri i vdekjeve ishte 66.

Shkup – Takim pune për efikasitet energjetik mes Maqedonisë dhe Kosovës u mbajt në Prishtinë, njoftoi Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.  Në takim Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale e përfaqëson Elena Ivanovska dhe Dimitar Parnarxhiev, ndërsa të pranishëm në takim ishin edhe drejtori i përgjithshëm dhe drejtorët operativë të Fondit për Efikasitet Energjetik, si dhe përfaqësues të Zyrës së Bankës Botërore në Maqedoni dhe Kosovë. Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe praktikave më të mira në funksionimin e fondeve për efikasitet energjetik, me theks të veçantë në përvojat e fondit në Kosovë – KFEE, të cilat do të mund të ndihmojnë në zbatimin e proceseve të punës të Fondit për Efikasitet Energjetik i cili formohet në Maqedoni. 

Shkup - EMV Distribuimi kumtoi se ekipet e tyre në orët e hershme të mëngjesit me sukses i kanë përfunduar të gjitha aktvitetet e parapara dhe, siç thonë, tejet të ndërlikuara për riparimin dhe mënjanimin e defektit në përçuesin magjistral A në komunën Qendër, që kalon përmes bulevardit Koço Racin, mes Vero Qendër dhe Pishinin olimpike. "Pas përfundimit të këtyre intervenimeve, në vijim janë aktivitete të mbushjes së tubave të ngrohjes, me çka dërgesa deri te konsumatorët, të cilët furnizohen nga ky përçues magjistral, normalizohet dhe sigurohet furnizim stabil dhe i pandërprerë për të gjithë konsumatorët në komunën qendër. Për informata shtesë, konsumatorët mund të paraqiten në Qendrën për kujdes të konsumatorëve në numrat e telefonit (02) 3076 200 dhe 075 400 100, qëndron në kumtesën e EMV-së Distribuimi. 

Shkup - Drejtori i Shërbimit qeveritar për punë të përgjithshme dhe të përbashkëta (SHPPP), Ivica Tomovski vlerëson se nevojitet të furnizohet aeroplan i ri shtetëror, qoftë edhe i përdorur, për udhëtime zyrtare të funksionarëve qeveritarë në vendet e huaja, pasi i ekzistues është i vjetër rreth 20 vjet, ka gjashtë ulëse dhe nuk i përmbush nevojat. "Nëse pretendojmë dhe dëshirojmë të jemi shtet serioz, duhet të kemi aeroplan adekuat, ndërsa aeroplanin që në këtë moment e kemi, ka vetëm gjashtë ulëse, është jopraktik për delegacione më të mëdha, shpesh prishet dhe për këtë shkak vlerësoj se duhet të mendohet seriozisht për furnizim të aeroplanit të ri, ndoshta edhe të përdorur, por jo më të vjetër se dy-tre vjet dhe lidhur me këtë çështje duhet të ketë një konsenzus të përbashkët opozitë-pushtet", deklaroi drejtori Tomovski mbrëmë në intervistë për "360 shkallë" në MRT1.

Shkup - Temperaturë më e ulët prej minus gjashtë gradë është matur mëngjesin e sotëm në Manastir, ndërsa më e larta prej 2 në Ohër. DPHM informon se -5 gradë janë matur në Prilep, -3 në Tetovë, Shtip, Vinicë dhe Kumanovë, -2 në Dibër, Kavadar dhe Kodra e Diellit, -1 në Shkup-Zajçev Rid, Kriva Pallankë, Demir Kapi, Strumicë, Berovë, Veles, Hanet e Mavrovës dhe Lazaropole, 0 në Shkup-Petrovec dhe Krushevë dhe një gradë në Pretor dhe Gjevgjeli. Trashësia e mbulesës së borës arrin 46 centimetra në Kodër të Diellit, 42 në Hanet e Mavrovës, 22 në Krushevë, 17 në Manastir, 10 në Dibër, 9 në Tetovë, 7 në Demir Kapi, 6 në Shtip dhe Berovë dhe 5 në Lazaropole.

Paris - Presidenti i Francës, Emanuel Makron dje deklaroi se konflikti në Ukrainë “nuk do të përfundojë as nesër, as pasnesër”, duke aluduar në paralajmërimin e presidentit të ri amerikan, Donald Tramp për përfundim të shpejtë të luftës. "Nuk mund të ketë paqe dhe siguri në Evropë pa evropianët dhe pa rënë dakord kjo nga evropianët", ka thënë Makroni në një fjalim para armatës në bazën afër Renes. Ai shtoi se "sfidë është që t'u sigurojmë mjete Ukrainës për të duruar dhe për të hyrë në çfarëdo negociata të ardhshme nga një pozicion i fortë" si dhe garanci për sigurinë tonë.

Damask - Lideri sirian Ahmed Al Shara e a uroi Donald Trampin për mandatin e tij të ri presidencial, duke theksuar se ai shpreson për përmirësimin e marrëdhënieve midis Sirisë dhe SHBA-së. "Ne kemi besim se ai është një lider që do të sjellë paqe në Lindjen e Afërt dhe do të kthejë stabilitetin në rajon," theksoi al-Shara. SHBA-ja në fillim të këtij muaji vendosi nga sanksionet e vendosura ndaj ish-regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad, të largohen transaksionet me institucionet qeverisëse në Siri, në mënyrë që të lehtësohet dërgimi i ndihmave humanitare.

Uashington - Presidenti i ri amerikan Donald Tramp në inaugurimin e tij paralajmëroi se do të dërgojë astronautë në Mars. “Do ta ndjekim fatin tonë të qartë deri tek yjet”, theksoi Tramp. Një nga këshilltarët më të afërt të Trampit është miliarderi i teknologjisë Ilon Mask, kompania hapësinore e të cilit "Spejs Iks" (SpaceX) kohë të gjatë ka synimin për të dërguar astronautë në Mars. Tramp, gjithashtu, theksoi se SHBA-ja persëri do të jetë komb në rritje. 

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi se administrata e tij sipas gjitha gjasave do të ndërpresë importin e naftës nga Venezuela.  “Nuk duhet ta blejmë naftën e tyre. Kemi mjaftueshëm naftë”, u tha Trampi gazetarëve në Dhomën Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Ai këtë deklaratë e dha disa orë pasi zyrtarisht e mori funksionin presidenti i 47-të i SHBA-së.

Uashington - Ish-presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, pas inaugurimit të Donald Trampit si presidenti  47-të amerikan, deklaroi se po largohet nga detyra, por jo edhe nga beteja.  Ai pas aterimit në bazën ushtarake Endruz, Merilend theksoi se ka ende shumë për të bërë. Bajden u bëri thirje të punësuarve të mbeten të "angazhuar" pavarësisht nëse janë në sektorin publik apo privat.

Uashington - Vajza e presidentit amerikan, Ivanka Tramp është dukur mjaft elegante me kostumin e saj të gjelbër në inaugurimin e babait të saj Donald Tramp, sipas njohësve të modës. Biznesmenja amerikane mbërriti në ritualin në kishën "Sent Xhon" e veshur me një fustan smerald të gjelbër. Xhaketën e saj asimetrike dhe fundin i ka kombinuar me një kapele klasike, çantë "Lejdi Dior" dhe doreza lëkure të zeza. Zonja më pas me bashkëshortin e saj, Xhered Kushner është shfaqur në ballon inauguruese. Për këtë rast, ajo kishte veshur një fustan të bardhë zyrtar me motive lulesh, gjerdan dhe doreza sateni.

Los Anxhelos – Senatori Xhon Feterman (55) mori pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Tramp në një kombinim vërtetë të pazakontë mode... Ai kishte veshur një xhaketë me kapelë të zezë, bermuda ngjyrë hiri dhe atlete.  Atë që shumica e njerëzve zakonisht e mbajnë në stërvitje ose në shëtitje në park, ky politikan e mbante në një ngjarje solemne, përderisa të gjithë rreth tij ishin në kostume dhe veshje të ngjashme “zyrtare”. Krahas të gjithave, Feterman (55) ishte ulur në rendin e parë. Senatorit amerikan, duket, se i pëlqen stili i tij. Ai disa herë është fotografuar në publik në edicione të ngjashme sportive, ndërsa shumë rrallë në diçka më zyrtare dhe më formale. 

QËNDRONI TË LIDHUR