• e diel, 08 shkurt 2026
MIA Flesh

15:00/ 7 shkurt/ 2026

Shkup - Çdo iniciativë që rrit standardet, forcon edukimin e vazhdueshëm, mundëson shkëmbimin e praktikave të mira dhe ndërton rrjete profesionale, do të thotë ulje e rreziqeve, rritje e cilësisë dhe shtim i besimit në sistemin shëndetësor, tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu i cili dje mori pjesë në themelimin e Kolegjit Pan-Shqiptar të Kirurgëve (KPShK), në Tiranë.  Me këtë organizatë profesionale, siç theksoi, po vendosen ura të reja bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe brezave të ndryshëm të kirurgëve, duke e lidhur këtë profesion human me qëllimin e tij fisnik për sigurinë dhe dinjitetin e pacientit. Siç informon Ministria e Shëndetësisë, Aliu foli para kirurgëve të pranishëm nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Austria, Gjermania, Zvicra, SHBA-ja dhe vende të tjera.

Shkup - Deputetja e koalicionit VLEN, Mimoza Musa në intervistën për Alsat-M ka thënë se i gjithë fokusi është të gjendet modeli më i mirë për funksionimin brenda VLEN-it dhe temë dytësore është se cili model i kryetarit të zgjidhet dhe se këtë siç tha, “do ta diskutojmë në momentin kur të finalizohen bisedimet e bashkimit të VLEN-it në një parti”. Sa u takon ndarjes së pozitave, parimi themelor i VLEN, siç potencon deputetja Musa ka qenë 25 përqindëshi dhe sigurisht se do të vazhdojë të funksionojë si i tillë. “Mendoj se ky ka qenë çelësi i suksesit të VLEN pasi askush nuk ka kërkuar diçka më tepër por secili është parë si partner i barabartë dhe kjo ka qenë formula e suksesit në zgjedhjet lokale dhe parlamentare”, ka thënë Musa.

Shkup – Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese Supreme të Republikës Arabe Egjipt, Bulos Fatimp Iskamdar nënshkruan Protokoll për bashkëpunim. Me rastin e nënshkrimit, dy kryetarët shprehën kënaqësi dhe bindje se me këtë dokument vendosen perspektiva të reja për përparim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit, shkëmbim të përvojave dhe teknika për përparim dhe punë më efikase.  Siç informon Gjykata Kushtetuese, bisedimet u zhvilluan në drejtim të shkëmbimit dypalësh të njohurive dhe praktikave, u diskutua edhe nga aspekti i zgjerimit të bashkëpunimit në plan ndërkombëtar, me qëllim informimin dhe ndërtimin e qëndrimeve në kuadër të Konferencës Botërore të Gjykatave Kushtetuese. 

Shkup – Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duke vepruar në bazë të kallëzimit të parashtruar nga Sektori për Luftë Kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit në kuadër të Departamentit për Çrrënjosjen e Krimit të Organizuar dhe Serioz, mori urdhër për zbatimin e procedurës hetuese kundër tre personave nga Shkupi.   Sipas MPB-së, bëhet fjalë për B.D. (33), M.D. (29) dhe S.E. (25), të gjithë nga Shkupi.  Siç informon Prokuroria Publike, ekziston bazë se të dyshuarit kanë kryer vepër penale “shoqërim kriminal” dhe vepër penale “përgatitje të paautorizuar, posedim, ndërmjetësim dhe tregti me armë ose materie spërkatëse”. 

Shkup – Përbërja e re e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së do të sjellë fitore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, presidenciale dhe lokale, shkroi në profilin e tij në Fejsbuk zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.  Pas zgjedhjes së mbrëmshme të Komitetit Ekzekutiv të partisë, Nikolloski u falënderua për besimin të cilin ja dha kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski. 

Shkup– Kjo është kohë e vendimeve të fuqishme dhe të mençura, me hapa të vendosura për fitore edhe më të mëdha, shkroi në profilin e saj në Fejsbuk ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska pas rizgjedhjes së mbrëmshme si anëtare e Komitetit Ekzekutiv (KE) të VMRO-DPMNE-së.  Siç thekson Dimitrieska – Koçoska, besimi është çelës për çdo sukses. 

Shkup – Kryetari i qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski mbrëmë, përmes profilit të tij në Fejsbuk, shprehu mirënjohje të sinqertë dhe të thellë për besimin të cilin ia dha kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, të jetë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të partisë.  Kjo, siç bën të ditur Gjorgjievski, për të është detyrë që pranohet me ndërgjegje të pastër dhe me gatishmëri, përkushtim të madh dhe sakrificë për Shkup më të mirë dhe Maqedoni më të fuqishme. 

Shkup– Nën ndikimin e një serie të valëve ajrore të lagështisë vijon periudhë e motit të ndryshueshëm me vranësira me reshje të kohëpaskohshme të shiut, lokalisht më të dendura, ndërsa në male të borës. Siç paralajmëron DPHM, për shkak të depërtimit të masës më të ftohtë të hënën reshjet e shiut do të kalojnë në borë edhe në disa nga vendet më të larta. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare, ndërsa të mërkurën dhe të enjten erë e fuqishme nga drejtimi juglindor.  Drejtoria e Punëve Hidrometeorologjike (DPHM) informon se nesër moti do të jetë i ndryshueshëm me vranësira. Paradite do të ketë reshje të kohëpaskohshme lokale të shiut, ndërsa në male në veriperëndim reshje të borës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor, më e shprehur përgjatë Vardarit.  Temperatura minimale do të lëvizë në interval prej 0 deri 7, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 4 deri 14 gradë. 

Tiranë – Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë kërkesën e kryeministrit Edi Rama në lidhje me rastin e zëvendëskryeministres dhe ministre e Infrastrukturës, Belinda Balluku, sepse nuk ishte arritur shumica e nevojshme për pranimin e saj, me çka mbetet në fuqi pezullimi i Ballukut nga funksionet publike.  Tetë gjykatësit kushtetues ishin të ndarë në votim, katër ishin “për” ndërsa katër “kundër”, që sipas rregullave për punë të Gjykatës Kushtetuese në mënyrë automatike do të thotë se ankesa është hedhur poshtë.  Si rezultat i kësaj, vendimi i Gjykatës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për pezullimin e zëvendëskryeministres Balluku nga funksioni mbetet në fuqi, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e shfuqizoi. 

Kiev– Forcat ruse filluan sulm të madh mbi Ukrainë gjatë natës, duke gjuajtur më shumë se 400 dronë dhe rreth 40 raketa, deklaroi presidenti ukrainas Volodomir Zelenski.  Caqe kryesore të sulmeve ishin objektet energjetike në mbarë vendin, njoftojnë mediat ukrainase.  Presidenti Zelenski publikoi hollësi për sulmin në rrjetin social „X“. “Caqe kryesore ishin rrjeti energjetik, kapacitetet e prodhimit dhe trafostacionet distributive. Dëme janë regjistruar në rajonet Volin, Ivano – Frankivski, Lviv dhe Rivnon. Në Rivno është dëmtuar një ndërtesë banimi”, tha ai. 

Kiev– SHBA-ja vendosi afat që deri në qershor Ukraina dhe Rusia të arrijnë marrëveshje për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare, deklaroi presidenti ukrainas Volodomir Zelenski.  Ai u tha gazetarëve se pret presion nga administrata e Donald Trampit nëse nuk plotësohet afati deri në qershor.  “Amerikanët propozojnë të përfundojë lufta deri në fillimin e kësaj vere dhe sipas gjitha gjasave do të bëjnë presion ndaj palëve saktë sipas këtij orari”, tha dje Zelenski, por deklarata ishte nën embargo deri sot në mëngjes.  “Ata thonë se duan të përfundojë gjithçka deri në qershor. Dhe do të bëjnë çmos që të përfundojë lufta. Ata duan orar të qartë të të gjitha ngjarjeve”, shtoi ai. 

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se bisedimet e mëtutjeshme ndërmjet përfaqësuesve të administratës së tij dhe Iranit do të mbahen në fillim të javës së ardhshme.  Bisedimet me delegacionin iranian dje ishin “shumë të mira”, deklaroi Trampi për gazetarët në aeroportin “Er Fors Uan” duke shkuar drejt pushimores së tij Mar – a – Lago në Floridë.  “Duket se Irani dëshiron shumë të lidhë marrëveshje”, tha ai.  Trampi përsëri paralajmëroi për pasojat nëse nuk arrihet marrëveshje dhe përsëriti se Iranit nuk duhet t’i lejohet të ketë armë bërthamore.  Me ndërmjetësim të Omanit, SHBA-ja dhe Irani dje filluan raundin e ri të bisedimeve. 

Uashington – Presidenti i Shteteve të Bashkuara Amerikane, Donald Tramp, dje nënshkroi urdhër ekzekutiv me të cilin hiqet tarifa “ndëshkuese” prej 25 për qind për gjithë importin nga India, e vendosur për shkak të blerjes së naftës ruse nga ana e Indisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë.  Vendimi erdhi pasi Trampi paraprakisht këtë javë publikoi se ka arritur marrëveshje tregtare me Indinë, sipas së cilës tarifat amerikane për mallrat indiane janë ulur prej 50 në 18 për qind, në zëvendësim për pezullimin e importit të naftës ruse nga ana e Indisë dhe uljen e barrierave tregtare.  India është në masë të madhe e varur nga importi i energjisë dhe përmbush rreth 90 për qind të nevojave të saj për naftë nga jashtë. 

Uashington – Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi sot se po zhvillohen “bisedime shumë të mira” në lidhje me luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se si rezultat i bisedimeve “diçka mund të ndodhë”, pa dhënë detaje shtesë.  “Shumë, shumë bisedime të mira, në lidhje me Rusinë dhe Ukrainën. Diçka mund të ndodhë”, u tha Trampi gazetarëve.  Mediat raportuan dje, duke cituar burime, se negociatorët amerikanë dhe ukrainas diskutuan qëllimin që Rusia dhe Ukraina të arrijnë një marrëveshje paqeje deri në mars, megjithëse, sipas burimeve të njohura me bisedimet, ka të ngjarë që ky afat të mos përmbushet për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështjen kyçe për territorin.

Kajro – Të paktën 24 persona janë vrarë në një sulm me dron i kryer nga Forcat Paraushtarake për Mbështetje të Shpejtë (RSF) në Sudan.  Droni ka pasur cak një automjet që transportonte familje të zhvendosura në afërsi të qytetit Rahad në zonën Kordofoni Verior, me çka humbën jetën tetë fëmijë, njoftoi Rrjeti i Mjekëve Sudanezë.  Grupi i mjekëve i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave për të drejtat e njeriut të “ndërmarrin masa urgjente për mbrojtje të civilëve dhe ta konsiderojnë udhëheqësinë e RSF-së drejtpërdrejt përgjegjëse për këto krime”. 

Milano– Në mënyrë specifike me defile të sportistëve në katër lokacione në Milano, Kortina, Predaco dhe Livinjo mbrëmë u hapën solemnisht Lojërat e 25-ta Olimpike Dimërore, ku do të marrin pjesë rreth 2.900 sportistë nga 92 shtete.  Ekipin olimpik nga Maqedonia e Veriut e përbëjnë: Ana Cvetanovska dhe Stavre Jada në disiplinat nordike, ndërsa Jana Atanasovska dhe Viktor Petkov në disiplinat alpine. Ky është delegacioni më i madh i sportistëve nga Maqedonia e Veriut në pjesëmarrjen tonë të tetë në Lojërat Olimpike Dimërore. Sportistët nga Maqedonia u paraqitën për herë të parë në Lojërat Olimpike Dimërore në Nagano në vitin 1998. Delegacioni nga Maqedonia e Veriut gjatë hapjes ishte në dy lokacione, Jana Atanasovska mbante flamurin në Kortina, ndërsa Stavre Jada për të cilin këto janë Lojërat e treta e mbante flamurin e Maqedonisë së Veriut në Predaco. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR