MIA Flesh
- Shkup - Për 95 për qind të organizatave sindikale që kanë deklaruar në SPOGJ, është pranuar marrëveshja me Qeverinë për rritjen e pagave për 40 për qind, informojnë nga SPOGJ. Në pajtim me propozimin e pranuar, siç theksojnë, organizatat sindikale pranë Sindikatës së SPOGJ gjatë ditës së sotme shprehen se janë për rrije të pagave të tyre për 40 për qind. "Pas deklaratave të të gjitha organizatave sindikale, Sindikata e SPOGJ javën e ardhshme do të mbajë një takim pune me përfaqësuesit e Qeverisë, në të cilin do të dakordësohet për fushëveprimin dhe kushtet e marrëveshjes kolektive" thuhet në kumtesën e SPOGJ.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:44, 6 shkurt, 2026
15:00/6 shkurt/2026
Shkup - Për 95 për qind të organizatave sindikale që kanë deklaruar në SPOGJ, është pranuar marrëveshja me Qeverinë për rritjen e pagave për 40 për qind, informojnë nga SPOGJ. Në pajtim me propozimin e pranuar, siç theksojnë, organizatat sindikale pranë Sindikatës së SPOGJ gjatë ditës së sotme shprehen se janë për rrije të pagave të tyre për 40 për qind. "Pas deklaratave të të gjitha organizatave sindikale, Sindikata e SPOGJ javën e ardhshme do të mbajë një takim pune me përfaqësuesit e Qeverisë, në të cilin do të dakordësohet për fushëveprimin dhe kushtet e marrëveshjes kolektive" thuhet në kumtesën e SPOGJ.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot vizituan ambientet e reja të Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë. "Me promovimin e sotëm përmbyllim plotësisht procesin e rikonstruksionit të kapaciteteve të reja hapësinore të Institutit të Mjekësisë Transfuzive në Tetovë. Për këtë qëllim, nga Instituti janë investuar rreth 8.3 milionë denarë. Qendra Rajonale e Transfuzionit në Tetovë, si pjesë përbërëse e Institutit, përfshin edhe tre qendra më të vogla: në Gostivar, Kërçovë dhe Strugë. Kjo qendër rajonale përpunon gjakun e mbledhur nga qendrat e tjera, ofron shërbime ambulatore shëndetësore për pacientët, organizon aksione për dhurimin e gjakut dhe furnizon klinikat dhe spitalet e këtij rajoni me gjak dhe produkte të gjakut", theksoi ministri Aliu gjatë vizitës.
Shkup - Propozimet për ligjin e ri për arsimin e lartë dhe ligjin për cilësinë në arsimin e lartë janë vendosur në regjistrin kombëtar të rregulloreve (ENER), ndërsa Ligji për veprimtarinë kërkimore-shkencore do të vendoset gjithashtu në ditët në vijim. Komentet dhe propozimet për zgjidhjet e reja ligjore, me të cilat Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi reforma në arsimin e lartë dhe shkencën, do të jenë në dispozicion për dorëzim. Risitë më të rëndësishme sot në konferencë për media i kumtoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila tha se paketa e ligjeve pritet të përmirësojë arsimin akademik dhe të inkurajojë aktivitetin kërkimor-shkencor në vend.
Shkup - Më shumë se dy të tretat e njerëzve që jetojnë në amvisëritë e BE-së posedojnë shtëpi të veten, përkundër 32 për qind, të cilët jetojnë në banesa të marra me qira. Në Maqedoni rreth 87 për qind jetojnë në shtëpi të veten, ndërsa 12 për qind me qira, tregojnë të dhënat e Eurostatit. Sipas të dhënave të fundit të Eurostatit, në vitin 2024, më shumë se dy të tretat (68 për qind) të popullatës që jeton në amvisëritë e BE-së kanë poseduar shtëpi të veten, që është më pak se 69 për qind në vitin 2023. Të tjerët 32 për qind kanë jetuar në banesa me qira, që është rritje për 31 për qind në krahasim me vitin paraprak.
Shkup - Mungesa e parandalimit, injorimi i protokolleve të sigurisë dhe keqpërdorimet me leje janë shkaktarët kryesorë të tragjedive, si zjarri në Koçan, zjarri në klubin "Kolektiv" në Bukuresht në vitin 2015 dhe fatkeqësia e paradokohshme në Trans Montana, theksoi sot sekretari shtetëror dhe udhëheqës i Repartit për situata të jashtëzakonshme pranë Ministrisë sël Punëve të Jashtme të Rumanisë, Raed Arafat, në debatin publik "Bukuresht - Koçan: Shërbim përmes unitetit - Leksione të mësuara dhe rruha drejt rikuperimit". Arafati shpjegoi se modeli rumun i menaxhimit të emergjencave, i krijuar në vitin 2014, bashkon të gjitha shërbimet nën një sistem qendror për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar. Sistemi përfshin zjarrfikësit, shërbimet mjekësore emergjente, autoritetet lokale dhe ministri të ndryshme.
Shkup - Këmbimi i përgjithshëm tregtar në periudhën janar – dhjetor të vitit 2025 është 19 553.6 milionë euro, kumtoi Enti Shtetëror i Statistikës. Eksporti i mallrave arriti në 8 008.2 milionë euro, një rritje prej 2,9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa importi arriti në 11 545.4 milionë euro, ose 4,4 për qind më shumë. Në periudhën janar - dhjetor të vitit 2025, sipas vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme, pjesa më e madhe e tregtisë është bërë me Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Kinën, Greqinë dhe Serbinë, që marrin pjesë me 47,8 për qind të vëllimit të përgjithshëm të këmbimit. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian përfaqësohen me 58,9 për qind në totalin e këmbimit.
Shkup - Komisioni parlamentar për shëndetësi me të cilën ka kryesuar kryetarja Rashela Mizrahi sot shqyrtoi Raportin për punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) për vitin 2024 dhe dha dritë jeshile që ai të miratohet në seancë plenare në Kuvend. Raportin para deputetëve e shpjegoi drejtori i FSSH-së, Sasho Klekovski i cili në fillim theksoi se në vitin 2024, Fondi kishte 1.839.537 persona të siguruar që paraqet rënie prej mbi 17.000 krahasuar me vitin 2023 dhe mesatarisht në Fond paguhen rreth 3 mijë denarë për person të siguruar, ndërsa numri i personave të siguruar të punësuar është 557 mijë dhe është stabil, si dhe numri i pensionistëve i cili është 353 mijë.
Gostivar – Ambasadori i Republikës së Italisë në Maqedoninë e Veriut, Paolo Palminteri, sot ishte për vizitë në komunën Gostivar dhe u takua me kryetarin Valbon Limani. Në takim ambasadori Palminteri e konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të shtetit italian për Maqedoninë e Veriut dhe ishte potencuar fuqizimi i bashkëpunimit me komunën Gostivar. Ambasadori shfaqi interesim për kontribut në procesin e arsimit dhe përfshirjen e gjuhës italiane në shkollat në vend, si urë e lidhjes mes dy shteteve. Palminteri theksoi se roli i mërgimtarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në Itali është i rëndësishëm dhe se ata u bënë pjesë e rëndësishme e shoqërisë italiane dhe japin kontribut të madh në ekonomi, sport dhe kulturë.
Tetovë - Në Spitalin klinik Tetovë sot solemnisht janë lëshuar në përdorim hapësirat e reja të qendrës rajonale tetovare të Institutit për mjekësi transfuzioni. Nga Ministria e Shëndetësisë informuan se rikonstruimi i hapësirave të reja ka filluar në fillim të vitit 2024, ndërsa Instituti ka investuar rreth 8,3 milionë denarë. "Qendra tetovare është një nga katër qendrat e Institutit për mjekësi transfuzioni, ku përfshihen edhe qendra e Shtipit, Manastirit dhe ajo e Shkupit si qendrore. Viti i kaluar ishte rekord duke marrë parasysh numrin e dhuruesve, të cilët dhuruan në Instituitn tonë dhe ishte 60.222 dhurues. Intenca dhe angazhimi është që edhe këtë vit të kemi më shumë dhe numër më të madh të dhuruesve, pasi që klinikat kirurgjike, posaçërsht pacientët onkologjikë presin prej nesh për gjak dhe produkte tjera të gjakut, e këtu përfshihen edhe degët interne, posaçërisht hematologjia, e cila ka kërkesë për gjak", tha Amir Elezi, drejtor i Institutit për mjekësi transfuzioni.
Shkup - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve informon se sot filloi pagesa e të drejtave sociale, të fëmijëve dhe të mbrojtjes civile për muajin janar të këtij viti. Përfituesit e të drejtave monetare, të cilët posedojnë kartelë debitore do të mund të tërheqin para në bankomatet e bankave, t’i shfrytëzojnë mjetet për pagesa pa para të gatshme në rrjetin e shitjeve ose përmes bankave elektronike dhe atyre mobile. Ata përfitues të cilët nuk përdorin kartela, nga sot, do të jenë në gjendje t’i tërheqin mjetet e tyre nga të gjitha filialet dhe ekspoziturat e hapura të bankave.
Gostivar - Një banor i Çegranit të Gostivarit është privuar nga liria pasi, gjatë kontrollit të policisë rrugore është përcaktuar se ai nuk kishte patentë shoferi. Sipas zëdhënësit të SPB-Tetovë, Fatmir Rexhepi, dje pasdite në orën 16:45 në autostradën Gostivar-Strazhë, nëpunës policor të DPB Gostivar e privuan nga liria F.A. (24) nga fshati Çegran i Gostivarit.
Shkup - Dhjetori i vitit të kaluar ka qenë mbi mesataren i ngrohtë dhe nën mesataren me shi, sipas matjeve dhe vëzhgimeve të temperaturave mesatare ditore dhe reshjeve në stacionet meteorologjike në Maqedoni. Krahasuar me temperaturat mesatare mujore të dhjetorit për periudhën tridhjetëvjeçare 1991 - 2020, në vitin 2025 temperatura e dhjetorit ka qenë 1,3 gradë më e lartë se mesatarja në nivel shtetëror, ndërsa sasia mujore e reshjeve ishte 50 për qind e mesatares krahasuar me vlerën mesatare të dhjetorit në periudhën 1991 - 2020, e cila ka qenë 65 mm.
Shkup – Vijon periudhë e motit të ndryshueshëm. Nesër në fund të ditës, gjatë natës dhe të dielën paradite do të ketë reshje lokale të shiut, ndërsa në male në pjesët veriperëndimore të borës, informon DPHM. Reshje të shiut do të ketë edhe të hënën të cilat do të jenë më intensive në pjesët juglindore, ndërsa në male do të jenë të borës. Për shkak të ajrit më të ftohtë reshjet do të kalojnë në borë edhe në disa vende më të larta. Pastaj në dy ditët e ardhshme moti do të jetë kryesisht i qëndrueshëm, ndërsa reshje të reja priten nga e enjtja.
Shkup - Dukshmëri të ulët për shkak të mjegullës deri në 80 metra sot ka në rrugën Shtip - Negotinë në afërsi të Sertës. Reshje të dobëta bore në Kodrën e Diellit pa pengesa në rrugë, informoi LAMM. Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet tjera kufitare në anën e Maqedonisë, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Ankara - Tërmet me intensitet prej 4,9 ballë sipas Shkallës së Rihterit u regjistrua në ora 14:16 sipas kohës lokale në rajonin e qytetit Kemah, qarku Erzinxhan në Turqinë verilindore, njoftuan mediumet turke, duke iu referuar informatës së Drejtorisë turke për menaxhim me katastrofa dhe gjendje të jashtëzakonshme (AFAD). Tërmeti u regjistrua në thellësi prej 4,52 kilometrave. Në këtë moment nuk ka raporte për viktima ose dëm të shkaktuar material nga tërmeti.
Londër - Evropianët perëndimorë e vlerësojnë gjithnjë e më shumë autonominë evropiane dhe vlerën e lidhjeve transatlantike dhe nuk kanë ndërmend t'i braktisin ato për të kënaqur Donald Trampin, tregon një anketë, duke sugjeruar se opinioni për SHBA-në ka rënë në nivelin më të ulët në dekadën e fundit që kur "YouGov" filloi të kryejë sondazhe të tilla. Përpjekja e presidentit amerikan për ta marrë Grenlandën i ka kthyer fuqishëm evropianët kundër vendit të tij, me çka një shumicë e madhe në Danimarkë, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar shprehën pikëpamje negative, raporton "Gardian".
Berlin – Kancelari gjerman Fridrih Merc në fillim të marsit do ta vizitojë Uashingtonin, në kushte kur po bëhen përpjekje për qetësimin e tensioneve transatlantike ndërmjet vendeve evropiane dhe presidentit amerikan Donald Tramp, njoftoi sot gazeta Gjermane “Velt”. Gazeta thekson se kjo do të jetë vizita e tretë e Mercit në SHBA. Nga kabineti i Mercit nuk ka komente në lidhje me vizitën.
Moskë – Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov ka akuzuar Ukrainën për tentativën e vrasjes së gjeneral kolonelit rus Vladimir Alekseev i cili sot u qëllua në Moskë. Sipas Lavrovit, atentati ndaj Alekseevit është përpjekje e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski për ta “sabotuar procesin e paqes” pas negociatave në Abu Dabi. Alekseevi është shtruar në spital në gjendje të rëndë. Ai është zëvendësshefi i parë i Drejtorisë kryesore të inteligjencës së Shtatmadhorisë së Forcave të armatosura ruse. Gjatë kryengritjes së grupit mercenar rus “Vagner” në qershor 2023, Alekseevi ka qenë një nga negociatorët me Evgenij Prigozhinin.
Muskat - Ministri i Punëve të Jashtme të Omanit, Sajad Badr Albusadi zhvilloi takime të ndara me përfaqësuesit iranianë dhe amerikanë, kumtoi MPJ-ja e Omanit. Busadi zhvilloi bisedime me homologun e tij iranian Abas Aragçi dhe përfaqësuesit amerikanë Stiv Uitkof dhe Xhared Kushnet. Konsultimet u përqendruan në përgatitjen e kushteve për rifillimin e negociatave diplomatike dhe teknike, duke theksuar rëndësinë e tyre, duke pasur parasysh vendosmërinë e palëve të përfshira për të siguruar siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, theksohet në kumtesën e MPJ-së së Omanit.
Islamabad – Të paktën 12 persona humbën jetën pasi një bombë shpërtheu në një xhami shiite në periferi të Islamabadit, kumtoi policia pakistaneze. "Sulmi me sa duket është kryer nga një sulmues vetëvrasës. Ajo ndodhi më pak se tre muaj pas një sulmi të ngjashëm në Islamabad. Fillimisht, mund të konfirmoj se të paktën 12 persona kanë vdekur", deklaroi zëdhënësi i policisë, Taki Xhavad për agjencinë gjermane të lajmeve (DPA). Gjatë sulmit janë lënduar 15 persona, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.
Uashington – SHBA-ja ju bëri thirrje shtetasve të saj që menjëherë të largohen nga Irani për shkaqe serioze të sigurisë, terrorizmit, trazirave, kidnapimeve dhe arrestimeve të qytetarëve amerikanë. Në kumtesën e Departamentit të Shtetit theksohet se shtetasit amerikanë në Iran përballen me “rrezik të lartë nga arrestimet e jashtëligjshme, arrestimet afatgjata, torturë dhe në raste individuale edhe dënim me vdekje”. Gjithashtu theksohet se qytetarët vetë duhet ta organizojnë largimin nga Irani, sepse administrata amerikane nuk mund tu ndihmojë për shkak të asaj që SHBA-ja nuk ka Ambasadë në Teheran.